Enver Robelli: Retorika boshe e bashkimit: «Na pranoni në BE se do të çmendemi»

0
Enver Robelli: Retorika boshe e bashkimit: «Na pranoni në BE se do të çmendemi»
Enver Robelli: Retorika boshe e bashkimit: «Na pranoni në BE se do të çmendemi»

Nga Enver Robelli

Kur nuk luan Juventusi, kryeministri i Shqipërisë merret nga pak me politikë. Kur nuk kërcënon se do të largohet nga posti i presidentit nëse nuk miratohet projektligji për themelimin e ushtrisë kosovare, kryetari i Kosovës i bashkohet retorikës boshe të Edi Ramës, i cili së fundi i tha portalit «Politico» se Shqipëria dhe Kosova mund të krijojnë një «union të vogël» nëse nuk i pranon «unioni i madh», domethënë Bashkimi Europian. Sipas Ramës ballkanasit mund të «çmenden» dhe Europa do të ballafaqohet me një «makth» nëse zbehen shpresat për anëtarësim.

A i merr ndokush seriozisht këto kërcënime? Nëse vërtet duan të çmenden ballkanasit, askush nuk do t’ju dalë në rrugë. E kanë treguar këtë edhe vitet ’90 – në ish-Jugosllavinë që po shpërbëhej në pellgje gjaku dhe në Shqipërinë e piramidave të rrejshme financiare, ku faktor politik bëhej edhe Zani Çaushi. Çmimin e asaj çmendurie janë duke e paguar edhe gjeneratat e sotme, të rinjtë, por edhe pleqtë.

Reklama

Edi Rama i ka kaluar vitet ’90 kryesisht larg Ballkanit si piktor shëtitës, andaj sot me lehtësi i shpëtojnë fjalët nga goja. «Na pranoni se mund të çmendemi ne ballkanasit». Vërtet? Kjo tingëllon si anekdota mbi takimin mes një kroati dhe një serbi. I preokupuar së tepërmi me nacionalitetin e tij serbi vazhdimisht i thoshte kroatit: «Unë jam serb». Dikur kroati i përgjigjet: «Kush të ka faj». Edhe diplomatët e Bashkimit Europian, edhe prijësit e vendeve të mëdha të Europës perëndimore mund t’i thonë Edi Ramës dhe popullistëve të tjerë të Ballkanit: «Kush ju ka faj nëse e keni ndarë mendjen të çmendeni?»

Situata bëhet edhe më komike kur pas Edi Ramës fillon të kërcënohet edhe Hashim Thaçi, madje me fjalë edhe më të mëdha: «Po nuk na pranoi Bashkimi Europian të gjithë shqiptarët do të jetojnë në një shtet». Kur ke shumë kohë të lirë si presidenti Thaçi, kur nismat të dështojnë njëra pas tjetrës, kur nuk arrin të bësh asnjë vizitë të rëndësishme jashtë shtetit, atëherë s’të mbetet gjë tjetër pos të komentesh komentet e Edi Ramës. Kërcënimet e këtij dueti politik vështirë t’i marrë ndokush seriozisht në botën perëndimore. Cilësia e këtyre kërcënimeve është e ngjashme me ngërdheshjen e kecave që humbin rrugën, rrokin shoshën dhe duan të frikësojnë arushën.

Pikësëpari krijimin e një «unioni të vogël» mes Shqipërisë dhe Kosovës s’e pengon askush, nëse me union mendohet bashkëpunimi i ngushtë ekonomik, ndërinstitucional dhe kulturor në të mirën e përbashkët. Problemi është se elitat politike në Tiranë dhe Prishtinë janë të dirigjuara nga oligarkët e ekonomisë serbe dhe shqiptare dhe nga kryqëzimi i interesave të nëntokës, saqë Rama dhe Thaçi prej vitesh flasin për «bashkim» dhe thellojnë ndarjen. Çka do bënin oligarkët serbë po të kishte një treg të rregulluar të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Kosovës? Çka do bënin qindra firma nga Serbia që mbulojnë tregjet shqiptare me biskota, po të mos ishin shqiptarët vetëm konsumatorë me vetëdije të ulët sociale dhe kombëtare?

Sa janë të koordinuara dy qeveritë në qasjen e përbashkët politike tregon debati i fundit për krijimin e një zone doganore të Ballkanit të iniciuar nga kryeministri serb Aleksandër Vuçiq. Kjo ide duket se hasi në mirëkuptim nga qeveria e Edi Ramës, ndërsa nga Prishtina u dëgjua një kor vajimi: nuk e pranojmë, tha kryeministri, kurrë nuk e pranojmë, tha ministri i Jashtëm i Kosovës. Çfarë kuptimi kanë atëherë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, nëse pas çdo samiti të vendeve të Ballkanit nga Prishtina dëgjohen ankesa në drejtim të ekipit të Edi Ramës, i cili «po bie në kurthe të Vuçiqit»? Çfarë ka mbetur nga «takimi historik» i dy qeverive në Prizren në fillim të vitit 2014 përveç pyetjes së Thaçit drejtuar Ramës: «A nirthte?»

Me kërcënimet e tyre të fundit Rama dhe Thaçi duan t’ia hedhin fajin kryekëput Bashkimit Europian për stagnimin e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit, sidomos Shqipërisë dhe Kosovës. Vërtet BE po kalon krizën më të rëndë që nga themelimi dhe nëse në fillim të majit në raundin e dytë të zgjedhjeve në Francë fiton Marine Le Pen, atëherë projekti i BE-së do të marrë fund, së paku në këtë formë siç e njohim. Por përtej politikës së lartë duhet thënë se janë elitat politike shqiptare në Tiranë që sillen me papërgjegjësi gati kriminale që nga rënia e regjimit komunist para më shumë se një çerekshekulli – dhe në këtë garë ndiqen dhe imitohen me zell nga partnerët politikë në Prishtinë që nga viti 1999.

Në vitin 2017 raportet ndërkombëtare thonë se nën qeverisjen e Edi Ramës mbledhja dhe kontrabanda me kanabis është trefishuar (ekspertë të tjerë flasin madje për katërfishim). Zyrtarë të policisë shqiptare ikin në vendet perëndimore dhe ndonjëri edhe merr azil me arsyetimin se është i përndjekur nga qeveria për shkak se ka hetuar baronët e drogës. Tek tani flitet për krijimin e një sistemi të drejtësisë, i cili që nga fillimi i viteve ’90 ishte, në fakt, instrument për mbrojtjen e zonave të interesit të politikanëve të korruptuar dhe ortakëve të tyre të nëntokës.

Nuk është faji i Europës që në ritëm ditor ndalen gomone me kanabis në Adriatik, nuk është faj i Europës që zbulohet laborator droge në Elbasan në vitin 2015 dhe tregtarët e arrestuar nuk janë dënuar ende (mes tyre nipi i Enver Hoxhës dhe dy kolumbianë), nuk është faji i Europës që plazhet shqiptare janë bërë pista ku aterrojnë me avionë të vegjël pensionistë italianë për t’u ngarkuar me «mall». Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe tani për tani është vetëm në duart e politikanëve shqiptarë nëse vendi do të përparojë në këtë rrugë apo jo. Kur të negociohen të gjithë kapitujt për hyrje në BE dhe nëse atëherë ndonjë vend e bllokon Shqipërinë, atëherë Edi Rama apo kushdo që do të jetë kryeministër do të ketë të drejtë të kritikojë e mallkojë Europën. Sot për sot jo, sepse për të hyrë në BE duhet plotësuar disa kushte.

Sa i përket stagnimit të Kosovës: janë partitë politike, sidomos ato që kanë qëndruar më së gjati në pushtet, që e kanë katandisur vendin kështu. Me negociata pa koncept në Bruksel, me afera të panumërta korruptive, me privatizime kriminale, me shkatërrimin e sistemit arsimor, me nepotizëm. Rezultat i kësaj politike është ikja e mbi 100 mijë njerëzve nga Kosova në dy-tri vitet e fundit.

Mbi këtë humnerë qëndrojnë politikanët shqiptarë si puna e Thaçit dhe Ramës (dhe batakçinjve që ishin në pushtet para tij), të cilët me barut të lagur i kërcënohen BE-së: «Na pranoni se do të çmendemi».

Loading...

Lini nje koment