Berisha-Meta, si Jelcin-Putin: Garantojnë familjet dhe pasuritë përrallore të njeri-tjetrit të vëna përmes krimit dhe pushtetit

0

Shumëkush është në dilemë të faktit se përse Sali Berisha dhe Ilir Meta, pavarësisht përplasjeve në dukje, janë aleatë të kahershëm me njëri tjetrin. Argumentet që sjellin janë nga më të ndryshmet, dhe shumëkush është i mendimit se nuk duhej të ishin aleatë të tillë të palëkundur ndaj njëri tjetrit.

Një ndër argumentet që rëndom sillet në këto raste është dhe ai se Sali Berisha kur ishte President i vendit më 1993 deshi ta fuste në burg Ilir Metën, pasi me shumicën parlamentare i hoqi imunitetin e deputetit. Thjesht se Meta u bashkua me disa protestues në Poliçan dhe se kishte sfiduar Berishën, në atë kohë i plotfuqishëm. Ndërsa të tjerë sjellin argumentin kundër se pikërisht këtu fillon dhe aleanca mes Berishës dhe Metës. Pra pikërisht këtu është nënshkruar pakti mes tyre: Berisha nuk do ta fuste në burg për marrjen peng të protestuesve poliçanas në mbështetje të të cilëve ishte dhe Meta, të një zyrtari të lartë.

Ndërsa Meta si kompensim do të punonte për përçarjen e së majtës dhe do të përpiqej të ngjitej në krye të PS. Po të ndjekësh trajektoren politike të Metës dhe të lëvizjeve në PS por dhe marrëdhënieve me Berishën dhe këtij grupi që mendon në këtë mënyrë mund t’i japësh të drejtë. Më 1995 i “ngopën” Fatos Nanos dhe 10 vite të tjera burg dhe tentuan ti marrin partinë. Mezi shpëtoi PS nga Meta dhe njerëzit që mbështeteshin nga Berisha, ndërkohë që Nano pasi doli nga burgu u bë kryeministër, kryetar PS dhe sërish kryeministër. Meta tentoi dhe më 2003 për herë të fundit ta sfidonte Nanon por u thye prej tij, ndërkohë që në 2004 iku dhe krijoi LSI. Dhe pikërisht më 2005 Meta i dha një dorë Berishës për të rrëzuar Nanon dhe PS nga pushteti. Ndërkohë që më 2009 ia dha sërish një dorë Berishës për të qëndruar në pushtet dhe për të groposur Edi Ramën. Qeverisi katër vite bashkë dhe e rropën këtë popull, Berisha nga njëra anë dhe Meta edhe më fort nga ana tjetër.

Deri këtu i dhanë dorën njëri tjetrit Berisha dhe Meta dhe të dy mbetën në pushtet tërë kohën. Ndërkohë që nuk ishte pa miratimin e Berishës dhe largimi më 1 prill 2013 i Ilir Metës për të ardhur në pushtet më 23 qershor sërish Meta, bashkë dhe me Ramën që u bë dhe vijon të jetë dhe kryeministër. Në marrëveshjen e realizuar me edi Ramën, Meta nguli këmbë fort në një ministri, pikërisht në Ministrinë e Drejtësisë.

Meta bëhet numri dy i shtetit, Berisha kishte Presidentin numrin një të shtetit. Ndërkohë LSI e Metës ka drejtësinë, burgjet, hipotekat dhe gjithçka që ka lekë dhe të lë larg burgut, ku bashkë me Berishën kanë dhe prokurorinë dhe gjyqësorin. Dhe Berisha ka drejtësinë në dorë përmes Nishanit dhe emërimeve që ka bërë vetë. Pra vijon bashkëpunimi dhe aleanca mes Berishës dhe Metës dhe tani që njëri është në opozitë dhe tjetri është në pushtet.

Njëlloj si ish-presidenti rus Boris Jeltcin dhe Presidenti aktual Vladimir Putin. Jelcin e bëri Putin pasardhësin e tij vetëm pasi e garantoi se nuk do të prekej familja e tij por dhe pasuria e vënë ndër vite. Dhe Putin zgjedh Medvedev herë kryeministër e herë President, vetëm e vetëm se ka dhënë garanci se nuk prek familjen e Putin dhe pasuritë e tij. Këtë ma kujtoi një polititolog shqiptar dhe kështu vepron dhe Berisha me Metën. Ky i fundit si numri dy i shtetit luftoi deri në fund që të mos preket Berisha dhe familja e tij nga drejtësi, duke i kthyer reston e mbështetjes nga Berisha gjatë hetimit dhe gjykimit të videos të famshme prej 700 mijë euro të filmuar nga ish-ministri i LSI Dritan Prifti. Meta luftoi deri në fund që reforma në drejtësi të dështonte, Vetting-u të dështonte, që Berisha të mbetej jashtë dyerve të burgut, që familja Berisha të mos prekej, që pasuria e berishëve të mos prekej. Mbajnë njëri tjetrin deri në fund, që të shpëtojnë familjet dhe pasuritë e njëri tjetrit. Si Jeltcin dhe Putin në Rusi. Ky është premtimi dhe betimi që i kanë bërë njëri tjetrit Berisha dhe Meta dhe deri më tani “malësori skraparli” dhe “malësori tropojan” e kanë mbajtur fjalën./Pamfleti.com

PËRGJIGJU