Analiza: A fitoi PD apo humbi PS në qarkun e Shkodrës?

Analiza: A fitoi PD apo humbi PS në qarkun e Shkodrës?
Analiza: A fitoi PD apo humbi PS në qarkun e Shkodrës?

Qarku Shkodër ka në përbërjen e vet 5 bashki, Bashkinë Shkodër që zë peshën kryesore me 65% të votuesve dhe 4 bashki të vogla; Malësinë e Madhe, Vaun e Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz, ku të gjitha së bashku përbëjnë pjesën tjetër prej 35% të votuesve të qarkut më të madh të veriut.

Në këto zgjedhje u shënua një rezultat surprizë në bashkitë e vogla të Pukës dhe Fushë-Arrëzit, që pavarësisht numrit të vogël të votuesve, korrën një fitore të madhe, duke i dhënë PS-së plot 4 mijë e 500 vota më shumë se PD, gjë që tregoi një konsolidim të votës së majtë, që nuk u thye as nga matrapazët e LSI-së dhe as nga ata të PSD-së.

Më e dobët për çudi u tregua kësaj rradhe Partia Socialiste e Malësisë së Madhe, e cila realizoi me vështirësi 2 mijë vota plus PD-së dhe nuk ia doli dot ta mbante votën e lidhur. Në ndryshim nga 2013-a, kësaj rradhe vota socialiste në Malësinë e Madhe u përça ndjeshëm si nga LSI-ja ashtu edhe nga PSD-ja.

Surpriza tjetër në këto zgjedhje, por tashmë për palën tjetër ishte Vau i Dejës, i cili nën patronazhin e Zef Hilës, kryetarit të bashkisë, pavarësisht dezertimit masiv të demokratëve në të gjitha bashkitë e tjera, arriti të krijojë një epërsi prej 3 mijë votash kundrejt Partisë Socialiste, duke neutralizuar kështu votat e fituara nga PS në Malësinë e Madhe dhe në Fushë-Arrëz. Por gropën e madhe në votat e Partisë Socialiste e shkaktoi Bashkia Shkodër, atje ku u shënua edhe pjesëmarrja më e ulët historike për zgjedhjet parlamentare.

Imagjinoni që vetëm në këtë bashki kanë votuar 10 mijë votues më pak se në zgjedhjet lokale për bashkinë në 2015-ën, disproporcion që s’është parë ndonjëherë mes zgjedhjeve lokale dhe atyre qendrore, ku gjithmonë ka rezultuar e kundërta.

Një braktisje e tillë e Partisë Demokratike nga elektorati i saj, i neveritur nga lëvizjet e fundit të kryesisë si dhe nga një kryetare bashkie që s’e shohin dot me sy as të vetët, duhej të shënonte për herë të parë fundosjen e saj në këtë bashki, por kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por demokratët arritën të ruajnë një epërsi prej 6 mijë votash mbi Partinë Socialiste, e cila edhe pse me 3 kandidatë në listën fituese, përfaqësues direkt të kësaj bashkie, nuk arriti ta konsolidonte votën e saj.

Vota e trafikuar si nga LSI ashtu edhe nga PSD, në bashkinë Shkodër, shënoi një disfatë për Partinë Socialiste, e cila fare mirë mund ta optimizonte këtë votë për vete, duke mos e humbur kandidatin e pestë për 1500 vota.

Për herë të parë, PS kishte shansin historik të barazonte PD. Po të bësh një shumatore të votave të marra nga PS plus LSI plus PSD për bashkinë Shkodër 2017 dhe t’i krahasosh me rezultatet e kandidates në zgjedhjet lokale 2015, e cila pati haptas kundër Tom Doshin që garoi për PSD dhe Agron Celen që garoi për LSI, del që vota e marrë nga këto tre subjekte bashkë është përafërsisht e barabartë me votën e marrë nga kandidatja socialiste për bashkinë, Keti Bazhdari.

Ky fakt tregon që kur ka ideale e përfaqësim, vota as mposhtet as trafikohet, pavarësisht varfërise ekstreme në këtë qark apo prirjeve ekstremisht të djathta të elektoratit. Ama po u vendosën kandidatë trafikantë nga njëra anë dhe kandidatë lokalë (me perjashtim të ministrit të jashtëm Ditmir Bushati, i cili shkoi në një terren të panjohur dhe të vështirë) pa vlera politike apo menaxheriale nga ana tjetër, sic rreshtoi Partia Socialiste në listat e Shkodrës kësaj rradhe, fundi i votës së hallexhiut është i ditur; padrinot do të shqyejnë sa munden e ku munden dhe kuptohet që pre më e lehtë këtu është vota e majtë.

Kështu trafikantët e votave, eksponentë medemek politikë, njerëz të hurit e të litarit ia dolën ta administrojnë votën e të pamundurve hallexhinj për ta përkthyer atë në interesa të drejtëpërdrejta të tyre, në tendera, administratë shtetërore dhe për ta mbajtur historikisht këtë bashki me statusin e bashkisë më të varfër dhe më të prapambetur në Shqipëri.

Shkruan: Gjergj Zefi

PËRGJIGJU