Ish-badigardët e Berishës, Agron Kuliçaj dhe Besnik Murati, kandidatë për deputetë në qarkun e Kukësit dhe të Dibrës. Ish-shikasi Arben Sefgjini në Lezhë?!

Sali Berisha pritet që të vendosë njerëzit më të besuar të tij në listat e kandidatëve për deputetë sipas qarqeve, në vendet prioritare dhe me shanse për të qënë në Kuvendin e Shqipërisë. Një lajm të tillë e konfirmojnë burimet nga qarku i Kukësit dhe më konkretisht nga rrethi i Tropojës si dhe i Dibrës dhe më konkretisht rrethi i Matit. Bëhet fjalë për Agron Kuliçajn ish-badigardin e Berishës, njëherësh dhe ish-zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë së shtetit dhe njeriun e gjithë pisllëqeve të qeverisë së shkuar, aktualisht këshilltar në grupin parlamentar të PD. I cili pritet të kandidojë në qarkun e Kukësit, për shkak të rivalitetit të fortë në këtë qark, dhe për pasojë e uljes së numrit të deputetëve nga katër që ka pasë në zgjedhjet e kaluara në tre deputetë. Pritet të jetë në garë së bashku me Flamur Nokën dhe mësohet se një kërkesë e tillë është bërë nga banorët e Tropojës. Pasi Kuliçaj është nga fshati Buçaj i Tropojës dhe me urdhër të Berishës dhe kërkesë të bazës, ai pritet të jetë kandidati kryesor në qarkun e Kukësit për të marrë mandatin e deputetit. Ndoshta mund të jetë dhe në krye të listës së kandidatëve për këtë qark, duke zhvendosur Flamur Nokën drejt jugut të vendit, ku ka marrë misionin e shkatërrimit të PD dhe vënien e saj nën kontrollin e PBDNJ dhe OMONIA-s.

Kuliçi ka një sërë akuzash mbi shpinë, si grupi “çiftelia” me Arben Frrokun të akuzuar për vrasjen e komisarit Lamaj, akuzat për zhdukjen e Eduart Belegut përfaqësuesit të DARFO Albania për shkak të trafikut të minerareve dhe të naftës, si dhe akuzash të tjera deri te vrasja në momentin e arrestimit të Dritan Dajtit. Për të cilin kabllogrami i ambasadorit amerikan në informacionet dërguar në Uashington shkruan: “Kuliçaj, i korruptuar dhe informator i Dritan Dajtit”.

“…Ambasada mbetet e shqetësuar në lidhje me Agron Kuliçaj, i cili nuk është prekur nga kjo rokadë. Burimet thonë se Kuliçaj është i korruptuar dhe donatorët ndërkombëtarë refuzojnë që të ndihmojnë policinë shqiptare, për shkak të prezencës së tij. Ambasadori i ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me korrupsionin në nivelet e larta të policisë shqiptare ministrit (i atëhershëm) Basha, ndërsa përfaqësuesi i ambasadës në ICITAP ka shprehur shqetësimet konkrete për Kuliçajn tek Burgaj.

Burgaj i ka thënë se Kuliçaj është i lidhur ngushtë me Kryeministrin Berisha dhe çdo përpjekje për ta larguar ose detyruar atë që të dorëhiqet duhet të vijë nga zyra e Kryeministrit. …Jo vetëm që praktikat korruptive të Kuliçajt janë shumë të njohura, por ka fjalë se ai mund të jetë i implikuar në shpartallimin e policisë gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në gusht. Dajti kishte marrë një spiunim nga brenda dhe disa oficerë policie humbën jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit. Njerëz brenda policisë besojnë se Kuliçaj mund të ketë ndihmuar Dritan Dajtin t’u shpëtojë tentativave të mëparshme për ta arrestuar”.

Por Berisha do të kandidojnë dhe Besnik Muratin, ish-badiogardin e vet për 16 vite, madje dhe shef i sigurisë eskortës së ish-kryeministrit. I cili për 16 vite me radhë ka pasur në “dorë” jetën e kreut të opozitës dhe të kryeministrit të vendit. Duke qënë nga fshati fshati Shëlli i rrethit të Matit, Besnik Murati është kandidatura kryesore për të përfaqësuar këtë rreth brenda qarkut të Dibrës si kandidat për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit të këtij viti. Ai mësohet se do vijë në Tiranë jo vetëm si kandidaturë e mbështetur nga Berisha por dhe si propozim i ish-komandantit të grupit të “zjarrit” në Gardë që vrau më 21 janar katër protestuesit e opozitës, Alfred Ahmetcenaj.

Besnik Murati mësohet se ka zhvendosur deputetin aktual të këtij qarku, Bedri Hoxha, i cili mësohet se është në kapërxyell të kalimit te PR e Fatmir Mediut për të kryesuar listën e kandidatëve të kësaj partie të djathtë në qarkun e Dibrës.

Besnik Murati si ish-badigard i Berishës është i njohur dhe për ndërhyrjen në eliminimin e rrezikut për Berishën në opozitë, nga një person në Rrashbull që kërcënoi vrasjen e Berishës përmes një bombe artizanale. Nga viti 2014 Murati mban postin e shefit të sigurisë në PD, ku ka si detyrë që të mbikëqyrë çdo lëvizje të dyshimtë në godinën e demokratëve. Murati njihet si një ndër njerëzit më të afërt dhe më të besuar të Berishës e që ka shërbyer shumë vite pranë tij dhe familjes së ish-kryeministrit. Kështu që Berisha ka vendosur ti sistemojë dy ish-badigardët e tij në Parlament, për t’i pasur të mbrojtur për çdo rast. Ndërkohë që janë gati dhe kandidatë të tjerë dhe nuk përjashtohet mundësia që dhe Arben Sefgjini, ish-kreu i SHIK për Tiranën dhe njeriu që është akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, mund të kandidojë në Tiranë, njësinë 8 ose në qarkun e Lezhës. Ku për pak kohë ishte prefekt në qeverisjen e Berishës./Pamfleti.com

PËRGJIGJU