Më 1 gusht hapet rruga e arrestimeve VIP, hyjnë në fuqi kompetencat e SPAK dhe del jashtë loje Llalla, prokuroritë duhet të zhvendosin dosjet për zyrtarët

Më 1 gusht hapet rruga e arrestimeve VIP, hyjnë në fuqi kompetencat e SPAK dhe del jashtë loje Llalla, prokuroritë duhet të zhvendosin dosjet për zyrtarët

Deputetët, ministrat dhe ish-ministrat e korruptuar shumë shpejt do të japin llogari. Përveç vetingut, i cili do të spastrojë drejtësinë shqiptare nga gjykatësit dhe prokurorët, furtunë do të ketë dhe në radhët e politikës. Vetingu pritet të nisë në shtator, por paralelisht me të do të fillojë dhe ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, e njohur si SPAK. Por kur do i hapet rruga këtij organi kaq të rëndësishëm? Më 1 gusht hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.

Pak kohë më parë, mazhoranca qeverisëse miratoi ndryshimet në të dhe ky Kod do sjellë një reformim të rëndësishëm të reformës në drejtësi. Aty u futën një sërë përcaktimesh të reja, ndër më kryesoret janë kompetencat e SPAK. Më 1 korrik hyn në fuqi Kodi dhe përcaktohen zyrtarisht kompetencat që do ketë Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë arrestimeve VIP. Janë plot 17 vepra penale që do të duhet të gjykohen dhe hetohen nga SPAK, pasi ky organizëm të ngrihet. Por pas 1 gushtit hapet rruga dhe nisin më pas përgatitjet për të ngritur këto organe kaq të rëndësishme, pjesë e së cilave do jetë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Veprat që do jenë kompetencë e SPAK

Sipas përcaktimeve në ligj, Struktura e Posaçme Antikorrupsion do hetojë dhe krimin e organizuar, por sa i takon korrupsionit janë 17 vepra penale. Ndër këto mund të pamenden: Neni 244- Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Ky është dhe neni kryesor, përmes të cilit pritet që të dërgohen pas hekurave gjyqtarë, prokurorë, politikanë apo funksionarë të tjerë. Por interesant është fakti se në hetim mund të merren dhe punonjës të huaj. Ndërkohë, pjesë  e SPAK do jetë dhe neni 245 i Kodit Penal, i cili ka të bëjë me korrupsionin aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.

Një tjetër nen që do të prekë një pjesë të madhe të pushtetarëve dhe zyrtarëve shqiptarë, pasi vetëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë kallëzuar gjatë 3 viteve të fundit rreth 500 zyrtarë, është neni 258 që ka të bëjë me abuzimet me tenderët. Në Kodin e Procedurës Penale është hequr  dhe një tjetër kompetencë, ajo e korrupsionit të dëshmitarit. Ndërkohë në listë është dhe korrupsioni aktiv apo pasiv i gjyqtarit dhe prokurorit. Por me hyrjen në fuqi të Kodit të Procedurës Penale, rrudhen kompetencat e prokurorive dhe sidomos kryeprokurorit. Aktualisht kanë qenë kompetencë e Krimeve të Rënda apo Prokurorisë së Përgjithshme hetimi i zyrtarëve të lartë, mirëpo pasi të hyjë në fuqi Kodi, këto kompetenca i kalojnë SPAK dhe kjo do të thotë se Adriatik Llalla del jashtë loje.

Zhvendosja e dosjeve

Një tjetër element i rëndësishëm që përcakton Kodi i Procedurës Penale është se pasi të ngrihet Prokuroria Speciale, asaj do i kalojnë të gjitha dosjet që janë nën hetim nga prokurori, që kanë të bëjnë me 17 veprat penale në fjalë. Pra, çdo dosje që është e hapur për zyrtarë të lartë, pas 1 gushtit duhet të nisë përgatitjet që të kalojë te SPAK. Sinjalet janë se vjeshta do sjellë tërmet si në drejtësi ashtu dhe në politikë. Fillimisht nis vetingu, ndërsa më pas fillon ngritja e organeve antikorrupsion, të cilat do ndjekin shembujt kroatë e rumunë, ku nuk i kanë shpëtuar burgut ministra, deputetë dhe kryeministra.

Kliti Topalli

PËRGJIGJU