KLSH jep alarmin: AKU nuk garanton sigurinë ushqimore në vend

KLSH jep alarmin: AKU nuk garanton sigurinë ushqimore në vend

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dhënë dje alarmin se qytetarët në vend nuk janë të sigurt për atë se çfarë konsumojnë. Pas një auditivi të kryer aty, KLSH ka arritur në përfundimin se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk garanton sigurinë e qytetarëve. Sipas KLSH, përgjegjësitë ligjore në zinxhirin e sigurisë ushqimore, karakterizohen nga dublime, shmangie dhe mos-eficencë, me pasojë dobësim të strukturave që ndikojnë në mirëqenien social-ekonomike të qytetarëve shqiptarë. AKU zhvillon aktivitetin e tij pa pasur të miratuar Rregulloren e brendshme që nga fillimi i veprimtarisë së tij në maj 2010, në kundërshtim me ligjin për ushqimin dhe VKM për organizmin dhe funksionimin e saj. Po sipas KLSH, AKU ka zhvilluar aktivitetin e vet pa u mbikëqyrur nga bordi për çështje shumë të rëndësishme si: pa miratuar objektivat strategjikë dhe planet e punës, pa miratuar projekt-buxhetin, pa analizuar raportin vjetor të vlerësimit të veprimtarisë, pa miratuar kriteret e punësimit apo dhe projektplanin e menaxhimit të krizave si dhe me raportim të kufizuar Ministrit të Bujqësisë, si rezultat i mos- funksionimit të bordit.

“Ka pasur lëvizje të shpeshta të Drejtorëve të përgjithshëm të AKU-së; pas vitit 2016 Ministri i Bujqësisë ka propozuar dhe Kryeministri ka emëruar në dy raste Drejtorin e Përgjithshëm në mungesë të plotësimit të kritereve të vendosura për përvojën në punë në administratën shtetërore më pak se 5 vjet, në kundërshtim me VKM nr. 173, datë 7.3.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose të Ministrit”, duke ndikuar negativisht në performancën e AKU në tërësi.

Ka munguar veprimtaria e mirëfilltë e AKU-s për analizën e riskut në nivel drejtorie, sektori dhe specialistësh, duke ulur performancën e veprimtarisë inspektuese dhe për pasojë ndikimin në përmirësimin e sigurisë ushqimore”, njoftoi KLSH. Më tej është deklaruar se AKU nuk disponon të dhëna mbi listën e operatorëve të biznesit ushqimor të regjistruara me TVSH të cilët kanë të detyrueshme licencimin, duke rrezikuar zhvillimin e aktivitetit jo në përputhje me ligjin për ushqimin dhe për pasojë cenimin e sigurisë ushqimore në vend.