Gjyqtarët dhe prokurorët në shtator duhet të shesin bizneset ose largohen nga sistemi i Drejtësisë

Gjyqtarët dhe prokurorët në shtator duhet të shesin bizneset ose largohen nga sistemi i Drejtësisë

Me ngritjen e organeve të reja të drejtësisë dhe veprimin e ligjit të Vetingut, në shtator të këtij viti, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të heqin dorë nga bizneset e tyre dhe veprimtaritë e tjera fitimprurëse, në të kundërt përjashtohen nga sistemi i drejtësisë. Gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët do t’i mbijetojnë skenarit të trefishtë të Vetingut për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale, duhet të shesin aksionet në shoqëritë fitimprurëse si dhe të mos ushtrojnë asnjë lloji ndikimi mbi kompanitë private. Bizneset janë identifikuar nga ekspertët dhe ILDKPKI si një nga format më të përhapura dhe të aplikuara nga prokurorët dhe gjyqtarët për të pastruar, kamufluar dhe justifikuar paratë e korrupsionit. Për rrjedhojë, misionet ndërkombëtare që asistojnë autoritetet shqiptare për hartimin, miratimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, propozuan kufizimin e aktiviteteve fitimprurëse të njerëzve të drejtësisë. Kufizimet u parashikuan në ligjin për statusin e magjistratëve (prokurorëve dhe gjyqtarëve), i cili hyri në fuqi në nëntor të vitit 2016. Ashtu siç edhe pritej, gjyqtarët nisën një rezistencë kundër këtyre parashikimeve dhe kushtëzimeve të tjera, në lidhje me përfitimet e padrejta nga palët e treta, por Gjykata Kushtetuese nuk e atakoi nenin 7 të  ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimi Nr. 35 datë 18.04.2017, Gjykata Kushtetuese, rrëzoi rreth 40 shkelje të mundshme që mund të kryheshin nga gjyqtarët dhe prokurorët, por nuk preku nenin që i detyron ata që të heqin dorë nga karburantet, pallatet, lokalet, zyrat e noterive, komplekset sportive, agjencitë e udhëtimeve, fermat, vreshtat, pemtoret, parukeritë etj.

Distancimi nga bizneset

Gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të jenë pjesë e drejtësisë së re u ndalohet me ligj të administrojnë, të drejtojnë ose të ushtrojë ndikim në shoqëritë fitimprurëse, personalisht ose nëpërmjet përfaqësimit. Atyre u ndalohet që të zotërojë në mënyrë aktive apo pasive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit. Gjithashtu, magjistratëve u ndalohet të jenë ekspertë në gjykatat vendase ose arbitër në arbitrazhin tregtar.

Dy ditë më parë, Shqiptarja.com publikoi bizneset dhe fitimet nga bizneset nga disa prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët i kanë dhënë sistemit aktual të drejtësisë trajtën e një korporate.

Pikat e rrëzuara

Janë mbi 40 shkelje disiplinore të parashikuara në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilat janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Pra, prokurori dhe gjykatësi mund të konsumojë secilën shkelje dhe nuk mund të procedohet nga organet kompetente. Konkretisht, gjykata ka rrëzuar shkeljen disiplinore të shoqërimit të gjyqtarit apo prokurorit me persona që janë nën ndjekje penale ose janë subjekte të një procedimi penal, ose me persona të dënuar dhe pasja e marrëdhënieve të biznesit të papërshtatshme me këta persona. Po ashtu, gjykata ka hedhur poshtë shkeljen disiplinore të përfitimit të padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdo lloji, të cilat, qoftë edhe me anë të veprimeve të ligjshme, i jepen për shkak të funksionit që ushtron ose si rrjedhojë e përdorimit prej tij të pozicionit të magjistratit. Gjykata ka rrëzuar shkeljen e përdorimit të mandatit të magjistratit, me qëllim për të përfituar arritjen e përftimeve të pajustifikuara ose avantazhe për vete ose për të tjerët etj.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj, ka rrëzuar një grup shkeljesh disiplinore të cilat bëhen në mënyrë të qëllimshme nga gjyqtarët dhe prokurorët për të krijuar përfitime të padrejta për palët dhe të tretët ose kur synojnë të shmangin magjistratin nga detyrimi ligjor për shqyrtimin e çështjes ose synojnë të krijojnë mundësinë e shqyrtimit të saj nga magjistratë të tjerë. Shkeljet në fjalë kanë të bëjnë me praktikat korruptive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të mbyllur dosje apo për të dhënë vendime të padrejta në këmbim të parave.

Monitorimi i lëvizjeve Institucionet ligjzbatuese shqiptare kanë shtuar vigjilencën pas sinjalizimeve se disa gjyqtarë dhe prokurorë po tentojnë të nxjerrin jashtë Shqipërisë paratë e pajustifikuara, me qëllim për t’i shpëtuar skanerit të trefishtë të kontrollit. Shqiptarja.com ka mësuar se Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, struktura të posaçme të Policisë së Shtetit dhe segmente të shërbimeve informative po vëzhgojnë gjyqtarë dhe prokurorë të caktuar, të dyshuar si të përfshirë në praktika korruptive ndër vite, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme, për fshehjen e parave të korrupsionit jashtë vendit.  Gatishmëria e institucioneve në fjalë mësohet se ka ardhur pas sinjalizimeve për disa lëvizje të dyshimta të njerëzve të drejtësisë, të cilët po lëvizin çdo gurë në prapaskenë për shpëtuar paratë e paligjshme nga lupa e Vetingut dhe sekuestrimi.

Neni 7 i ligjit për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit Kufizimet për shkak të funksionit

1. Gjatë ushtrimit të funksionit, magjistrati nuk duhet:

a) të bëjë publike të dhëna ose informacione për çështjet që i janë caktuar;

b) të bëjë publike mendimet që ka dhënë gjatë hetimeve ose seancave gjyqësore, përveç rasteve kur mendimi është publikuar nëpërmjet një vendimi;

c) të bëjë deklarata publike që mund të krijojnë përshtypjen që magjistrati është i njëanshëm ose i ndikuar në një çështje të caktuar.

2. Parashikimet e pikës 1, të këtij neni, nuk e ndalojnë magjistratin të ushtrojë përgjegjësitë si magjistrat shtypi, lidhur me marrëdhëniet me publikun në gjykata dhe në prokurori.

3. Magjistrati nuk mund të marrë pjesë në grevë.

4. Magjistratit i ndalohet: a) të administrojë, të drejtojë ose të ushtrojë ndikim në shoqëritë tregtare ose fitimprurëse, personalisht ose nëpërmjet përfaqësimit;

b) të zotërojë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit;

c) të zotërojë në mënyrë pasive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, nëse shoqëria ka fitime ose të mira nga kontratat publike, në përputhje me legjislacionin për parandalimin e konfliktit të interesit në fuqi;

ç) të zotërojë në mënyrë pasive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, në të cilën veprimtaria e magjistratit është e ndaluar, për shkak se mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit, krijon konflikt interesi ose krijon përshtypjen që magjistrati është i njëanshëm ose i ndikuar;

d) të jetë ekspert në gjykatat vendase ose arbitër në arbitrazhin tregtar.

5. Kryetari njofton Këshillin në rast se ka dyshim të arsyeshëm për të besuar që një magjistrat i gjykatës ose prokurorisë përkatëse nuk plotëson kriteret e parashikuara në këtë dispozitë./shqiptarja.com