Bajerni s’njeh pengesa, shpartallon Leverkusen dhe e nis me fitore 2018-n

Bajerni s’nje pengesa, shpartallon Leverkusen dhe e nis me fitore 2018-n

Bayerni i Munihut e ka nisur me fitore dhe furi vitin 2018, duke shpartalluar në transfertë ekipin e Bajer Leverkusenit dhe duke ruajtur të paprekur vendin e parë në renditje në Bundesligën gjermane. Me fitoren e sotme skuadra bavareze tregoi se është e pathyeshme e s’njeh pengesa, teksa rrit në 14 pikë diferencën me Shalken e vendit të dytë. Bavarezët dominuan në lojë në pjesën e parë duke iu afruar disa herë golit me Ribery (4’) dhe James Rodriguez (26’), por rezultati do të zhbllokohej në minutën e 32-të nga spanjolli Javi Martinez, pasi topi mbeti në zonë në zhvillimet e një këndoreje.

Franck Ribery përmbylli me gol një kundërsulm të shpejtë të bavarezëve në minutën e 59-të, duke dhënë përshtypjen e një fitoreje të lehtë për Bayernin. Gjithsesi “aspirinat” arritën të hapnin ndeshjen me Volland në të 71-ën, i ndihmuar edhe nga devijimi i mbrojtjes. Goli që vulosi fitoren 1-3 të skuadrës së Heynckess u realizua nga James Rodriguez nëpërmjet ekzekutimit mjeshtëror të një goditjeje të lirë. Nuk pati më kohë për Leverkusenin për të ndryshuar fatin e kësaj ndeshjeje, me Bayernin që kalon një tjetër pengesë të rëndësishme në rrugën drejt titullit kampion të radhës. Tashmë bavarezët do të kenë mundësinë të mendojnë seriozisht për trofeun e Ligës së Kampioneve, pasi titulli në Gjermani duket i “hipotekuar”. /Pamfleti.com

Denonco
Loading...