Adriatik Llalla, nga godina 13 në “Q.Studenti” pas 13 vitesh shtëpi “sheiku” dhe miliona euro pasuri. Një histori “suksesi” financiar për tu pasur zili

Adriatik Llalla, nga godina 13 në “Q.Studenti” në shtëpi “sheiku” dhe miliona euro pasuri. Një histori “suksesi” financiar për tu pasur zili

Duke parë pasurinë marramendëse të kryeprokurorit Adriatik Llalla, jetën luksoze që bën ai dhe familja e tij, që ndajnë jetën mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, pakkush e di se si e ka filluar jetën ai. Thjeshtë dinë që vjen nga Gramshi, nga një familje me persekucion të dyshuar, është përgënjeshtruar nga vetë të afërmit e tij, ka qënë në emigracion, ka mbaruar shkollën e mesme pas ushtrisë dhe që ishte tapë fare në mësime. Ka qënë në emigracion dhe fitoi aq para sa të mbaronte një pjesë të shkollës së mesme dhe shkollën e lartë, për tu emëruar në sistemin e drejtësisë. Kaq dinin për të, derisa u ngjit në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe të Verifikimit të Pasurive. Këtu filloi dhe e përpjeta financiare e Adriatik Llallës për të mbërritur në krye të Prokurorisë Shqiptare. U vendos aty nga Sali Berisha dhe Ilir Meta dhe që kryeprokurori në të gjitha rastet ua ka shpërblyer, duke i shpëtuar nga akuzat e rënda, duke mbyllur dosjet e tyre që nga abuzimi me pushtetin dhe “blloku” i famshëm i Ilir Metës e deri tek 21 janari, Gërdeci i Sali Berishës. Madje përmes njerëzve të tij po tenton të mbyllë dhe dosjen e aferës së CEZ të Sali Berishës dhe djalit të tij Shkelzen dhe aferën DIA-CEZ të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Dhe në këmbim ka marrë mbrojtjen politike prej tyre, e mbylljen e syve përballë abuzimeve të shumta në detyrën e kryeprokurorit të përkthyer në një bilanc financiar për Llallën që kap shifrën e miliona eurove të transferuar ditë pas dite jashtë vendit me valixhe. Vetë dhe familja.

Po kush është Adriatik Llalla në syrin e atyre që e kanë njohur kur ka ardhur për herë të parë me familjen në Tiranë. E thonë të gjithë banorët e Qytetit Studenti që e njohin Llallën dhe familjen e tij, por më konkrete është një ish e persekutuar e regjimit komunist, Ajtanga Lubonja. E cila ndonëse është kundër të gjithë politikës, nuk e fsheh se di gjithçka për “konviktorin” e kthyer në milioner përmes abuzimit me detyrën e kryeprokurorit, Adriatik Llallën. “Ju kam thënë që kam ndenjur në konvikt në godinën 13 këtu në “Q.Studenti”, me Adriatik Llallën-Kryeprokurorin e sotëm! Unë kisha disa vjet që isha strehuar aty (adresa e vetme e strehimit tim…nga konvikti do dal e vdekur)! Familja Llalla erdhën me maç e kuç nga fshati…a nga Gramshi, a nga Librazhdi, nuk më kujtohet! U vendosën në katin e 2-të në një dhomë pak më të gjatë se tonat, ishin gjithë ata, 5-6 vetë! U tha që ishin të persekutuar, ishin njerëz të mire! Tiku (Adriatik Llalla) punonte hetues në Gramsh më duket! Unë venja shpesh në dhomën e tyre, se në dritaren e tyre kisha vënë antenën e TV dhe e lëvizja sipas stacioneve! Kur vinte Tiku, rrija më shumë e beja muhabet e haja bukë të zezë fshati që e bënte e kunata! Pasi u martua Tiku, ndenji dhe pak (kish ardhur në Tiranë dhe ishte bërë zv/prokuror) dhe iku nga konvikti! Kur e takova një ditë në ato kohë, më tha që po bënte një shtëpi diku këtu lart në ‘Qytetin Studenti’! Shpejt u bë me vajze, që kur ishin në konvikt dhe e kishin të vogel kur ikën! Kështu vitet iknin…. Tiku ecte në karierë! U vu në krye të Deklarimit të Pasurive… uuuu thashë (unë punoja në Shërbimet Qeveritare), të shkoj t’i them Tikut për nusen time (i plotësonte të gjitha kriteret ekonomiste, me gjuhë të huaja… anglishten e dinte aq mire sa e merrte FMN për përkthyese).

Tiku, më priti si nënën e vet, me shumë respekt e dashuri (këtu ishte fundi i njeriut, pas kësaj lindi VIP-i – Adriatik Llalla), s’më ktheu kurrë përgjigje, nuk ma hapi më telefonin! Kur u propozua për Kryeprokuror…. unë përsëri shkrojta për ëe duke e trajtuar si të persekutuar që u ngrit në piedestal dhe e meritonte të ishte Kryeprokuror! Kam shumë vite që nuk e kam takuar, po në muajin mars kisha një hall jo për vete jo… pyeta për shtepinë e tij dhe vajta! UUUAAAUU, u mahnita… rruga përpara shtëpisë së tij e shtruar me asfalt, shtëpia si shtëpi sheikësh (mu shqye goja) Roja-polic civil ke dera, më njojti kush isha, po që nuk mund të lajmëronte në familje pa ia kërkuar ata! Ika si i thonë asaj fjalës “me bisht në shalë!” Dhe sot e kësaj dite, nuk e kam takuar Adriatik Llallën-Kryeprokurorin. Por shoh në TV, kur e thërret ai që e ka vënë aty në zyrë!

(Kryeprokurori, të tund tepelekun, atë e therrasin si dele! VIP-at hanë në një tas dhe pisllëqet ja u nxjerrin fëmijet me super lukset e tyre ( SOJSEZI NUK BEHET KURRE SOJLI!)!

Një histori me të vërtetë “suksesi” financiar kjo e Tik Llallës, por me paratë e shtetit, duke abuzuar në të gjitha rastet dhe në të gjitha poste, pa përjashtim.