Ilir Meta e futi në kurth opozitën, e mbajti 2 muaj në çadër dhe në momentin “kyç” u tërhoq në kolltukun presidencial

Ilir Meta e futi në kurth opozitën, e mbajti 2 muaj në çadër dhe në momentin "kyç" u tërhoq në kolltukun presidencial

Që kur u zgjodh president, krizën ia la ta zgjidhin Donald Lu dhe Bujar Nishani. Dhe që kur u zgjodh president, Ilir Metës nuk i ka më peshë fjala.

Kur shpjegoi strategjinë që ndoqi përballë çadrës, Edi Rama ia tha troç opozitës se Ilir Meta i gënjeu.

I vetëkënaqur me situatën, Edi Rama e shpjegoi atë që e quan dështim të srategjisë së Lulzim Bashës me votimin e Ilir Metës për president.

“Në këtë moment, strategjia e PD, faktikisht filloi të nxirrte ujë nga të gjitha anët, ndërsa strategjia jonë për të shkuar drejt 18 qershorit me sukses, funksionoi” tha kryeministri.

Me këto fjalë, Rama nxori zbuluar Ilir Metën, si njeriun që mbajti në çadër opozitën për më shumë se dy muaj, por që në momentin kyç, u tërhoq në kolltukun presidencial.

Në fakt, ndikimi i Ilir Metës në çadrën e protestës ka qenë i drejtpërdrejtë që nga nisja e protestës.

Me tolerancën për Sali Berishën në parlament, me akuzat kundër ministrave socialistë, me kërkesat për qeveri besimi dhe me përbetimet se nuk hyn në zgjedhje pa opozitën, Ilir Meta ishte vendimtar në përballjen PD-PS.

Shpresa e opozitës se kishte mbështetjen e LSI-së nuk ishte pa bazë.

Kur nga çadra kërkohej qeveri teknike, Ilir Meta propozoi “qeveri besimi”. Njësoj si Lulzim Basha, fliste për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe madje vinte kushte të forta për aleatin e tij në qeveri.

Kriza politike u amplifikua me deklaratat e forta të Ilir Metës, sipas të cilit kjo “e çonte vendin në drejtime të panjohura, të pakontrolluara dhe me pasoja të paparashikueshme”.

Tensioni brenda koalicionit arriti kulmin me gadishmërinë për t’i dorëzuar mandatet e ministrave, një propozim që çonte afërmendsh në rrëzimin e qeverisë. Para të gjithë shqiptarëve, Ilir Meta tha me zë dhe me figurë se nuk do të bëhej pjesë e një farse elektorale, nuk do të hynte në zgjedhje pa opozitën.

Kushtet e Metës u duk se vunë në pozitë të vështirë Edi Ramën në disa raste. Gjithçka zgjati deri në raundin e katërt të votimit të presidentit. Sapo mori votat e PS për president, Ilir Meta heshti.

Të gjitha këto qëndrime, Rama i thërret sot në kujtesë me ironi për opozitën, kur e etiketon Metën si “presidenti më me PD, pa qenë i PD”. Ato tingëllojnë si tallje me zhgënjimin që provoi opozita, e mbetur në çadër.

Nën ndikimin e padiskutueshëm të Ilir Metës, opozita e thelloi krizën dhe shkoi larg me kerkesat e saj, deri në pikën kur nuk mund të tërhiqej më.

“Unë, t’ju them të vërtetën dhe kam dëshmitarë, kam menduar se kjo nuk do funksionojë, se duke njohur shumë mirë Ilir Metën dhe mënyrën e funksionimit të LSI” u tha Rama demokratëve dje, duke vënë gishtin në plagë.

Kryeministri lë të kuptohet se Meta gjithnjë ka qenë një ortak i tij në lojë dhe se marrëveshja për Ilir Metën president nuk ishte një vendim i momentit të fundit.

Nëse PD ka qenë viktimë e lojës së presidentit dhe kryeministrit të pas-18 Qershorit, kjo mbetet për t’u parë.

Ndërkohë flamujt e LSI kanë nisur të valëviten kudo nëpër Tiranë, njësoj si në një atmosferë të zakonshme zgjedhjesh./lapsi.al