Hashim Thaçi si Rama: Nëse BE na mbyll dyert, do ketë vetëm një shtet shqiptar

Hashim Thaçi si Rama: Nëse BE na mbyll dyert, do ketë vetëm një shtet shqiptar

Deklaratës së Edi Ramës se në një rast ku BE i mbyll derën Shqipërisë, vendi ynë mund të bashkohet me Kosovën, i ka bërë jehonë edhe Hashim Thaçi.

“Nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, atëherë të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Reagimi i tij, pason deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili ka thënë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.

“Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi.

“Këtë vonesë, këtë ngurtësi, e këtë jovizion për Ballkanin Perëndimor, për fat të keq janë duke e shfrytëzuar ideologji dhe vende joevropiane dhe të frymës dhe vizionit jo euroatlantik”, ka theksuar ai.

“Natyrisht që qytetarët e Kosovës janë të frustruar me Bashkimin Evropian, me ngurtësinë e tyre, me bllokadën e tyre dhe padrejtësinë dhe ndëshkimin që po u bëhet qytetarëve të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, sepse Kosova ka përmbyllur të gjitha kriteret e nevojshme dhe të domosdoshme dhe krejtësisht me të padrejtë e ka vënë edhe çështjen e demarkacionit”, ka thënë tutje presidenti i Kosovës.

“Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”, është shprehur Thaçi, shkruan REL.

Ditë më herët, në një intervistë për “Politico”, Edi Rama ka paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë axhendës së BE-së.

Ai në plan të parë e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Por, nëse kjo rrugë pamundësohet, ai ka paralajmëruar edhe mënyra tjera.

“Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i kishte cilësuar si populiste deklaratat e homologut të tij nga Tirana, Edi Rama.

Në një intervistë për “KTV”, ai është shprehur se Kosova nuk synon bashkim tjetër veç BE-së.

“Ne nuk e kemi orientimin që të bëjmë bashkime tjera, përveç Bashkimit Evropian. Edhe nëse s’na pranojnë për dere, do të hyjmë për dritareje”, ka theksuar ai.