KQZ rrëzon kërkesën e PS-së për shkarkimin e Klement Zgurit

KQZ rrëzon kërkesën e PS-së për shkarkimin e Klement Zgurit

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për shkarkimin e Klement Zgurit.

Përmes një relacioni socialistët dënonin sjelljen, sipas tyre individuale të kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në lidhje me rastin e kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, duke mos thirrur mbledhjen e KQZ-së për mandatin e tij.

PS kërkoishkarkimin e Klement Zgurit nga detyra e kryetarit të KQZ për shkelje të rëndë të ligjit të dekriminalizimit. Në relacionin e tyre, socialistët citonin rregulloren e brendshme të organizimit dhe funksionimit të administratës së KQZ, sipas së cilës Kryetari i KQZ kishte detyrimin ligjor që brenda 10 ditëve nga data 16.10.2017 të thërriste në seancë publike mbledhjen e KQZ dhe të fuste këtë çështje “për shqyrtim”.

Po në datë 17 tetor, sipas KQZ është bërë nxjerrja e këtyre shkresave nga zyra e Kryetarit të KQZ-së dhe dorëzimi për anëtarët e KQZ-së, tek sekretarja Elona Dai, e cila ka nënshkruar në regjistrin përkatës për marrjen në dorëzim të këtyre shkresave me numër kopje gjashtë.

Me shkresën e publikuar, KQZ hedh poshtë pretendimet e PS që Zguri nuk i kishte vënë në dijeni anëtarët e KQZ-së për dokumentin e prokurorisë. Megjithatë PS ka nisur procedurat për shkarkimin e kreut te KQZ Klement Zgurit me pretendimin se nuk ka lajmëruar anëtarët e KQZ.

Dje kryeministri Edi Rama paralajmëroi shkarkimin e kryebashkiakut të Mallakastrës, i cili sipas tij preket nga ligji i dekriminalizimit, pasi ka qenë dënuar në Itali.