Kamioni me 2.5 tonë drogë nga Durrësi drejt Ankonës, policia jep detaje të reja

Kamioni me 2.5 tonë drogë nga Durrësi drejt Ankonës, policia jep detaje të reja

NJOFTIMI:

Më datë 13.01.2017 nga ana e Zyrës Ndërlidhëse të Policisë Italiane “INTERFORZA” në Tiranë, është informuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mbi sekuestrimin e një sasie prej 2 ton e 530 kg lëndë e dyshuar llojit “Cannabis Sativa” me datë 11.01.2017 në Portin e Ankonës në Itali, që ishte e ngarkuar në Kamionin “MAN”, me targa AA 846 GJ dhe AER 357, me drejtues shtetasin Shqiptar Dhimo KORAJ, 47 vjeç, lindur në Fier e banues në Gjirokastër.

Ky kamion më datë 09.01.2017 është nisur nga Porti i Durrësit me tragetin M/N AF MARINA me destinacion Durrës-Bari.

Policia Italiane ka arrestuar në flagrancë shtetasin Shqiptar Dhimo KORAJ, i cili shoqëronte kaminon në Portin e Ankonës, ndërsa në listën e pasagjerëve figuronte si shofer i këtij kamioni i nisur nga Durrësi më datë 09.01.2017, shtetasi Demo PROGONATI, 46 vjeç, lindur në Progonat dhe banues në Fier.

Në bazë të informacionit të sjellë nga Pala Italiane, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit ka bërë regjistrimin e Procedimit Penal Nr.12 datë 13.01.2017 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në vazhdën e veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri me tani janë arrestuar ne kuadër të këtij procedimi edhe shtetasit e mëposhtëm :

· Më datë 04.12.2017, u ndaluan shtetasit Skënder Siqeca, 53 vjeç dhe Arbi Mustafa, 34 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Trafikimi i Narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

· Më datë 05.12.2017, u ndalua shtetasi Agron Kapllani, 51 vjeç, banues në Durrës, ish punonjës policie, trup shërbimi, shoqërues qeni në Portin e Durrësit, për veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Neni 283/a/2 i Kodit Penal. Përjashtuar nga Policia e Shtetit më datë 18.07.2017.

· Më datë 05.12.2017, u ndalua shtetasi Gëzim Dervishi, 59 vjeç, banues  në Durrës, ish specialist në trajtimin e qenve të shërbimit në Stacionin e Policisë Kufitare Durrës, në për veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Neni 283/a/2 i Kodit Penal. Përjashtuar nga Policia e Shtetit më datë 28.07.2017.

· Më datë 05.12.2017, u ndalua nga SH.Ç.B.A,  shtetasi Festim Lelaj, 47 vjeç, Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier.

· Më datë 06.12.2017, u ndalua shtetasi Altin Katundi, 50 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me detyrë Doganier në Portin e Durrësit.

· Më datë 06.12.2017, u ndalua shtetasi në kërkim Mikail Hila, 28 vjeç, banues në Tiranë, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Po në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar më parë edhe shtetasit e mëposhtëm:

· Më datë 15.01.2017, u ndalua shtetasi në kërkim Demo Progonati, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve në bashkëpunim.

· Më datë 07.06.2017, u ndalua shtetasi në kërkim Euron Hoti, 35 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikeve”. Neni 283/a/2 i Kodit Penal.

· Më datë 21.06.2017, u ndalua shtetasi Malton Lleshi, 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ”Trafikimi i narkotikëve e kryer në bashkëpunim”.

· Më datë 28.11.2017, u ndalua shtetasi në kërkim Aurel Lazaj, 32 vjeç, banues në Vlorë.

Në lidhje me këtë rast trafiku të lëndëve narkotike, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Policinë e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë, duke çuar para drejtësisë të gjithë personat e implikuar.