Dritan Goxhaj*: Bajraktarë apo Tradhëtarë?

Dritan Goxhaj*: Bajraktarë apo Tradhëtarë?
Dritan Goxhaj*: Bajraktarë apo Tradhëtarë?

Në kohën e Rilindjes (jo kësaj të Ramës), mbisundonte bindja se aftësia e njeriut konsiston në superioritetin e arsyes mbi ekzistencën dhe materialen. Ndërsa sot në Kosovë duke parë veprimet e udhëheqësve të PAN-it të dalë nga lufta po manifestohet e kundërta, pra një superioritet i ekzistencës dhe i materiales mbi arsyen. Kjo vjen si rezultat se këta persona përsa kohë kanë qënë në poste drejtuese që nga momenti i përfundimit të luftës në Kosovë e kanë plaçkitur atë, vetëm për tendencën e vazhdueshme për të ndërtuar mirëqënien e tyre dhe një pozitë gjoja elitare me anë të materiales së plaçkitur. Këtë e kanë bërë duke reduktuar pjesën tjetër të popullatës që duhej të qeverisnin në nivel të ekzistencës. Për këta, të vetë shpallur liderë të Kosovës dhe të proçeseve të saj gjatë dhe pas luftës, e rëndësishme ka qënë gjithnji aparenca, dukja, paraqitja, por kjo asnjiherë në interes të emancipimit të tyre shoqëror, por vetëm të përvetësimit personal. Por ajo që ka përfituar më së tepërmi prej veprimeve primitive të këtyre tribalëve është Sërbia.

Kjo e fundit që në vitet 80 ka shpallur një lloj memorandumi mbi pozitën e sërbëve në federatën jugosllave. Me anë të këtij memorandumi ajo kërkonte të ndryshonte raportet nacionale në favor të saj dhe në disfavor të shqiptarëve. Ai memorandum vazhdon të jetë akoma në fuqi dhe qeveria, ose kualicioni i Pan-it i ndihmoi më së shumti tashti që ky memorandum të arrinte kulmin dhe jetësimin e tij edhe në kohën që Serbia fizikisht nuk e qeveris më Kosovën. Me një cinizëm të pa parë këta ish pjesëtarë të luftës mohuan çdo sakrificë të bërë për dhe në emër të shqiptarisë për Kosovën dhe treguan se për 10 vjet që nga shpallja e Kosovës Republikë e “pamvarur”, kanë punuar për të realizuar qëllime të cilat nuk kanë pasur të bëjnë aspak me Kosovën. Dhe këtë e kanë bërë duke vulgarizuar në ekstrem politikën vetëm për interes të tyre personal. Pamvarësisht se sipas Makiavelit sistemi moral dhe politik qëndrojnë njëri pranë tjetrit, udhëheqësit e PAN-it + Pacolli vërtetuan se këto dy sisteme pamvarësisht se mund të shkojn paralelisht, ka raste kur nuk kanë të bëjnë fare me njëri tjetrin. Po të mos ishte çështja më e ndjeshme, do të mund të bënim një koment të veçantë, ndoshta tragjikomik, por në esencë i vërtetë; këta “udhëheqës” nuk qenë të aftë as t’a zgjidhnin problemin dhe as të merrnin parasysh vullnetin e shqiptarëve në Kosovë dhe të sakrificiva të tyre.

Duke parë çka ndodhi e si u formua qeveria prej tyre e kupton se këta njerëz ja kanë mësyer politikës jo si njohës të saj. Por për shkak se u duket më lehtë ta provojnë “patriotizmin” e tyre, dhe si duket se është në natyrën e tyre të ngazëllehen me mendimet e veta edhe atëherë kur ato i shërbejnë vetëm atyre dhe forcimit të pozitave të Sërbisë e jo edhe të shqiptarëve, ose ndoshta edhe për shkak se politika u duket një fushë aq e gjerë e veprimtarisë shoqërore sa që për ta është e pamundshme të mos gjejnë bashkëmendimtarë për një mendim apo ide të vetën komplet antishqiptare.

Këta “udhëheqës” për shkak se kanë ardhur nga lufta, e ndonjëri prej tyre ka sakrifikuar për të, më shumë edhe seç mund të merret me mend nga një mendje e ftohtë. Do të duhej ta dinin më mirë se të tjerët, se e vjetra nuk mund të kthehet. Serbia nuk mund dhe nuk duhet të jetë faktor vendimtar në Kosovë. Justfikimi i tyre se e bënë këtë hap për Kosovën, tregon se ata vazhdojnë me mentalitetin e Jugosllavisë. Jugosllavia, si shtet multinacional, ngrihej mbi principin e proklamuar të barazisë së kombeve, andaj nuk mund të bëhej fjalë për realizimin e intersave të kombit, meqë automatikisht do të shtrohej pyetja se për interesat e cilit komb ishte fjala. Edhe këta tashmë sa herë që bëjnë një veprim antikombëtar e justifikojnë atë në emër të Kosovës si dikur justifikoheshin veprimet antishqiptare në emër të Jugosllavisë.

Këta theksojnë gjithnji realizimin e interesave të shtetit e jo të kombit. Sipas llogjikës së tyre e cila është kryekëput një teori politike jugosllave ku ajo e barazonte klasën me kombin, andaj shteti duhet të funksionojë mbi raportin e këtyre dy përbërësve, shteti ideologjikisht për këta “filozofë politikë” funksionon si instrument i klasës. Klasë kjo që përfaqësohet vetëm nga këta dhe të ngjashmit e tyre nëpër pozita partiake dhe shtëtore të kualicioneve të tyre. Ramushi, Kadri Veseli, Fatmiri e Pacolli as që e kanë idenë e kësaj ideje politike jugosllave sepse as që kanë lexuar ndonjëherë mbi këtë. Por e kanë përqafuar këtë lloj qasje sepse kjo u përgjigjet ambicjeve lideriste të tyre në të gjitha nivelet apo mentalitetit të thjeshtësuar bajraktarist, i cili ndër ta, dhe fatkeqësisht edhe ndër shoqërinë shqiptare në Kosovë, akoma sundon.

Këta bajraktarë nën preteksin se po shkojmë drejt integrimit Evropian, pra së shpejti, që me veprimet e tyre përkthehet në vite dritë, do të jemi pjesë e Evropës së bashkuar. Por ata as që e kanë idenë se Evropa e ka shfrytëzuar shtetin në shërbim të kombit dhe asnjiherë të kundërtën. Si po duket këta bajraktarë kanë zgjedhur që rruga për në Evropë e Kosovës të kalojë nëpërmjet Beogradit. Duke na dërguar kështu disa dekada pas kur shtrohej pyetja: Me Shqipërinë apo me Jugosllavinë? Tashmë kjo është thjeshtësuar në formë por ka mbetur e njëjta në përmbajtje: Me Evropën por nëpërmjet Sërbisë. Këta lloj bajraktarësh e pandehin Kosovën oborr eksperimentimi dhe sprovimi, dikur të teorive gjithëjugosllave dhe tashti të teorive serbe.

Duke u mbështetur në teorinë e vëllazërim – bashkimit e kanë instrumentalizuar veten në interes të politikave të huaja; me ata që e pandehin Kosovën si parcelë ekzotike të përzjerjes së kulturave dhe të qytetërimeve. Me veprimin e tyre, konstituimin e qeverisë me pakicën serbe e cila tashmë është vendimarrëse dhe përcaktuese për vazhdimësinë e kësaj qeverie. Pra thënë shkurt sërbët janë vitalë për ekzistencën e feudit të bajraktarëve të sipërpërmendur, ja kanë anulluar pamvarësinë Kosovës, por vetëm se nuk e kanë shpallur akoma. Veprimet e tyre janë në vazhdën e një bajraktarizmi të pa korigjueshëm, mjafton të shohësh sesi e kanë administruar proçesin e dhënies së çertifikatave të veteranit të luftës. Ku sëfundi i dhanë një të tillë pas Fatos Klosit me lukuni edhe nën kryetarit të LSI në Shqipëri, Luan Ramës. Kjo tregon qelbësirëllëkun moral që ka pushtuar bajraktarët andej dhe këtej kufirit. Shumëkush në Kosovë por jo vetëm i ka cilësuar veprimet e bajraktarëve të PAN-it së bashku me Pacollin si veprime të tradhëtarëve, duke i cilësuar si të tillë edhe ata vetë.

Unë do ta kundërshtoja këtë teori duke ju a ilustruar me një shembull historik; Kim Filbi (Kim Philby) ish agjenti i shërbimeve sekrete britanike që u arratis në Bashkimin Sovjetik pasi kishte spiunuar për ta për nja 25 vjet karrierë, kur u pyet nga një gazetare e BBC se përse tradhëtoi Britaninë, u përgjigj: të tradhëtosh më parë duhet që ti përkasësh. E njëjtë është edhe me këta bajraktarë të PAN-it + Pacollin. Ata nuk kanë tradhëtuar, sepse nuk i kanë përkitur asnjëherë kombit shqiptar. Unë nuk di të them a i kanë përkitur kombit serb. Por jam i sigurt se shqiptarëve nuk ju kanë përkitur kurrë, por as edhe kombit të ri që po kërkojnë të formojnë, atij kosovar. Sepse kjo marëveshje me pakicat serbe është në dëm edhe të shtetit të Kosovës. Prandaj mos i quani tradhëtarë vetëm sepse flasin një shqipe të çalë. Edhe Oliver Ivanoviçi flet shqip, madje edhe më mirë se ta. Por ai nuk është shqiptar. Mos i quani tradhëtar sepse duke i quajtur të tillë jo vetëm ofendoni kombin por edhe inteligjencën tuaj dhe tonën së bashku. Ata janë thjesht disa qyqarë të cilëve fati jua solli të kapardisen në maskarallëkun e tyre.

Thuhet që atdheu fillon te familja. Por kur njeriu shet edhe gjakun e vëllait të vrarë për një karrige atëherë ai atdheun as nuk e ka si nocion. Ju lutem mos u bini në qafë. Mos u jepni atribute të cilat nuk i kanë. Tradhëtari ka një ideal dhe nji atdhe. Këta nuk kanë as ideal e as atdhe./Ekskluzive për Pamfleti.com

 Shkruan: *Dritan Goxhaj, një  prej komandantëve  më  në  zë  të  Luftës  së  Lavdishme të UÇK-së

PËRGJIGJU