Dossier/ 13 Gusht 1992, kryetari i PD-së sulmon qeverinë e tij, dita kur u varros demokracia në partinë e demokratëve

Përjashtimi i mocionistëve në gusht të vitit 1992, është një ndër ngjarjet më të errëta në historinë e PD-së.  E tillë konsiderohet sot nga  shumë prej themeluesve të PD-së. Ajo shenohet si dita kur u varros demokracia Brenda Partisë Demokratike.

Të ndarë në dy pjesë, themeluesit e Partisë Demokratike,  zhvilluan një debat të ashpër, i cili nis heret qysh në nëntorin e një viti më parë, kur themeulesit kishin qëndrime të dnryshme për largimine PD-së nga qeveria e stabilitetit.

Pavarësisht rrugës që ndoqi kjo ndarje, finalja është dramatike për historinë e një partie, që kishte misionin e ndryshimit të historisë së Shqipërisë komuniste. Probemi ishte qysh në momentin fillestar. Stili nuk kishte ndryshuar me të shkuarën, luftë e ashpër për pushtet nëpërmjet shtypjes së kundërshtarit. Kjo është gjithçka ofron debati në mbledhjen e 13 gushtit. Një skenë, që duket se e çbën në moment atë, që të gjithë bashkë kishin realizuar më pak se dy vite më parë, thua se nuk kishte ekzistuar kurrë dhjetori 1990.

Por lufta për pushtet kishte shkuar shumë larg. Aq larg, sa të mos mund të shmangej ndarja dhunshëm e themeluesve të Partisë Demokratike në dy pjesë, deri në përjashtimin e disave prej tyre.

Me një stil të trashëguar nga e kaluara komuniste, si në gjyqet famëkeqe të sigurimit të shtetit ndaj grupeve armiqësore, një sallë e mbushur plot, vërsulej pa mëshirë ndaj një grupi njerëzish, që megjithë mëkatet e tyre, harruan faktin se ishin themeluesit e PD-së.

Kanë kaluar vite prej atij momenti dhe ndoshta duhet ende kohë për të bërë një analizë të qartë e të drejtë. Shumë prej tyre janë ende në politikë, madje aktivë. Shumë prej mocionistëve janë rikthyer në PD dhe sot thonë se më shumë se çdo gjë tjetër, ajo që ndodhi ishte pikërisht rezultat i mungesës së përvojës politike tek të gjithë: kompromisi i munguar.

Por mungesa e përvojës politike nuk mjafton. E kishin një përvojë, e cila kurresesi nuk duhej përsëritur. Ishte përvoja më e hidhur për shqiptarët në 47 vitet e fundit të historisë së tyre, pikërisht udhëheqja totalitare e komunistëve. Duke e marrë të mirëqenë këtë argument, nëse ata nuk do të kishin aplikuar përvojën e vetme politike që kishin, atë të komunizimit, historia do të shkruhej ndryshe.

Më poshte botohet fjalimi i Eduard Selamit në atë kohë kryetar i PD-së, Uran Kostreci drejtues i PD-së Elbasan si dhe fjalimi i Pjetër Arbnorit, kryetari i Kuvndit të Shqipërisë njëherësh kryetar i PD-së Shkodër.

Fjala e kryetarit të të PD-së, Eduard Selami

Të rrisim ndjenjën e përkushtimit dhe të përgjegjësisë ndaj demokracisë në të gjitha nivelet

Të nderuar delegatë, të nderuar pjesëmarrës, ju uroj mirëseardhjen në konferencën e jashtëzakonshme të PD-së dhe i uroj kësaj konference punë të mbarë. Pikësëpari do të doja t’ju uroja që të gjithëve ju dhe aktivistëve të PD-së për të dy fitoret historike që i dhamë Shqipërisë, brenda 4 muajve, të cilat janë fitoret më të mëdha të demokracisë në Shqipëri për gjatë këtij shekulli. Ato janë në të njëjtën kohë fitoret më të mëdha, që ka arritur çdo parti në vendet e Europës Lindore. Kjo shkallë e lartë votbesimi që na është dhënë në momentet më të vështira e më të rëndësishme të kthesës sonë kombëtare, kërkon prej nesh si PD, rritjen e përkushtimit dhe të përgjegjësisë, nevojën e një analize konkrete e të studiuar të veprimtarisë tonë në të gjitha nivelet.

Në të vërtetë, kjo analizë ka filluar që në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar dhe duhet thënë, se ka filluar mbarë. Pa dashur të analizoj me hollësi fushatën e fundit elektorale, do të doja të theksoja disa mendime lidhur me rënien e përqindjes në zgjedhjet e 26 korrikut në krahasim me ato të 22 marsit.

Së pari, kjo lidhet me punën e vetë PD-së gjatë kësaj periudhe dhe me organizimin e fushatës elektorale. Kjo nuk u bë në shkallën e duhur. Po kështu, edhe përzgjedhja e kandidatëve. Megjithëse procedura e vendosur nga këshilli kombëtar ishte e drejtë dhe kërkonte një shkallë të lartë të organizimit të seksioneve. Por në këtë, mendoj se ndikuan edhe mosaktivizimi i dy nënkryetarëve të PD-së, Azem Hajdari e Arben Imami. Në të njëjtën kohë, mendoj se e dëmtuan mjaft punën e PD-së deklaratat pas shpine që iu bënë nga brenda, të cilat shkonin në favor të PS-së. Shembulli më tipik është deklarata e Pashkos në parlament. Nga kjo fushatë, një gjë doli qartë: PD-ja ka nevojë për riorganizim dhe strukturim të mëtejshëm, duke larguar elementë karrieristë e pseudodemokratë dhe duke afruar elementë të aftë, të ndershëm e të përkushtuar. Raundi i dytë tregoi, që PD-ja i ka forcat në vetvete, por duhet që këto forca t’i organizojë e t’i drejtojë.

Arsye tjetër, mendoj se është puna e PD-së në dy nivelet, parlamentare e qeveritare. Duke mos u ndalur në anët pozitive të asaj që është bërë, të cilat nuk i mohon askush, dua të them, se deputetët e PD-së duhet të punonin më mirë me elektoratin e tyre, si përmes formave të ndryshme të kontaktit, ashtu edhe të veprimtarisë së tyre në parlament. Fatkeqësisht, disa prej tyre, bile edhe me pozita në PD, kanë spekulluar duke e vendosur grupin tonë parlamentar në pozitë të vështirë, qoftë me kundërvënie ndaj grupit në momente delikate, duke krijuar konfuzion dhe situata të disfavorshme për ne.

Qeveria duhet të punonte më mirë gjatë kesaj periudhe, sidomos në funksion të fushatës. Duke mos zgjidhur disa probleme, sidomos të furnizimit në pikat e nxehta, kjo solli shqetësime. Disa herë janë marrë veprime pa marrë parasysh pasojat politike, si p.sh. rritja e çmimit të bukës në ditët e fushatës. Por mendoj, se të gjitha këto instanca, parlament-parti-qeveri, kanë marrë mësimet e duhura.

Por le të kthehemi të rendi i ditës, qëllimi e misioni i kësaj konference. Mendimi i këshillit kombëtar për mocionin është i qartë dhe i prerë. Përpara kësaj dua t’i heq merakun disave, që e kanë quajtur të paligjshme këtë konferencë. Unë jam i bindur se konferenca do t’i japë fund disa spekullimeve dhe spekullatorëve brenda nesh. Konferenca është shumë e rregullt dhe e ligjshme dhe i ka të gjitha kopetencat për të bërë atë që i duhet sot PD-së. Bashkohem me diskutantët e këshillit kombëtar të PD-së, se mocioni në përmbajtje është platforma e PS-së, të cilën e pamë dhe e dëgjuam boll gjatë fushatës nga PS-ja e “ZP”. Kjo platformë u bashkërendua shumë bukur në këtë betejë të fundit kundër komunizmit.

Që në fillim të kësaj fushate, PS-ja u kap prej deklaratave e veprimeve të liderëve të PD-së, deri tani së fundi. Gjykuar nga njerëzit që e kanë firmosur dhe mbështetur, si në këshillin kombëtar ashtu edhe në shtyp, veçanërisht te “Koha Jonë”, ky mocion mendoj se është bërë e përkrahur nga ata, të cilët nuk arritën të marrin postin dhe karrierën për të cilën i hynë demokracisë. Gjykuar nga fakti se synohej të bëhej analiza e fushatës së zgjedhjeve pikërisht nga ata, që s’pranuan të merrnin pjesë në këtë fushatë, unë mendoj se është e pamoralshme. Po qe se u dhimbsej demokracia, bënim një herë zgjedhjet, pastaj sqaronim rezervat që kishim për njëri-tjetrin. Unë mendoj se me këtë rast del në pah problemi, se demokracia një pjese të komisionit tonë drejtues i ka dhënë më shumë se ç’meritojnë dhe këta, duke mos qenë realistë e modestë e identifikojnë veten me lëvizjen demokratike. Bile, arritën deri atje sa t’u thonë anëtarëve të PD-së, se pa ata s’do të ishit ata që jeni. Delirë të tillë duhet ti heqë nga koka kushdo. Mendoj se po spekullohet edhe në emër të diversitetit të mendimeve. Diversiteti i mendimeve ka ekzistuar dhe do të ekzistojë brenda PD-së, por në rastin konkret kjo s’ka të bëjë me të. Nuk është diversitet mendimi të mos marrësh pjesë në fushatë elektorale, por është veprimtari e hapur në dëm të partisë të cilës i përket, mosjustifikimi i pozitës përkatëse që ti mbron në parti.

Uran Kostreci: Është një konferencë, për të cilën jo vetëm ne që jemi këtu, por edhe pasardhësit tanë do të na e kenë zili për mënyrën se si do të zhvillohet. Do të jetë historike, sepse sot demokratët shqiptarë do të mund të ndajnë shapin nga sheqeri. Demokratët shqiptarë do të mund të distancohen nga ata që kanë hyrë këtu jo për demokraci, por për pushtetin e tyre. Siç e dini unë jam një ish-i burgosur politik dhe bashkë me të tjerë u rradhitëm në zhvillimet demokratike, pa asnjë xhelozi ndaj askujt, pa marrë parasysh se p.sh. Gramoz Pashko ishte i biri i Josifit. Jo. Ne e konsiederuam si bashkëudhëtar. Por koha tregoi se ai vajti në fis, e tërhoqi forca e gravitetit drejt atit të tij. Çfarë i bëmë ne Gramoz Pashkos? E bëmë deputet, e bëmë zëvendëskryeministër. Demokracia i ka rrënjët në popull, e ka shpirtin në popull dhe ne jemi demokratë dhe pa paragjykime, pa marrë parasysh se cili nga ne vjen si bir komunisti. Jo. Ne e brohoritëm Gramoz Pashkon, edhe pse ishte bir komunisti, por mjafton të jetë demokrat. Po kur nuk janë demkratë s’kemi ç’bëjmë…

Pjetër Arbnori: Ka kohë, që ka nisur një sulm i kombinuar i komunistëve dhe neokomunistëve kundër të burgosurve politikë të angazhuar në strukturat e Partisë Demokratike. Tani për tani, sulmojnë me emër Leka Toton dhe Tomorr Dostin. Këta qënkan mëkatarët e krahut ekstremist, të luftës së klasave në udhëheqjen e PD-së. Duhet sqaruar diçka, PD-ja nuk është parti e ish-të burgosurve politikë. Nuk është parti e ekstremit të djathtë. Në PD militojnë me mijëra ish-të burgosur politikë, por ajo është shumë më e gjërë se kaq, përfshin intelektualë, studentë, punëtorë e fshatarë antikomunistë, që pa qenë në burgje kanë ndjerë shtypjen e komunizimit dhe po e gjejnë veten në demokraci.

Një nga gjetjet më të rëndësishme është mbështetja e PD-së te Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë. PD-ja nuk tërheq për hunde shoqatën dhe as anasjelltas, ato kanë nevojë për njëra-tjetrën dhe mbështeten te njëra-tjetra. Duhet sqaruar një gjë. Një ish-i burgosur politik real, është njeri i ndershëm, i disiplinuar, është ai që ka pasë privacionet më të mëdha dhe ka pretendimet më të vogla. Ata janë faktor stabiliteti në Shqipëri. Mos harrona se qindra të burgosur politikë, si Leka Toto e Tomorr Dosti shohin përditë rrugës persekutorët e tyre, hetues, prokurorë, gjykatës, punonjës të Sigurimit të Shteti dhe të tjerë hafije, që iu kanë nxirrë jetën dhe kthejnë kokën me neveri në anën tjetër, por kurrë nuk ju shkon mendja për hakmarrje personale. Të jeni të bindur se një i burgosur politik as fal, as harron, por ka një çështje më të rëndësishme se hakmarrja: ajo është çështja e demokracisë në Shqipëri. i burgosuri politik nuk ka pse merret me ata që i persekutuan, me ata le të merret drejtësia.

Qysh me 3 janar 1991, në mitingun themelues të PD-së në Shkodër, unë kam deklaruar qartë: Ne jemi një popull i vogël prej tre milionësh, mjaft janë veshur nëna me të zeza nga komunizmi, nuk ka pse të vazhdohet më kështu, të tjera nëna të vishen me të zeza. Ku ju ka mbet’ hatri persekutorëve, që thërrasin e bërtasin nga brenda dhe jashtë PD-së? A mos pretendojnë t’i përkëdhelim e t’i puthim?! Ata duhet të ecin kokëulur për krimet që kanë bërë dhe të mos marrin zemër nga butësia e sistemit demokratik. Ne jemi dhe do të jemi parti e qendrës së djathtë.

Sa për autorët e mocionit do të thoja vetëm këtë: ne patëm fat që u treguam të durueshëm. Kjo i plasi ata. U shfaqën me radhë njëri pas tjetrit sipas shkallës së durimit dhe duke qenë veç e veç e vranë veten. Ata patën edhe një fatkeqësi tjetër, shtypi i komunistëve i ndihmoi më tepër se sa duhet, duke i demaskuar ata, sepse ishin vegël e tyre përçarëse e PD-së. Nuk ka nevojë të përjashtohen, ata u vetpërjashtuan. Nga e gjithë kjo del një gjë: individi jashtë Partisë Demokratike nuk është asgjë. Le të provojnë këta heronj a i mbledhin dot 100 mijë njerëz në shesh dhe që bërtasin “liri, demokraci”. Ata jashtë PD-së nuk mbledhin dot as dhjetëmijë, as një mijë. Ata do të jenë disa qindra dhe të një partie tjetër. Te ajo parti le të futen ata, pra mocionistët./ Pergatiti Luljeta Progni /Tema