Berisha-Basha protestonin në Tiranë, Meta merrej me bizneset e veta! Si e shkatërroi “Baba Likja” me guroret e mermerët, “Baba Tomorrin”

Berisha-Basha protestonin në Tiranë, Meta merrej me bizneset e veta! Si e shkatërroi “Baba Likja” me guroret e mermerët, “Baba Tomorrin”

Ndërkohë që turma qesharake e militantëve të Partisë Demokratike rrekej të mbushte, duke u përhapur sa më shumë, cepat e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, presidenti i zgjedhur i Republikës, pasi i zhgënjeu aleatët e vjetër me prapaktheu-n e tij për të hedhur qeverinë Rama në tavolinë, duket se ka punë të tjera për t’u marrë. Shumë më të rëndësishme se sa ato politike…

Ilir Meta ka qenë në Bashkinë e Skraparit, ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së sezonit turistik dhe inaugurimin e fillimit të punimeve të rrugës Skrapar-Përmet. Kjo rrugë, tha Meta është një shpresë mjaft e madhe për zhvillimin e të gjithë zonës dhe do të bëjë të mundur lidhjen e luginës së Osumit me atë të Vjosës, si dhe lidhjen e Beratit me Gjirokastrën, përmes Përmetit. “Ne sot inaugurojmë edhe fillimin e punimeve të rrugës Skrapar-Përmet, që është një rrugë mjaft e rëndësishme dhe një shpresë mjaft e madhe për zhvillimin e gjithë kësaj zonë, është një rrugë e cila lidh dy nga luginat më të bukura të vendit tonë, atë të Osumit dhe të Vjosës, e që do të shumëfishojë fluksin e vizitorëve dhe turistëve duke qenë një mënyrë dhe një unazë që do të lidhi në një rrugë krejt të re dhe shumë interesante edhe dy qytetet e UNESCO-s, Beratin dhe Gjirokastrën, përmes Skraparit dhe Përmetit”,- u shpreh z. Meta.

Në fakt, ata që banojnë aty nuk mund të gënjehen me premtime “turistike”. Që familja Meta ka bërë lobing të fuqishëm për ndërtimin e një rruge me shumë shpenzime dhe me pak rentabilitet, si ajo nga Çorovoda në afërsi të Përmetit, kjo është e njohur. Edhe kur qe me Berishën në pushtet dhe ja mbushi mendjen të merrte idetë e inxh. Ngjeqarit për Boshtin e Jugut. Edhe tani, që infrastrukturën e kontrollon fuqishëm me ministrin përkatës të LSI-së.

Propaganda se kjo rrugë do të shërbejë për turizmin është me destinacion shqiptarët që nuk banojnë në ato zona. Ndërkohë, skraparllinjtë e dinë shumë mirë se ku fle lepuri. Kjo, pasi shumë prej familjarëve të tyre, që në kohën kur Meta ishte kryeministër, janë të punësuar në gurore të meremereve apo gurëve të tjerë shumë të kërkuar dekorativë, që kontrollohen nga ‘Ujku’ i Uoll Stritit shqiptar. Ndoshta si pronar në disa prej tyre del edhe ndonjë emër si Muharrem Berisha, që bën të humbasin gjurmët, pasi ai është Tropoja. Por edhe ky figuron tashmë në listat e LSI-së si kandidat për deputet në Tiranë. Dhe, pavarësisht nga kjo, skraparllinjtë e dinë se kush janë pronarët e vërtetë, ata që nuk e kanë për gjë të mbjellin 20 palma në vilën e tyre në Gjirin e Lalzit, me nga 5 milionë lekë kosto seicila. Dhe të shtrojnë me mermeret e Tomorrit komplet sipërfaqen jashtë e brenda të asaj vile.

Rruga nga Çorovoda në drejtim të Përmetit zvogëlon jashtëzakonisht koston për makina e mëdha të transportit që çojnë gurët e Tomorrit jashtë Shqipërisë. Kjo e bën shumë të aksesueshme doganën e Tri Urave në Përmet, por edhe Kakavija afrohet së tepërmi. Kjo leverdi është ajo që e shtyn Metën të shkojë vetë për të prerë shiritin në Skrapar.

Se, ajo që i bëjnë guroret e tij Baba Tomorrit, e largon përjetësisht turizmin nga ato zona. I parë nga larg, me majën e tij të mbuluar nga dëbora, të cilën poeti Andon Zako Çajupi e quante ‘kishë të Shqipërisë dhe fron të perëndisë’, mali i Tomorrit ngjan madhështor dhe i bukur si një kartolinë. Por po të afohesh pak më afër zbulon se është i tharë dhe i mbushur me zgavra që duket sikur i shkojnë deri në palcë. Buldozerë dhe eskavatorë të fuqishëm e gërryejnë me pash çdo ditë ndërsa qindra puntorë, ditë-natë, nxjerrrin pllaka guri për t’i ngarkuar në makina që lënë pas re të trasha pluhuri. I shpallur si zonë e mbrojtur, mali i Tomorrit ngjan më shumë me një gurore të stërmadhe, për të cilën aktivistët mjedisorë shprehen se përbën një nga masakrat më të mëdha ekologjike të ndodhura ndonjëherë në Shqipëri. Në dy anët e rrugës që çon në mal janë depozituar tonelata të tëra gurësh, mjete të fuqishme që gërryejnë malin, punëtor që nga guri sigurojnë mbijetesën, si dhe makina të mëdha që lëvizin pa pushim në drejtim të qytetit të Poliçanit. Dhjetra kompani që operojnë në biznesin e nxjerrjes së pllakave të gurit punojnë në këtë zonë, por lista e saktë e operatorëve dhe pronarëve fshihet pas informalitetit.

Një vendim i Këshillit të Ministrave me nr 472, i marrë datë 18 korrik 2012 e shpall ekosistemin natyror të malit të Tomorrit zonë të mbrojtur në një sipërfaqe prej 24,7 mijë hektar. Sipas VKM-së të miratuar nga qeveria e qendres së djathtë e ish-kryeministrit Sali Berisha kjo sipërfaqe përfshin komunat Roshnik, Vërtop, Bogovë, Gjerbës, Zhepë dhe Kushovë. Në vitin 2014 qeveria ka miratuar një plan menaxhimi për parkun kombëtar të Tomorrit. Plani e përcakton biznesin e nxjerrjes së rasave të gurit si një kërcënim real që po i bëhet habitateve natyrore dhe veçorive gjeologjike të zonës. “Është e domosdoshme mbyllja e guroreve të paligjshme (palicencuara), gërmimeve brenda zonës së parkut,” thuhet në dokumetin 150-faqësh.

Por megjithatë, sapo i ngjitesh malit përpara syve shfaqen sipërfaqe të tëra të shkatërruara, makineri të rënda që gërryejnë skarpatet, dhe punëtorë që me leva nxjerrin nga toka pllakat e gurit. Punëtorët punojnë për një pagë skllavërore prej jo më shumë se 40 mijë lekësh në muaj.

Sot Çajupi do të shkruantë:

“0 shqipëtarët e gjorë,

Ndëgjoni Baba-Tomorë:

Kombi tuaj s’do shkojë mbarë

Der’sa pllakat të më marrë”…

Kështu është kur një Babai tjetër i teket të dalë mbi Baba Tomorrin…