Arben Ahmetaj, “delfini” i Ilir Metës në qeverinë e Ramës. Nga përurimi i “Santa Quaranta” të Balilit, te vota kundër shkarkimit dhe humbja në Kavajë

Arben Ahmetaj, “delfini” i Ilir Metës në qeverinë e Ramës. Nga përurimi i “Santa Quaranta” të Balilit, te vota kundër shkarkimit dhe humbja në Kavajë
Arben Ahmetaj, “delfini” i Ilir Metës në qeverinë e Ramës. Nga përurimi i “Santa Quaranta” të Balilit, te vota kundër shkarkimit dhe humbja në Kavajë

Arben Ahmetaj mund të quhet me plot gojën një “delfin” i Ilir Metës në qeverinë e Edi Ramës, që ka marrë përsipër të qeverisë mandatin e dytë të PS. I vënë në krye të superministrisë së Financave, Ekonomisë dhe që ka brenda edhe Punën e Mirëqenien Sociale, Ahmetaj ka treguar më se njëherë se ka qënë gjithnjë në sintoni të plotë me ish kreun e LSI tashmë President i Republikës Ilir Meta. Dhe jo në sintoni përmes deklaratave apo mbështetjeve të heshtura nëpër biseda private, por me veprime publike.

Kështu, vetëm dy muaj më parë, Ilir Meta votoi kundër shkarkimit në Kuvend të Ahmetajt si ministër i Financave. Madje ai votoi pro shkarkimit të kreut të partisë së tij Petrit Vasili. Këto votime karamboleske të Metës u bënë me rastin e shkarkimit të disa ministrave dhe emërimit të ministrave “teknikë” të PD pas marrëveshjes Rama-Basha të 17 majit. Ilir Meta thotë se ishte e qëllimshme vota kundër shkarkimit të Arben Ahmetajt dhe zëvendësimit të tij me një ministër teknik.

“Mendoj që zëvendësimi i ministrit të Financave për mua nuk ishte bindës. Duke parë situatën ekonomike dhe makroekonomike në vend. Ishte një qëndrim personal pasi sipas meje nuk kishte arsye të largohej ministri i Financave. Nuk bëhet fjalë për emrin, por për postin”, tha Meta për mediat në arsyetimin e votës së tij kundër shkarkimit të Ahmetajt nga ministër Finance. Dhe për të parë komunikimin perfekt të tyre mund të shohim ngjarjet e mëvonshme. Pasi nuk ka vonuar shpërblimi nga Arben Ahmetaj, i cili në kundërshtim me linjën zyrtare të PS, ruajti raportet me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke fundosur Partinë Socialiste në Kavajë si dhe duke i rrezikuar mandatin e 18 për PS në Tiranë.

Përfaqësues të PS kanë dyshime të forta se, flirti i kahershëm dhe i fshehtë mes ministrit më të pasur socialist dhe LSI është reflektuar dhe jetësuar politikisht në Kavajë, duke dobësuar pozitat e Partisë Socialiste. Pozicioni i prerë i Edi Ramës kundër LSI dhe denoncimi raportit të saj abuziv me pushtetin, shtoi votat për Partinë Socialiste në të gjithë Shqipërinë, duke i dhënë PS timonin e drejtimit të vendit, pa aleanca kushtëzuese.

Por, në Kavajë, ku fushata u drejtua nga Arben Ahmetaj, kemi një kundërprovë. Ndryshe nga drejtuesit e tjerë të fushatës, të cilët zbatuan strategjinë kundër LSI, Arben Ahmetaj, vijoi linjën e butë me LSI. Kjo linjë personale e tij, ku nuk sulmoi asnjëherë LSI, prodhoi një rezultat negativ për PS, krahasuar me zgjedhjet e 2013. Për rrjedhojë, nëse PS shtoi votat në të gjithë Shqipërinë, Kavaja u kthye në një “mish i huaj” në tablonë e fitores së madhe. Nëse Partia Socialiste, në rang kombëtar u rrit me 6.7 %, në Kavajë pësoi rënie me rreth 13 %.

Por “dashuria” Meta-Ahmetaj është akoma më e hershme dhe ze fill që në fillim të mandatit të qeverisjes mes PS dhe LSI dhe për më tepër në pronat e supetrafikantit të drogës Klemend Balili në Sarandë. Kështu ish-kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe ministri atëhershëm i Ekonomisë e Turzimit, Arben Ahmetaj prenë shiritin e një investimi që konsideruan të jashtëzakonshëm e që ia shton bukurinë Sarandës, resorti turistik “Santa Quaranta”. Ne apelin për një bashkëpunim të frytshëm në fushë të turizmit, kreu i Kuvendit Ilir Meta tha se të tilla investime numri i turistëve do të njohë gjithnjë rritje në qytetin e bukur jugor të Sarandës.

“Është një investim i jashtëzakonshëm që ia shton bukuritë Sarandës dhe gjithë bregdetit të Jonit, pasi ofron shërbime të standardeve më të larta për të gjithë turistët vendas dhe turistët e huaj”, pati thënë atëherë Meta për ish zyrtarin e tij të trasportit rrugor Klemend Balili, tashmë në kërkim si supertrafikant droge.

Ndërkaq ministri Ahmetaj e konsideroi këtë investim pionier të turizmit në Sarandë.

“Investimi është shumë serioz dhe nga më seriozët sot në Shqipëri. Besoj se është kthesë për standardet dhe për atë që duhet të bëjmë në vitet që vijnë”, pati thënë Ahmetaj asokohe. Ndërsa Bako Halili, një prej vëllezërve, pronarë të këtij resorti turistik tha se puna e lodhshme ndër vite u shpërblye me arritjen për të operuar në fushën e turizmit. Një përurim ku nuk kishte si të mungonte dhe kryetarja e bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, një “delfine” e “ish kryeministrit” të Jugut. Madje bashkë të gjithë asokohe në përfundim të ceremonisë në një nga mjediset e jashtme të resortit ‘tokën’ dhe gotat në kokteilin e organizuar për të pranishmit. Pra Meta dhe Ahmetaj kanë një miqësi të konsoliduar tashmë, dhe në kurriz të PS madje. Kjo e parë dhe në të gjitha vizitat e Metës jashtë vendit me statusin e kryetyarit të Kuvendit, ku në krah gjithnjë kishte supermininistrin Arben Ahmetaj. E tillë ishte dhe vizita e paradokohëve në Gjermani ku morën pjesë në Konferencën Ekonomike të Bizneseve Familjare të Gjermanisë në Baden-Baden. Ku Meta dhe  Ahmetaj ishin të ftuarit e nderit në konferencën vjetore, që mbledh pronarët e kompanive më të mëdha familjare gjermane, ku ofruan një ekspoze të gjerë të zhvillimit dhe potencialeve ekonomike të Shqipërisë pranë disa prej investitorëve më të rëndësishëm gjermanë. Të gjitha këto qasje shkojnë drejt konsolidimit të bindjes së Arben Ahmetaj, superministri i qeverisë së Ramës është një “delfin” i Ilir Metës./Pamfleti.com

PËRGJIGJU