Aksidentet, padi ndaj ARRSH – Kërkesa për shpërblim dëmi fizik e moral deri 300 mijë euro

Aksidentet, padi ndaj ARRSH – Kërkesa për shpërblim dëmi fizik e moral deri 300 mijë euro

Qytetarët po fajësojnë gjithnjë e më shumë kushtet teknike të rrugëve dhe mungesën e sinjalistikës si shkaktarë të aksidenteve rrugore. TV Scan ka zbardhur të paktën 15 padi gjyqësore të ngritura nga qytetarët ndaj Autoritetit Rrugor Shqiptar, mes të cilave gjenden edhe shtetas të huaj.

Një pjesë e padive janë ngritur nga të afërm të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente rrugore. Listat e kërkesave nëpër padi janë të gjata, dhe nisin nga pretendimi për shpërblimin e dëmit pasuror, për të shkuar te dëmi biologjik, te ai moral e ekzistencial.

Vetëm në njërën nga paditë për aksident me plagosje të rëndë, kërkesa për shpërblim dëmi fizik, biologjik dhe moral arrin në 36 milionë lekë, afërisht 300 mijë euro.  Ndërkaq vazhdon të mbtet shumë i lartë numri i aksidenteve dhe veçanërisht i atyre me pasoja të rënda.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në muajin shtator 2017, numri i aksidenteve është rreth 1 për 100 mijë banorë, Vetëm në periudhën janar shtator 2017 kanë ndodhur në total 1.485 aksidente, ku kanë humbur jetën 166 persona.