Është thjesht diversion, jo represion!

Është thjesht diversion, jo represion!

Nga ana tjetër, Ilir Meta është sot në pozicionin e Bujar Nishanit kur po Edi Rama i propozoi dy vjet më parë, emërimin si ambasador në Vatikan, të Visar Zhitit.

Shkruan: Mero Baze

Emërimi i Visho Ajazit si ambasador i Shqipërisë në NATO, ka forcuar paranojën e opozitës, se ai është kthyer në një bashkëpunëtor i Edi Ramës në kulmin e akuzave për represion ndaj tij, për shkak të denoncimeve kundër trafikut të drogës në Shqipëri. Qetësia me të cilën Edi Rama menaxhoi dorëheqjen e tij dhe akoma më shumë, qetësia me të cilën partnerët ndërkombëtarë, sidomos SHBA, pritën largimin e tij dhe emërimin e zëvendësit të vet, rriti agresivitetin e opozitës, e cila realisht i trembej kësaj që ndodhi sot. Ata bërtisnin për represion, por brenda tyre ndjehej depresioni që kishin nga ideja se binte erë “tradhti”.

Një sërë aktesh të opozitës, dhe sidomos përpjekja e Bujar Nishanit për t’u bërë promotor i deklasifikimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, kishte të bënte pikërisht me nxitimin për ta “inkriminuar” Ajazin, si njeri që ka denoncuar Edi Ramën. Në atë mbledhje, Ajazi ka deklaruar se në Shqipëri kanë hyrë 7 milionë fara canabisi, dhe gjithë debati është zhvilluar rreth seriozitetit të atij informacioni. Përpjekja për ta bërë publike, ishte pikërisht nuhatja se Edi Rama, po përpiqej të provokonte opozitën me heqjen e Ajazit.

Është e sigurt se Rama ka një distancë psikologjike me shërbimin sekret dhe maksimumi e shikon atë si bezdi, dhe minimumi i shikon ata si njerëz pa ndonjë interes për të. Por përballë tij, ka kundërshtarë që kultin e shërbimit sekret e kanë në themel të karrierës së tyre. Rama është aq larg tyre, sa vetëm pasi ka pranuar dorëheqjen e Ajazit, ka mësuar se ai paska qenë zyrtar i lartë i SHIK në kohën e Gazidedes, dhe e merrte këtë me rezerva si shpikje të shtypit. Vetëm kur u bind që ka qenë vërtet, duket se i shijoi më shumë kjo histori.

Berishës po i përsëritet kjo histori.

Në vitin 1997, kur Berisha ishte ende president dhe Bashkim Fino kryeministër, ka pas ndodhur një histori e ngjashme. Pas largimit të Bashkim Gazidedes drejt Turqisë, Bashkim Fino i propozoi në konfidencë Sali Berishës, Eduard Ypin si kryetar i SHIK. Eduard Ypi ishte një ish- i burgosur politik, ministër i Berishës, i cili duket se ja kishte kërkuar Finos këtë nder, pasi pa që PD po ikte nga pushteti. Tërbimi i Sali Berishës ishte përtej çdo përfytyrimi. Ai jo vetëm që nuk e pranoi, por e shpalli atë një armik të PD, vetëm për faktin që po ja propozonte kundërshtari. Një përpjekja ime për ta pajtuar me të, si një fenomen banal, më kushtoi ulërima dhe “dëshmi’ se ai ka qenë spiun sigurimi. Ju desh aq shumë kohë dhe vite Ypit, që të pranohej nga Berisha kur u kthye në pushtet, dhe aq shumë lëpirje si vëllezër duke mbrojtur zullumet e fëmijëve të tij, sa ta lejonte në një post nëpunësi të dorës së dytë, gjithnjë nën dyshimin se ishte “spiun” i atyre”. Dhe si për t’ia vërtuar paranojën, kur Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, e riemëroi Ypin sërish në një post të rëndësishëm, vetëm për t’i prishur gjakun Berishës.

Kjo skenë po ripërsëritet. Duke marrë më seriozisht shqetësimin që i shkakton Berishës se sa “nderin” që i bën ushtarëve të tij, Rama ka vepruar njësoj me Ajazin. Ai e ka emëruar ambasador, i cili duhet të dekretohet nga Ilir Meta dhe duhet të mos shahet nga Berisha. Është thjeshtë një përpjekje për ta kaluar Berishën nga “gjendja e represionit” për të cilën fliste për Ajaznin, në atë të depresionit.

Nga ana tjetër, Ilir Meta është sot në pozicionin e Bujar Nishanit kur po Edi Rama i propozoi dy vjet më parë, emërimin si ambasador në Vatikan, të Visar Zhitit.

Tërbimi i Berishës dhe Nishanit në atë kohë ishte aq i madh ndaj një ish- të burgosuri për fjalën e lirë në kohë të komunizmit, sa e trajtuan si një armik të Partisë Demokratike, edhe pse e kanë pasur anëtar të Kryesisë së PD, deputet dhe ministër të saj. Dhe e çuan deri në fund betejën. Jo vetëm që nuk e dekretuan Zhitin, por shpifën dhe ndaj tij si “bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”.

Edi Rama po argëtohet me këtë histori, duke tentuar të deligjitimojë çdo gjë që Berisha dhe kundërshtarët kanë folur në emër të SHISH këto vite. Por dhe të vërë në provë presidentin e ri, që të mos i ngjajë Bujar Nishanit. Të tejkalojë së paku standartin e një presidenti, që egërsohej më shumë nga “tradhtia” ndaj Berishës, se sa nga tradhtia ndaj atdheut. Është thjesht diversion, jo represion. Por Berishën e ka futur në depresion.

more recommended stories