Editorial/ Tepsia, institucioni i vetëm i kësaj kaste që nuk ka ndryshim

Editorial/ Tepsia, institucioni i vetëm i kësaj kaste që nuk ka ndryshim

Tek intervista me Lutfi Dervishin, kryeministri vetëm sa shfryu tollumbacen elektorale të tepsisë. E cila do të shkarkojë të gjithë gazin për pak javë.

Edi Rama, nëse do të donte të çonte vërtetë tepsinë për skrap, do të duhej që të dilte hapur kur Ilir Meta dhe Sali Berisha i bënë kurthin e madh të çadrës, ta denonconte si të tillë; të paraqitej para popullit e ti fliste hapur.

Dhe kështu të shkonte në zgjedhje. Sipas të gjitha gjasave do të merrte më shumë se 74 deputetë, ndoshta edhe nja 10 që ja mori LSI me marrëveshjen e fshehtë që konsakroi kreun e LSI-së në krye të shtetit.

Por Rama bëri dy marrëveshje: një të fshehtë me Ilir Metën, i cili i futi “peng” edhe 4 deputetë të grupin parlamentar të PS-së, por edhe u zgjodh President i Republikës me 88 vota dhe me një garanci që për katër vjet atë s’e prek njeri.

Pas 7 ditësh nga marrëveshja e fshehtë me Metën, Edi Rama bëri të famshmin pakt të 17 majit me Lulzim Bashën, që brenda ka një pjesë të madhe allishverishi me Sali Berishën.

Pasi ky i fundit është babai politik dhe protektori i Lulzim Bashës. Këtë jo vetëm e dinë të gjithë, por këtë e tregon çdo ditë Basha me veprimet politike.

Pakti me Bashën i dha oksigjen për disa muaj që të grabisin shtetin horrat e Berishës, por më e keqe është marrëveshja që ata kanë arritur për të mos prekur asgjë nga ajo që është ligj në 25 vjet; supestruktura oligarkike.

Dhe këtë Edi Rama e vërtetoi me qeverinë e re, ku vendosi njerëzit që ishin më shumë gjasa të kapur dhe të lidhur me oligarkët më të mëdhenj në vend që përfitojnë nga kontratat shtetërore.

Doni shembull? Në Palasë të Himarës, një oligark ka ndërtuar duke i marrë një privati të fuqishëm 20 mijë metra katrorë truall në hise, por e mbron ligji i miratuar, sipas të cilit investim strategjik quhet edhe 15 milionë euro nga 100 që ka qenë.

Me një fjalë, Edi Rama, nuk pranoi që t’i largohet kurthit të Metës e Berishës duke e përballur atë, por duke bërë “pakt me djallin”.

Hoqi Saimir Tahirin të parin dhe më pas vuri Xhafën, i cili është ministri më shumë i sulmushëm dhe shantazhëm nga të gjithë socialistët bashkë.

Doni shembuj? Një familjar të tij e ka me problem penal, një tjetër e ka subjekt të lojrave të fatit, që ja ka përmendur në trasnmetim live dhe ish-drejtoresha e lojrave të fatit, të cilën e shkarkuan pas asaj deklarate.

Pra edhe njëherë, Rama u bëri nder shantazhuesve dhe nga ana tjetër përfitoi nga ata një liri për të bërë ndere vetë.

Rrethi vicioz i së keqes nga një luftë mes dy fronteve, tani është mbyllur duke u vërtitur rreth boshtit të oligarkëve.

Çdo ligj, VKM apo çdo leje e licencë del nga ky rreth.

E patë spektaklin e 20 vjetorit të emisionit të Blendi Fevziut?!

Ishte shembulli më brilant jo i fuqisë së gazetarisë, por i forcës aktuale të oligarkisë që vë në rresht të gjithë kastën politike, e cila duket se është aksionere me oligarkët.

Janë kthyer si vëllezërit siamezë që nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin.

Dhe kjo shihet shumë lehtë në Parlamentin shqiptar. Duket se ka një simetri të hatashme.

Ju kishte shkuar mendja se Gramoz Ruçi mund të shkojë fjollë me Edi Palokën?!

Kanë 4 vjet që e bëjnë dhe të dy u shpërblyen se kanë qenë negociatorë (ose më mirë mesazherë) të takimit Rama-Basha më 17 maj.

Opozita e Bashës është false, siç është edhe opozita e LSI-së që tani po përjeton dhe do të përjetojë një fshesë të madhe duke larguar çdo individ që ka projektuar në kokën e tij një luftë reale politike.

Ilir Meta do të ruajë instikamin e vet të oligarkisë dhe për këtë me Ramën po ndajnë pjesën e ambasadorëve dhe të shërbimin sekret.

Por më e rënda ka për të qenë me Kryeprokurorin e ri! Kush do jetë?! Duroni edhe pak, por s’ka asgjë për tu zhgënjyer.

Ka vetëm një rrugë, një mundësi që nuk jep shumë kohë për dilema.

Ka një zgjidhje dhe ajo vjen jashtë këtij sistemi të ndyrë oligarkik.

Ka vetëm një rrugë, e cila thjesht kërkon aleancën e të gjithëve që janë jashtë këtij sistemi; pra shumica../Pamfleti.com

 

more recommended stories