Ilir Beqaj: Një vështrim kritik mbi eksport- importet shqiptare

Ilir Beqaj: Një vështrim kritik mbi eksport- importet shqiptare

Në vitin 2017, Shqipëria eksportoi mallra në vlerën 273 trilionë lekë (2 bilionë euro), ndërsa importoi mallra në vlerën 627 trilionë lekë (4,6 bilionë euro). Ecuria 10 vjeçare e importeve dhe eksporteve ilustrohet në grafikun në vijim. Në vlerë absolute, qoftë eksportet, qoftë importet, në 2017 janë më të lartat në 10 vitet e fundit.

Nga: Ilir Beqaj

Kundrejt vitit 2016 eksportet u rritën 12,1 %, ndërsa importet u rritën 8,1 %. Në 10 vitet e fundit ka luhatje të mëdha pozitive e negative në ndryshimin vjetor të importeve dhe eksporteve, siç edhe ilustrohen grafikisht. Këto luhatje vijnë kryesisht nga luhatjet e mëdha të këmbimeve tregëtare të energjisë elektrike, naftës dhe minerale. Dëshmi që jemi ende të ekspozuar ndaj motit (energji elektrike hidro) dhe koniukturës ndërkombëtare (naftë e minerale).

Eksportet mbuluan vetëm 44 % të importeve. Grafiku në vijim ilustron ecurinë 10 – vjeçare të shkallës së mbulimit të improteve nga eksportet. 2017 krahasuar me 10 vitet e fundit duket vit i kënaqshëm, por më i miri ka qënë viti 2013 me 48 %. Siç edhe duket, në tregëtinë e mallrave, ajo çfarë eksportojmë është më pak se gjysma e importeve.


Eksportet përbëjnë 18 % të Produktit të brendshëm bruto. 2017 është një vit i mirë i kontributit të eksporteve në Produktin e Brendshëm Bruto.


Volumi i tregëtisë me jashtë, ose importet e eksportet së bashku, tregues që tregon sesa e hapur është ekonomia e vendit, është sa 58 % e GDP-së. Në 2017 ky tregues ka nivelin e tij ndër më të lartët, por duke qënë as sa 60 % GDP tregon se kemi ende një ekonomi tejet të mbyllur. Ekonomitë e hapura janë ato ku volumi i tregëtisë me jashtë kalon mbi 100 % të GDP-së.

Në 2017, kontributin kryesor në eksporte e kanë dhënë “Tekstilet dhe këpucët” me 43 % të totalit. Pra, industria e lehtë që punon me material të porositësit është kontributori kryesor në eksporte. Struktura e eksporteve ilustrohet grafikisht në vijim:

Ndërsa tek importet, kontributin kryesor e kanë “Makineritë e pajisjet” me 21 %. Edhe pse kjo dëshmon se ende nuk prodhojmë makineri e pajisje, fakti që importojmë tregon se në vend ka përparim teknollogjik. Struktura e importeve ilustrohet grafikisht në vijim:


Tekstilet e Këpucët
Tregëtia me jashtë në këtë grup mallrash është dinamike, pasi ajo çfarë eksportojmë është fryt i porosive që vijnë nga jashtë të cilët sjellin edhe lëndën e parë.
Eksportet në 2017 u rritën me 10 %, ndërsa importet me 9 %. Ecuria 10 vjeçare tregon se përveç 2008 dhe 2012, vitet e tjera kanë qënë vite të mira. Për rrjedhojë duhet të kenë kontribuar edhe në punësim. Eksperienca më shumë se 20 vjeçare e këtij sektori duhet të shfrytëzohet për të prodhuar më shumë vlerë të shtuar dhe për të prodhuar me lëndë të parë të sjellë nga porositësit edhe në industrinë e prodhimit të pjesëve të këmbimit.

Eksportet e Tekstile e Këpucë janë kontribuesit kryesorë në eksportet e vendit siç ilustrohet në grafikun në vijim:

Në këtë grup mallrash, për vetë natyrën e funksionimit të industrive importet janë më pak se eksportet. Vitet e fundit vihet re se importet kundrejt eksporteve janë në ulje. Shenjë që tregon se më shumë vlerë e shtuar prodhohet në Shqipëri.

Ushqimet
Në këtë grup përfshihen edhe duhanet dhe pijet alkoholike. Është e nevojshme një analizë e posaçme duke mos përfshirë duhanet dhe pijet alkoholike, por, për momentin, nuk disponohen të dhëna të detajuara.
Në vitin 2017 eksportet u rritën me 19 %, ndërsa importet u rritën me 6 %. Edhe pse 2017 ka qënë vit jo i mbarë për prodhimet bujqësore (ngrica dy ditë në prill dhe verë shumë e nxehtë dhe e thatë), rritja e eksporteve është dëshmi se sektori ka hyrë në një prirje pozitive të qëndrueshme. Kjo prirje do të vazhdojë edhe disa vite, qoftë bazuar në sipërfaqet e mbjella që nuk kanë hyrë ende në prodhim, qoftë bazuar në rreth 100 milionë euro që janë disponibël për subvencione të drejtpërdrejta, përveç vijimit të investimeve në vaditje e kullim. Importet janë rritur me ritme të ulëta falë koniukturës ndërkombëtare të prodhimeve bujqësore me çmime burse (grurë, sheqer, oriz, kafe).

Rritja e eksportit në mënyrë konstante dhe me ritëm të lartë ka bërë që edhe pesha e ushqimeve në të gjithë eksportet të bëhet e rëndësishme duke kaluar mbi 10 %.

Ndërsa pesha e Ushqimeve në import vijon të mbetet e njëtjë prej shumë vitesh. Ushqimet përbëjnë rreth 1/7 e të gjithë importeve të vendit. Ndikim kryesor kanë duhanet dhe kafeja.

Në grupin e Ushqimeve bilanci vijon të jetë negative, madje me defiçit të konsiderueshëm, por hendeku po ngushtohet me shpejtësi të lartë. Nëse në 2008 importet ishin 10 herë më të larta se eksportet, në 2017 importet janë 3,5 herë më të larta siç ilustrohet edhe grafikisht në vijim.


Energji & Lëndë Djegëse & Minerale
Është grup me peshë të rëndësishme qoftë në eksporte e qoftë në importe. Varet shumë nga koniuktura ndërkombëtare që preh 10 vitesh tashmë varet kryesisht nga kërkesa e Kinës. Nuk duhet lënë mënjanë edhe fakti që tek energjia elektrike për vetë strukturën tonë prodheuse jemi të varur nga moti (reshjet e dëborës e shiut). Tek mineralet kemi hapësirë për përmirësim nëse shtojmë kapacitetet pasuruese e përpunuese në vend. Sidoqoftë, është e nevojshme të bëhet një analizë e detajuar veçmas për energjinë elektrike, lëndët djegëse dhe mineralet.
Eksporti i këtij grupi u ul me 7 % në vitin 2017, ndërsa importi u rrit me 32 %. Ulja e eksportit vjen prej pamundësisë për të eksportuar energji elektrike si dhe rënies së nxjerrjes së naftës bruto si pasojë e çmimit të ulët në bursë.
Eksporti është në rënie prej disa vitesh. Në 2017 janë eksportuar 2,3 herë më pak se në 2013. Importi u rrit ndjeshëm kryesisht prej importit të energjisë elektrike në 6 mujorin e dytë të vitit 2017.

Ky grup megjithë rënien konstante në 4 vitet e fundit vazhdon të ketë ende peshë jo të vogël në strukturën e eksporteve siç ilustrohet grafikisht në vijim :

Ky grup vitet e fundit ka qënë përgjithsisht i balancuar. Situata specifike e 2017 ka bërë që vitin e fundit importet të jenë 50 % më shumë se eksportet siç ilustrohet grafiksiht në vijim:


Materiale ndërtimi dhe metale
Ky grup përbën rreth 1/7 e eksporteve dhe rreth 1/8 e importeve. Në 2017 kundrejt 2016, eksportet u rritën ndjeshëm me 37 % duke arritur vlerën më të lartë në 10 vitet e fundit.
Ndryshimet vjetore të eksporteve dhe importeve paraqiten ne grafikët respektivë në vijim.

Eksporti i Materialeve të Ndërtimit dhe Metaleve kontribon me 15 – 20 % në totalin e eksportit. Grafikisht ilustrohet në vijim:

Blinaci tregëtar I këtij grupi është negative me importe rreth 2 herë më shumë se eksportet siç ilustrohet në grafikun në vijim:


Makineri e Pajisje
Është grup me peshë të vogël në eksport. Tregues që vendi ende nuk prodhon teknollogji e për pasojë nuk ka shumë vlerë të shtuar. Megjithatë importet e larta të makinerive dhe pajisjeve tregojnë se vendi modernizohet. Ndërsa trefishimi i eksporteve në 10 vjet (ndërkohë që importet u rritën me 40 % në 10 vjet) dhe sidmomos rritja me 34 % vetëm vitin e fundit janë sinjal tejet pozitiv.
Ecuria 10 vjeçare e eksporteve dhe importeve të makinerive dhe pajisjeve ilustrohet në grafikët respektivë në vijim:

Eksportet e këtij grupi janë vetëm 1/20 e eksporteve të vednit ndërsa importet janë rreth 1/5 e importeve të vendit.

Bilanci tregëtar në këtë grup është thellësisht negativ, megjithëse në 2017 raporti Import:Eksport për herë të parë ra nën 10 me 1.


Loading...

Loading...
Loading...