“Autobusi” i drejtësisë nuk ka vende bosh për Lavjerrësin!

“Autobusi” i drejtësisë nuk ka vende bosh për Lavjerrësin!
“Autobusi” i drejtësisë nuk ka vende bosh për Lavjerrësin!

A është gati Europa të integrojë Shqipërinë me politikanë të korruptuar?! Sigurisht që jo! Madje, pikërisht prej kësaj u ngritën “çadra” në bulevard e parlament, në rrugë apo në zyra, në media apo kafene.

Nga Anri Bala

Paradoksalisht, jemi mësuar të dëgjojmë barcaleta të ngritura mbi idenë se, “Partia e Lavjerrësit” do jetë gjithmonë në qeverisje! Gajasesh me lot, kur dëgjon se, mirë apo keq, grupi i lavjerrësve do jetë gjithmonë duke pritur udhëtimin 4 vjeçar të qeverisjes së ardhshme. Mirëpo, autobusi që do të transportojë udhëtarët e qeverisë së ardhshme, që do të kapë mazhorancën me numër votash në parlament, ka gjasa të mos ketë vende bosh kësaj here dhe mos t’ia  ulë shpejtësinë “autostopit”… të radhës. Frika se PS, mund t’i plotësojë vendet vakante të saj, i ka kapur keq “kanakarët” e partisë së dytë më të madhe në koalicion.

Kjo frikë, ka lidhje me pasigurinë e “Lavjerrësit” dhe bashkëpunëtorëve të tij, nëse do jetë faktor për të përcaktuar qeverinë e ardhshme. Pasiguria vjen pasi, votuesit e kësaj partie, nuk janë as dashamirës, as të pavendosur, por janë thjeshtë individ, që ruajnë apo u interesojnë vetëm vendet e punës. Pra marrëdhënia është e drejtë, ne nuk të duam… por të japim, e ndaj në këmbim… do të marrim. Mirëpo, në këtë situatë, “Lavjerrësi” nuk ka çfarë u ofron shqiptarëve, as vende pune e as garanci për një qeverisje siç e kërkon Europa, ndaj ndihet e përjashtuar. Loja nuk bëhet për të qenë apo jo i përjashtuar, të gjitha britmat lëshohen për të mos qenë i “rrezikuar”!

Ekuacioni më i vështirë, që shtrohet sot për zgjidhje është: A do të ketë mundësi Shqipëria, që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, e për pasojë për të qenë pjesë e saj, a duhet të plotësojë disa detyra shtëpie, ose të bëj disa “gola” për të fituar?

Goli më i rëndësishëm sot, që duhet të bëjnë aktorët politikë, është Reforma në Drejtësi. Por, kur për disa interesa po tentohet të shënohet gol, që do e zhbllokonte rezultatin dhe do ta çlironte vendin përfundimisht nga kriza e gjatë e padrejtësisë, e për disa kjo përpjekje është njësoj sikur të bëjnë gol në portën e tyre, autogol, duke e thelluar humbjen.

Vetingu, nuk i pranon lojtarët që shesin ndeshjet, e doemos nuk i ka në listën e të përzgjedhurve në përballjet më të rëndësishme, që po kalon sot vendi ynë. E thënë më shkoqur, vetingu në vetvete, nuk e pranon Shqipërinë me politikanë të inkriminuar, pazarxhi dhe sharlatanë. Ndaj, lind një tjetër pikëpyetje: A është gati Europa të integrojë Shqipërinë me politikanë të korruptuar?! Sigurisht që jo! Madje, pikërisht prej kësaj u ngritën “çadra” në bulevard e parlament, në rrugë apo në zyra, në media apo kafene.

Politikanët tanë e dinë fare mirë, se vetingu rrezikon karrigen e tyre, e jo vetëm kaq, por dhe më shumë, përballjen me drejtësinë, ndaj dhe zhurma është e madhe. Ngërçi, pse nuk votohet reforma, e ka protagonistin e saj… presidentin. Sipas tyre, presidenti është garancia për t’i mbajtur ata sa më larg burgut. Retorika se PS dhe Rama, kërkojnë karrigen e presidentit për të kapur drejtësinë, është thjeshtë retorik boshe, sepse në të vërtetë ata nuk i frikësohen Ramës, por vetingut, duke dalë fare hapur se presidenti qenka një “kukull”, emër në funksion të një partie, apo disave bashkë qofshin ato, e jo një figurë, në interes të të drejtave kushtetuese të vendit.

Edi Rama këtë e di mirë, sikurse e di mirë, se dalja e “Lavjerrësit”  nga koalicioni i majtë, do ta katandiste partinë e tij sërish me katër deputetë, si në vitin 2009. Këtë e di fare mirë dhe nuk pretendon se me largimin nga Rama, mund të fitoi terren apo elektorat nga radhët e PS, që kërkon të bëjë shtet dhe as nga radhët e votuesve të PD, që duan të vijnë në pushtet. Imagjinoni një dashamirës të Berishës të votojë LSI për një vend pune?! Kjo nuk ndodh kurrë, sepse militantët e betuar nuk e kanë harruar akoma postulatin e famshëm: “Pa bukë do rri dhe Berishën prapë do ta votojë”!

Pra fati i qeverisjes së Metës, varet në bazë të vendeve të punës, të cilat mund t’i siguroi vetëm, nëse vazhdon të jetë pjesë e fuqishme e qeverisjes së ardhëshme dhe pjesë e pa shkëputur e asaj, që do të lërë pas. “Ngërçi” politik, nuk vjen sepse PS nuk do donte të qeveriste me “Lavjerrësin”, por ndoshta ajo nuk mundet….!

Situatat po ndryshojnë çdo ditë. Nxjerrja nëpër podiume e gjithfarë “altoporlanti”, duke bërë thirrje të pakuptimta, e të vështira për t’u deshifruar, po i nxjerrin zbuluar intrigantët  e kurdisur. Varianti për dorëzim të qeverisë, sepse nuk është sakrilegj, dy muaj para zgjedhjeve në fakt është krim.

Deklarata më e fortë sot ishte ajo e Ministrit të Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, që i dha një herë e mirë përgjigje përkrahësve në hije të “çadristëve të lirisë”, se as nuk mund të mendohej në vendin e tij ndryshim qeverie pa vota, vetëm sepse këtë e kërkon pakica! Po në të njëjtën mënyrë, Lavjerrësi mori përgjigje edhe për idenë e arbitrit PPE, hedhur në “post” si bixhozxhiu, për të vazhduar lojën e pokerit me para fallco. Ministri i jashtëm holandez dhe ai gjerman përsëritën të njëjtën fjali: Zgjedhje dhe kthim në parlament!

Kjo bëri, që Lavjerrësi të humbas dhe mundësinë për tu hequr si luajal dhe parimor. Tashmë, ata nuk kanë asnjë mundësi të luajnë majtas apo djathtas, sepse drejtimin ku duhet të shkojnë e morën. Koha e shtirjes dhe spërdredhjeve mbaroi! Nuk bëhet fjalë për kryeçadrën e çoroditur, që nuk mund të orientohet më, sepse tani ai e ka vendosur vetëflijimin.

Sikurse Shqipëria, edhe Europa apo Amerika, i ka emrat e “dashur” për ta, në listat e bardha dhe të zeza. Problemi është se autobusit të drejtësisë, po i mbarojnë vendet ulur dhe natyrisht, po vendoset se çdo të bëhet me ata që do rrinë në këmbë.

Andaj sikurse PD-së dhe LSI-së, nuk i mbetet gjë tjetër, vetëm të shpresojnë për ndonjë vend bosh në këmbë, në autobusin e drejtësisë, që mos t’i kapi “autoburgu” që vjen pas.

Tam-tamet që po bien për ata që kanë vesh, tregojnë se gjithçka është drejt fundit. Autobusin e drejtësisë edhe sikur t’i mbaroi karburanti, janë mijëra shqiptarë, që do ta tërheqin me dhëmbë drejtë destinacionit!

PËRGJIGJU