Dokumentet sekrete të Wikileaks: (Emra) Parlamentin shqiptar të 2017 e synojnë të njëjtët kriminelë si në 2009, i është shtuar edhe grupi famëkeq i PDIU

Dokumentet sekrete të Wikileaks: Parlamentin shqiptar të 2017 e synojnë të njëjtët kriminelë si në 2009, i është shtuar edhe grupi famëkeq i PDIU
Dokumentet sekrete të Wikileaks: Parlamentin shqiptar të 2017 e synojnë të njëjtët kriminelë si në 2009, i është shtuar edhe grupi famëkeq i PDIU

 (Skandal) Sipas verifikimeve të bëra janë 822 file, apo dokumente sekrete. Sipas të përditëshmes gjermane Der Shpigel dokumentet sekrete për vendin tonë (file) nisin nga viti 1997 deri më 2010. Gazeta prestigjioze ka bërë klasifikimin të 452 fileve që lidhen me Shqipërinë, prej të cilave: 1 është klasifikuar Noforn, tejet sekret edhe për aleatët; 8 janë sekret; 2 janë Cofidential Noforn; 147 konfidenciale; 169 janë për përdorim të brendshëm dhe 125 Unclassififeld.

Ende nuk janë bërë të ditura se çfarë përmbajnë këto materiale por thuhet se pjesën më të madhe të tyre do e zënë marrëdhëniet kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërkohë dosje sekrete ka materiale edhe për Kosovën e cila ka 1320 dokumente sekrete, Greqia 1758 dokumente sekrete, Maqedonia 783, ndërsa Turqia mban rekord në rajon dhe listohet e dyta në botë për sasinë e dokumenteve sekrete pas Irakut me 11086 të tilla.

Siç del nga klasifikimi i vendeve të përfshira në “Hiroshimën” Wikileaks, Iraku mban vendin e parë me 15365 dosje sekrete.

Raporti i ish-ambasadorit amerikan Withers

Një raport tronditës zbulohet, i cili flet hapur për lidhjet e krimit me politikën shqiptare. Në një kabllogram sekret që ish-ambasadori amerikan Withers ka dërguar në Departamentin e Shtetit në gusht 2009, një vit para se të përfundonte mandatin, raporton për të gjitha lidhjet e disa deputetëve me krimin e organizuar. Ai shkruan për lidhjet e deputetit të PS-së, Tom Doshi, deputetit të LSI-së, Lefter Koka, ministrit Sokol Olldashi, deputetit të PS-së, Paulin Skertaj, si dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Me një gjuhë aspak diplomatike, ish-ambasadori tregon atë që ai ka mundur të sigurojë duke pranuar se e ka të pamundur që të tregojë prova që ligjërojnë këto lidhje me krimin.

Sipas ish-ambasadorit, deputeti i PS-së, Tom Doshi, njihet si deputeti më i pasur, që ka deklaruar një pasuri prej më shumë se 15 milionë dollarësh dhe është gjithashtu i dyshuar për trafikim narkotikesh.

Ndërsa për Lefter Kokën ai shkruan se “përfaqëson LSI-në në Durrës dhe ndoshta është anëtari i familjes më famëkeqe të krimit të organizuar në Shqipëri, e lidhur me trafikimin e narkotikeve dhe trafikut njerëzor, si dhe aktivitete të tjera të paligjshme”.

Për ministrin Olldashi ai shkruan se “ministri aktual i Punëve Publike e Transportit dhe deputet i PD-së në Fier, dyshohet për kontrabandë mallrash dhe narkotikësh. Prova rrethanore lidhin Olldashin me Fatmir Kajollin në Fier, për të cilin ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, përdori një skemë për ta liruar nga burgu për të vepruar si komisioner”.

Ndërsa për deputetin Paulin Skerkaj ai thotë se është “një ish-mundës profesionist, me pak arsim, ose me asnjë edukim. Sterkaj ishte në Partinë Socialiste dhe është akuzuar nga një ish-miku i tij për vrasjen e një politikani në Shkodër vite më parë. Sterkaj pretendon se ka biznese me karburantet, restorante dhe ndërtim, por pak dihet për aktivitetet e tij”.

Ambasadori e mbyll raportin me Gramoz Ruçin, duke thënë se ai “ka një lidhje të hershme me trafikantët e lëndëve narkotike dhe krimin e organizuar. Ruçit i është ndaluar gjithashtu edhe hyrja në SHBA. Që nga viti 2005 nuk ka të drejtë të marrë vizë”.

Kabllogrami i plotë

Kriminelët që bëjnë ligjin në Parlamentin shqiptar

Pavarësisht qeverisë relative në ditën e zgjedhjeve, vëmendja jonë ka qenë edhe për “rrymën nënujore” të njerëzve të lidhur me krimin e organizuar, që marrin pjesë, ndoshta, edhe në manipulimin e zgjedhjeve. Të tria partitë kryesore, Partia Demokratike (PD), Partia Socialiste (PS) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), kanë deputetë të lidhur me krimin e organizuar. Ndërkohë që nuk mund t’i ligjërojmë apo t’i provojmë këto lidhje, me urtësi konvencionale, mbështetur edhe nga raportime të tjera, Parlamenti i ri ka disa prej trafikantëve të drogës dhe pastruesit e parave. Gjatë fushatës, një politikan, Aleks Keka, kreu lokal i PDK-së në Veri në Shqipërisë, u vra nga një bombë në makinë. Keka dyshohej i përfshirë në trafikun e armëve dhe narkotikeve. (Keka nuk kandidonte për deputet).

Thyerësit e ligjit që u bënë ligjbërës.

Disa prej deputetëve me të rëndësishëm që kanë lidhje me krimin e organizuar:

Tom Doshi: Është deputet në Shkodër dhe është veçuar nga raporti i të Drejtave të Njeriut për një sulm fizik ndaj një gazetari në Hotel Sheraton. Ai ishte një figurë kyçe në financimin e fushatës së PS. Ai njihet si deputeti më i pasur, që ka deklaruar një pasuri prej më shumë se 15 milionë dollarësh dhe është gjithashtu i dyshuar për trafikim narkotikesh. Doshi ka shërbyer edhe në Parlamentin e mëparshëm si deputet me PD, përpara se të kalonte me PS-në në këto zgjedhje.

Lefter Koka: Përfaqëson LSI-në në Durrës dhe ndoshta është anëtari i familjes më famëkeqe të krimit të organizuar në Shqipëri, e lidhur me trafikimin e narkotikeve dhe trafikut njerëzor si dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Sokol Olldashi: Ministri aktual i Punëve Publike dhe Transportit, dhe deputet i PD-së në Fier, dyshohet për kontrabandë mallrash dhe narkotikesh. Prova rrethanore e lidhin Olldashin me Fatmir Kajollin në Fier, për të cilin ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, përdori një skemë për ta liruar nga burgu për të vepruar si komisioner.

Lulzim Basha: Sipas një burimi nga Partia Socialiste, Basha, që kandidonte si deputet në Elbasan, ishte i përfshirë për të liruar një kriminel të njohur në Elbasan në mënyrë që familja e tij të ndihmonte në fushatë. Të afërmit e personit premtuan të organizojnë një takim me njerëz në Elbasan në mbështetje të Bashës. Personi u lirua më 29 qershor, një ditë pas zgjedhjeve.

Paulin Sterkaj: 48 vjeç, nga Shkodra. Aktualisht deputet i PD-së në Shkodër dhe një ish-mundës profesionist, me pak arsim, ose me asnjë edukim. Sterkaj ishte në Partinë Socialiste dhe është akuzuar nga një ish-miku i tij për vrasjen e një politikani në Shkodër vite më parë. Sterkaj pretendon se ka biznese me karburantet, restorante dhe ndërtim, por pak dihet për aktivitetet e tij.

Gramoz Ruçi: Deputet dhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Ruçi ka një lidhje të hershme me trafikantët e lëndëve narkotike dhe krimin e organizuar. Ruçit i është ndaluar gjithashtu edhe hyrja në SHBA. Që nga viti 2005 nuk ka të drejtë të marrë vizë.

Koment: Nuk dihet se çfarë do të ketë raporti i ODIHR-it pasi të dalë, por është e dukshme dhe e pranuar gjerësisht për dyshimet që deputetë paraqiten si “biznesmenë”, por që në fakt janë të dyshuarit më të fuqishëm për lidhjet me krimin e organizuar. Këta individë janë tani deputetë, kanë imunitet në bazë të ligjit dhe janë përgjegjës për bërjen e ligjeve që do të ta çojnë Shqipërinë drejt integrimit të mëtejshëm euroatlantik. Sjella e sëmurë, ndoshta penale, e shumë deputetëve shqiptarë, është shqetësuese dhe aspak shenjë demokratike për zhvillimin e vendit. Kjo është një pamje që shihet gjerësisht në të gjithë Shqipërinë, dhe të gjitha palët kanë deputetët e tyre të lidhur me krimin e organizuar dhe pranojnë para nga krimi i organizuar. Ky është një fenomen shqetësues për bashkësinë ndërkombëtare dhe do të duhet të trajtohet në të ardhmen. Një vend i ndritshëm, por megjithatë, ka deputetë që pranojnë se Shqipëria nuk duhet të njihet si e tillë. Se sa kohë do të duhet t’i heqësh këta rrufjanë nga pushteti, është një pyetje më vete. Në fund të fundit, paraja për politikën është si gjaku për trupin, në një vend të varfër, pa transparencë në financimin e fushatave apo me traditën e financimit të kandidatëve të preferuar, kriminelët janë një burim i lehtë për të hyrë në fondet e fushatave.

Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, Tiranë, gusht 2009

PËRGJIGJU