Gjergj Zefi: Edi Rama nuk është një lider i fortë, është “peng” i numrave; duhet ta kishte çuar vendin në zgjedhje që në korrikun e vjetshëm; vazhdimi me LSI kompromenton PS

Gjergj Zefi: Edi Rama nuk është një lider i fortë, është "peng" i numrave; duhet ta kishte çuar vendin në zgjedhje që në korrikun e vjetshëm; vazhdimi me LSI kompromenton PS

Editori i “Pamfleti.com” zoti Gjergj Zefi i ka dhënë një intervistë të përjavshmes së njohur “Intervista”. Në këtë intervistë i bëhet një ekspoze situatës politike në Shqipëri. Duke qënë se konstatimet janë edhe politika redaksionale e “Pamfleti”-t po e botojmë të plotë:

  1. Situata politike në Shqipëri i ngjan një rebusi që është e vështirë t’i gjesh zgjidhjen. Dhe nuk është hera e parë kjo, apo jo? Pse ndodh kështu? Pse nuk po “zë vend” demokracia në Shqipëi?. Si mendon?

Është e vërtetë, ka 27 vite që ndodh pikërisht kështu. Konflikti fermentohet dhe mbarset gjatë gjithë kohës, i fryhet zjarrit nga të gjitha anët aq sa duket se do të na përpijë të gjithëve. Gjithherë zgjidhjet janë gjetur në momentet e fundit, madje përgjithsisht në sekondat shtesë. Në shumicën e rasteve zgjidhja vinte si rrjedhojë e metodës “deux ex machina” dhe gjithë ajo mbarsje “pillte një mi”. Tipike ballkanase! Njëlloj si me “vezën e Kolombit” që u përpoqën të gjithë ta vendosnin (vezën) në këmbë dhe nuk ja dolën e pastaj e mori Kolombi ja përplasi majën dhe e vendosi pingul…

E gjitha kjo sipas përshtypjes sime vjen nga që këtu tek ne, politika është keqkuptuar, është kthyer në qëllim në vetvete. Politika tek ne nuk është sherbim por privilegj, është biznesi më fitimprurës… Ndaj dhe përplasen palët pa mëshirë, por gjithmonë deri aty ku të mos preken ata që e tërheqin litarin…

Ndërsa demokracia është fjalë e madhe, ajo nuk mund të imponohet, është vokacion. Sistemet demokratike nuk farkëtohen as për 20 e as për 30 vjet, duan kohë, kohë shumë të gjatë, duan brezni të tëra me kulturë lirie.

  1. Sidoqoftë, a pranon të na japësh si analist ndonjë parashikim se ç‘do të ndodhë tani afër në politikën shqiptare? Ja, për shembull, çfarë do të ndodhë me çadrën? Si do të mbyllet ajo?

Nuk mendoj se do të ndodhë ndonjë gjë e madh. Do të rezistojnë palët deri në fund, porn ë fund sërish do të gjendet një zgjidhje dhe ne të gjithë do të themi: pop se nuk e bënë që në fillim këtë gjë?! Çadra është një treg, është vendosur aty për të bërë Pazar, për të ruajtur status-quo’në, për të marrë garanci për paprekshmërinë, për të marrë garanci që nuk do të preket “pakti i Triestes”, të mos preket “Katovica”. Çadra është ngritur si presion ndaj palëve, që ata të mblidhen të gjithë së bashku, ti japin dorën njëri tjetrit; të heqin dorë nga Vettingu, t’ia tregojnë vendin ndërkombëtarëve; ta lënë njëri- tjetrin t’I gëzojnë miliardat, pallatet luksoze, vilat turistike, pasuritë përrallore etj etj

Si ata në çadër ashtu edhe ata përsipër saj në të dyja anët, flasin në publik për principe dhe parime por thellë, në nëntokën e atij trekëndëshi, ata gatuajnë marrëveshjen për paprekshmërinë e tyre në dëm të prosperitetit të vendit. Po të jetë në dorën e tyre asgjë nuk ndodh, pot ë jetë në dorën e tyre do të ketë status-quo, “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë”…

E vetmja shpresë janë ndërkombëtarët të cilët janë investuar për Reformën në Drejtësi e për të cilët nuk mund të ketë prosperitet të Shqipërisë pa arrestimin e “peshqve të mëdhenj”

Nga disa kontakte modeste që kam patur me eksponentë të politikës gjermane më kanë thënë se kjo rezistencë përkundrejt Vettingut në veçanti dhe Reformës për Drejtësi në tërësi ka qenë e papritur për ndërkombëtarët. Nuk na mbetet tjetër vetëm të shpresojmë se edhe ata(ndërkombëtarët) nuk do të lodhen, nuk do të merziten dhe nuk do të tolerojnë kundrejt kësaj rezistence për jetë a vdekje…

  1. Po zgjedhjet kur do të mbahen sipas teje?

Nuk mendoj se ka ndonjë arësye për të shtyrë zgjedhjet. Siç e thashë edhe më sipër, tjetër kund “flë lepuri”. Çfarë do që të ndodhë një gjë është e sigurtë, Reforma në Drejtësi do të realizohet. Klasa politike duhet të ndërgjegjësohet. Katarsisi i saj nuk varet më nga ajo. Nuk mundet më që të vazhdojnë e të fshihen si struci duke futur kokën në rërë dhe duke lënë trupin jashtë. Zgjedhjet do të bëhen, Reforma duan apo nuk duan ata do të bëhet, Shqipëria do të bëhet!

Çdo përpjekje për të kundërtën është e kotë. Ajo çka do të uroja është që lidershipi i korruptuar i partive të mos sakrifikojnë forcat e tyre politike, pasi ata nuk janë çifligje por asete publike dhe të vyera për vendin.

  1. Po zgjedhjet kush do i fitojë? Do të ndikojnë paratë e drogës në rezultatin e tyre? Apo këto janë gjëra që dihen e të duken si pyetje retorike?

Siç duken bathët, koalicioni i majtë do të vazhdojë të qeverisë vendin ndërkohë që opozita është e dobët, lehtësisht e stigmatizuar e cila po përgatit alibitë për mospranimin e zgjedhjeve. Opozita po e djeg jorganin për një plesht. Plesht janë ish-ministrat e korruptuar, ish- kryeministri dhe disa eksponentë tejet të korruptuar të saj por që në vetvete janë shumë pak përkundrejt një partie të tërë që po sakrifikohet për to…

Sa i përket drogës, ajo ka ndikuar gjithmonë në zgjedhjet në Shqipëri që në vitin 94 kur u kultivua për here të pare. Por nuk është droga donator kryesor për blerje votash. Mos harroni se ajo zë një volum shumë të vogël në portofolin e parasë korruptive. Paratë që fitohen me drogë janë para gjaku dhe nuk se hidhen lehtë në zgjedhje, janë të tjera “buxhete” ata që blejnë zgjedhjet. Jemi një vend ku firot e parasë publike janë të frikshme…

  1. Nëse PD nuk do të futet në zgjedhje , si e shikoni fatin e tyre? Apo aleatët e saj do të “thyhen” e do të pranojnë të bëjnë opozitën?

Në perceptimin tim kriza politike e shfaqur kohët e fundit në Shqipëri është pak më e thellë seç paraqitet. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme” dhe retorika të tilla të këtij lloji janë vetëm ana e dukshme e medaljes, janë pretekst që fshehin në vetvete arësyen e vërtetë të kësaj krize që ka filluar vitin e shkuar dhe që ka të bëjë me “Reformën në Drejtësi” ose e thënë më troç me përfshirjen e ndërkombëtarëve në këtë proces kaq të rëndësishëm në vend.

Nëse i keni ndjekur me vëmendje prononcimet e ndërkombëtarëve, ata janë shprehur se janë të përgatitur për reagime të tilla, si dhe për një qendresë shumë të madhe të forcave që preken nga kjo reformë që për hir të së vërtetës vetëm ankthin ka shqiptar, pasi e gjitha është një inisiativë euroatlantike.

Ndaj dhe unë mendoj që transversalisht në politikën shqiptare ka forca, individë dhe faktorë që nuk e duan këtë gjë. Në praktikat politike botërore raste të tilla kanë ndodhur, ne nuk jemi të vetëm në luftën e tmerrshme midis mafias dhe politikës.

Mjafton të kujtojmë që në fundvitet ’80 si pasojë e një revolucioni në drejtësinë italiane, partia demokristiane doli nga sistemi politik si rrjedhojë e implikimit të lidershipit të saj me “Cosa Nostra”-an. Thuajse e njëjta gjë ndodhi edhe me socialistët italianë.

Edhe nivelet elektorale mjerane të Pasok-ut në Greqi të njëjtin shkak kishin.

  1. Temë e ditës tani është edhe zgjedhja e Presidentit të ri. Si mendoni se do të zgjidhet ai? Do ta « falë » PS këtë post për hatër të koniukturave?

Është vërtetë temë e ditës por që jam shumë i sigurtë që do të jetë “Pazar” i qeverisjes së ardhshme. Jam shumë i sigurtë që Edi Rama e lësho krejt lehtë Presidentin për hir të komoditetit të tij në karrigen e Kryeministrit. Edi Rama përfundimish ka dhënë prova që nuk është një lider i forte, ai është i fiksuar përkundrejt numrave dhe qeverisjeve komode, i sigurtë, pa rrezikuar asgjë. Ndryshe ai duhet ta kishte çuar vendin në zgjedhje që në Korrikun e shkuar kur u përball me koalicionin antireformë.

Rama nuk është as Tsipras e as Vuçiç, të cilët që në momentin e parë që hasën në rezistencë brenda koalicioneve i çuan vendet direkt në zgjedhje. Kështu që jam i sigurtë tashmë që Rama e ka dhënë presidentin…

  1. Po marrëdhënien PS-LSI si e shikon? Do të vazhdojë ajo?

Duket se do të vazhdojë. Megjithatë politikani diabolik Ilir Meta, tejet i vështirë për tu parashikuar, është duke bërë llogaritë e fundit. Biznesmeni më “furbo” i politikës shqiptare nuk ka skrupuj. Ai bën vetëm llogari dhe as që udhëhiqet nga parime dhe principe politike.

Është i dyzuar për faktin se poshtë dritareve të tij sheh një opozitë të dobët, e cila megjithëse ka 56 ditë që është stacionuar në një “çadër” (veprim për të cilin Ilir Meta është “akuzuar” se është inisiator) nuk duket se ka “sy për qabe” se mund të bindë njeri përveç militantëve të thekur të saj se mund të vijë në pushtet. Megjithëse nga çadra e opozitës, eksponentë të opozitës por edhe vetë kreu i saj Lulzim Basha e kanë implikuar Ilir Metën si pjesë të projektit të tyre, “floriri” as që do ti a dijë për to.

Ilir Meta i din mirë “punët e veta”, për të “fjala e ngrënë nuk i bën keq proçesit të tretjes”, ai bën vetëm llogari. Ai ka vetëm një zot, dhe ai është pushteti dhe paraja.

Iliri, tani po bën llogaritë e fundit, tamam si ata lojtarët e bixhozit, sheh kofiçentët, mundësitë, sheh të shkuarën, të tashmën, të ardhmen, dhe në momentet e fundit vendos vetë, pa e ditur asnjë, pa pyetur askënd.

Madje tani që po flasim nuk e di as vetë… Një gjë është e sigurtë, koefiçentët e largimit kanë rënë pas deklaratave të eurodeputetëve, përkundrejt bojkotit të opozitës.

  1. Dhe, në fund, një parashikim për Reformen në drejtësi. Do të zbatohet ajo ? Do të ketë peshq të mëdhenj që do bien në rrjetën e drejtësisë ?

                Siç e ceka më sipër, nëse do të ishte në vullnetin e politikës shqiptare as që do më shkonte       nëpërmend se Reforma do të bëhej. Por kjo reformë është “basti” i amerikanëve dhe e europianëve dhe si e tillë nuk mund të dyshoj. Eksperiencat kanë treguar se perëndimi i ka fituar të gjitha “bastet” aq më tepër kur ata janë në shërbim të demokracive dhe të prosperitetit të popujve.

Jam shumë i sigurtë se do të ketë peshq të mëdhenj të arrestuar përpara se Shqipëria të vazhdojë të hedhë hapa drejt BE-së. Nuk do të jetë e largët kjo ditë dhe nëse e shihni të arësyeshme mund ta rezervoj një tjetër intervistë kur kjo të ndodhë. Ju falemnderit!/”Intervista”