Dëshmia: Si u dorëzua rryshfeti prej 30 mijë eurosh tek avokati Shkëlqim Miri

Dëshmia: Si u dorëzua rryshfeti prej 30 mijë eurosh tek avokati Shkëlqim Miri

Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se paratë e ryshfetit i paguar nga Gentian Doda për llogari të një vendimi të favorshëm në Apelin e Tiranës janë dorëzuar në Fushë-Krujë. Ka qenë Alban Buçi, ai që bashkë me vjehrrin e Dodës në 25 maj 2017 kanë takuar Kujtim Mirin, i dyshuar si sekser i gjyqtarit Shkëlqim Miri.

“ABC News” zbardh dëshminë e personit me iniciale N.A. i identifikuar si vjehrri i Gentian Dodës.

Në deklarimet e dhëna në 3 nëntor para prokurorëve të Krimeve, vjehrri i Dodës ka konfirmuar takimin, por nuk ka përmendur ndonjë dorëzim parash.

“Në Fushë Krujë kemi shkuar në një ndërtesë, ku kati i parë ishte lokal, ndërsa kati i dytë ishte ambient privat që përdorej për magazinë. Pasi kemi zbritur nga makina na ka pritur një person tjetër që nuk e njihja. Më pas jemi futur brenda në katin e dytë të ndërtesës. Pasi vajtëm në katin e dytë Albani me personin tjetër më thanë që të prisja jashtë. Unë dola. Pas disa minutash doli edhe personi tjetër”.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve ka administruar si provë pamjet filmike të kamerave të sigurisë së lokalit në fjalë.

Sipas pamjeve, në orën 21:34 aty mbërrin Alban Buçi dhe vjehrri i Dodës. Në hyrje të lokalit këta persona janë takuar me shtetasin Kujtim Miri, të cilit shtetasi Alban Buci i ka dhënë një zarf të bardhë. Sipas prokurorisë, dy personat kanë qëndruar në lokal deri në orën 21:42 dhe më pas janë larguar.

Në lidhje me dyshimet e një afere korruptive në Apelin e Tiranës, Krimet e Rënda po hetojnë në masën e sigurisë “arrest në burg” gjyqtarin Shkëlqim Miri dhe kushëririn e tij, Kujtim Miri.

Për të dyshuarit Gentian Doda dhe Alban Buçi ekziston një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë, ende e paekzekutuar.