Erion Veliaj Kryeministër? A po bëhet Rama “Kurban” i tij

Erion Veliaj Kryeministër? A po bëhet Rama “Kurban” i tij

Një nga njerëzit e besuar të Kryeministrit Rama dhe një nga mbrojtësit më të zjarrtë të doktrinës së tij Eduard Zaloshnja bëri publik rrëzimin e Kryeministrit në Tiranë. Në një sondazh të zhvilluar nga ai, u faktua se në Tiranë “mbret” është Erion Veliaj, duke lënë pas edhe shefin e tij Edi Rama.

Shkruan: Bled Marku

 Pas pothuajse 5 vitesh në qeverisje, dhe tashmë me timonin e vetëm në dorë, kurba e popullaritetit të kryeministrit Edi Rama po lakohet për poshtë. Shkak i këtij fenomeni nuk është mungesa e zotit Rama në ekrane, por pakënaqësia e Shqiptarëve. 48 muajt e parë të qeverisjes së tij kaluan shumë shpejt dhe kur bën një bilanc mes premtimeve të bëra dhe atyre të mbajtura, është shumë e vështirë të gjesh një pikë kontakti mes tyre. Dhe për këtë, Rama u justifikua me argumentin se në 4-vjeçarin e parë kishte pengesë Ilir Metën dhe kërkesën e LSI-së për ndarjen e “tepsisë”. Tashmë, me Ilir Metën e pensionuar në Presidencë dhe me tepsinë e timonin në dorë të tij, Edi Rama nuk po bind. Skandalet e njëpasnjëshme që po i shpërthejnë në dorë, kanë rritur pakënaqësinë e njerëzve të ndershëm ndaj tij. “Rilindja” po zhbëhet. Ekipi fitues i 2013-tës, që do të sillte ndyshimin e madh në vend, po shkërrmoqet çdo ditë që kalon. Aq sa edhe njerëzit më të besuar të Ramës, duke parë rënien e reputacionit të tij, tashmë po i dalin kundër.

Në Asamblenë Kombëtare të PS-së, të mbajtur më 6 Janar 2018 u bë një kritikë se si kryetarët e PS-së në qarqe nuk kanë dhënë kontributin e tyre në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, duke marrë në rang kombëtar pak më shumë se 750 mijë vota, një rënie e prej 250 votash nga zgjedhjet e 2013. Kjo fakton se Rama nuk është më lideri shpresëdhënës për Shqiptarët.

Çfarë po ndodh në PS? Nëse Rama po “zbehet”, një tjetër figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste të Shqipërisë po “ndriçon” çdo ditë edhe më shumë. Falë daljeve të tij të përditshme në TV, si edhe rreklamimi i çdo pune të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po arrin të bindë të gjithë qytetarët e kryeqytetit se ai është e ardhmja e Tiranës dhe pse jo, ndoshta edhe e ardhmja e PS-së.

Një nga njerëzit e besuar të Kryeministrit Rama dhe një nga mbrojtësit më të zjarrtë të doktrinës së tij Eduard Zaloshnja bëri publik rrëzimin e Kryeministrit në Tiranë. Në një sondazh të zhvilluar nga ai, u faktua se në Tiranë “mbret” është Erion Veliaj, duke lënë pas edhe shefin e tij Edi Rama.

Nisur nga ky fakt, në Asamblenë Kombëtare të PS-së u artikulua fjala zgjedhje brënda partisë. Por nuk mori vëmëndjen e duhur as nga mediat e as nga të pranishmit në këtë Asamble. Në muajin Prill, Bashkimi Europian paraqet raportin e saj për Shqipërinë, ku do të bëhet publike, nëse Shqipëria do të hapë negociatat për anëtarësim të plotë në BE, apo data do të shtyhet për një moment të dytë.

Lajmërimi i nisjes së sezonit të protestave nga opozita me 27 Janar dhe thirrjet e përditshme të Bashës, Kryemadhit dhe aleatëve të tyre në unifikimin e shqiptarëve në një levizje mbarëkombëtare për largimin e Ramës nga posti i kryeministrit, dhe krijimin e një qeverie antimafja, nuk e ndihmon hapjen e negociatave me BE. Edhe pse koordinatorja e PS-së për bashkëqeverisjen me qytetarët Elisa Spiropali këmbëngul se Basha-Kryemadhi nuk mund të bëhen pengesë e integrimit.

Me mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, Ramës i humbet edhe guri i fundit që ka në dorë për të bindur me sofizma qytetarët. Reputacioni i tij do të “zbehet” edhe më shumë. Kësisoj, besimi në Partinë Socialiste do të jetë në minimumin e mundshëm të viteve të fundit, i ngjashëm me besimin që ngjallte ish-Kryeministri Fatos Nano në vitin 2005, ku u bë edhe rrokada e pushtetit.

Për të shmangur rrokadën dhe ardhjen në qeveri të dyshes PD-LSI, Ramës i duhet të luajë “lojën e fundit të shahut”, të hapë krahun, dhe të ripërtërijë imazhin e PS-së Në vitin 2019 zhvillohen zgjedhjet Bashkiake në 12 qarqet e vendit. Rreziku që i kanoset Bashkisë së Tiranës është i madh. Dhe Erion Veliaj mund të dalë i papunë. PS kërkon t’a shmangë zhbërjen e imazhit të “Lali Erit”, kjo mund të vijë me një sakrificë të madhe. Dorëheqjen e “Lalit” nga rikandidimi për Kryetar Bashkie të Tiranës, dhe garimin e tij për postin Kryetarit të Partisë Socialiste.

E gjitha kjo, me një marrëveshje xhentillmanash me Ramën, në mënyrë që ky i fundit të bëhet “Kurbani” i partisë për të ccuar përpara vizionin socialist të qeverisjes së majtë. Erion Veliaj e fitoi eksperiencën në Bashkinë e Tiranës, mësoi si të bëjë “gjynafqarin” për të fituar pikë. Djali i vogël i fiqve tashmë u rrit e kërkon më shumë. Mundësia është që në 2019-tën të jetë Erion Veliaj kryeministër, e të bëjë përgatitjet e tij për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Pse jo, ndoshta edhe i fiton zgjedhjet, dhe thyen rregullin 8 vjet njëra parti në pushtet e 8 vjet partia tjetër. Por kjo mbetet ende për tu parë, pavarësisht se “laku i pakënaqësive” rreth qafës së Ramës, sa vjen dhe shtrengohet./Pamfleti.com

Denonco
Loading...

more recommended stories