Drejtësia në gjunjë: “Ngërç” në Gjykatën e Lartë, emrat e rinj në dorë të kumbarit të krimit

Drejtësia në gjunjë:
Drejtësia në gjunjë: "Ngërç" në Gjykatën e Lartë, emrat e rinj në dorë të kumbarit të krimit

Gjykata e Lartë për disa muaj do të jetë në vështirësi për shkak të numrit të ulët të gjyqtarëve që i kanë mbetur. Pak kohë më parë, gjykata vendosi deklarimin e përfundimit të mandatit të gjyqtarëve, siç janë konkretisht Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani dhe Andi Çeliku. Ligji parashikon që gjyqtarët kanë të drejtë të qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre. Por pavarësisht këtij përcaktimi, 4 nga 5 gjyqtarët në fjalë, dje kanë dorëzuar përfundimisht mandatin e tyre duke u larguar nga kjo gjykatë. “Kryetari i Gjykatës së Lartë, me shkresën nr. 2859 datë 30.06.2017, ka njoftuar Presidentin e Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për vendimmarrjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë lidhur me mbarimin e mandatit të këtyre gjyqtarëve, duke theksuar se, sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, dhe konkretisht pikës 5 të nenit 136 të Kushtetutës, gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit. Gjyqtari Guxim Zenelaj me datë 28.07.2017 dhe gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako dhe Arjana Fullani me datë 31.07.2017, në mënyrë individuale, kanë paraqitur një shkresë drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë, me të cilën e njoftojnë për dorëzimin e detyrës si anëtarë të Gjykatës së Lartë, për shkak të mbarimit të mandatit si anëtarë të kësaj Gjykate”, njoftoi Gjykata e Lartë përmes një deklarate për mediat. Sipas saj, në dijeni është vënë dhe Presidenti i Republikës. Por interesant është fakti se mandatet u dorëzuan para se të fillojë vetingu.

Ngërçi në drejtësi

Gjykata e Lartë por dhe një sërë gjykatash të tjera, nuk po bëjnë dot emërimet e gjyqtarëve të rinj. Shkak është bërë reforma në drejtësi, pasi akoma nuk po ngrihen dy organet e saj, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i lartë i Prokurorisë. Këto dy organe kanë si detyrë kryesore pikërisht emërimet në gjykatë dhe prokurori. Përmes ligjeve që prej muajit prill, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka humbur të drejtën për të bërë emërime. Nga ana tjetër, është pezulluar edhe emërimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nga Parlamenti. Deri në ngritjen e organeve të reja nuk mund të bëhet asnjë emërim. KLGJ u tentua disa herë të ngrihej, por ka hasur në shumë pengesa. Kuvendi dhe Avokati i Popullit rihapën disa herë garën, ndërkohë që nuk janë emëruar ende anëtarët e KLGJ dhe KLP.

Emrat në dorë të Metës

Detyra e parë e rëndësishme që do të ketë Ilir Meta si President, do jetë përcaktimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Kushtetuta i jep atij të drejtë që t’i emërojë, por me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në nenin 136 Kushtetutës përcakton që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. “Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit. Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet në Kushtetutë. Sipas përcaktimeve të mëtejshme, gjyqtari i Gjykatës së Lartë zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve me të paktën 13 vjet përvojë në ushtrimin e profesionit. Një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet mes juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojësi avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, juristë të nivelit të lartë në administratën publike ose në fusha të tjera të së drejtës. Kandidatët që përzgjidhen nga radhët e juristëve duhet të kenë gradë shkencore në drejtësi./sot

PËRGJIGJU