Kryespiuni gjunjëzoi politikën, nga Ilir Meta te Edi Rama, të gjithë të kapur në përgjime skandaloze, Visho shpërblehet për të heshtur

Kryespiuni gjunjëzoi politikën, nga Ilir Meta te Edi Rama, të gjithë të kapur në përgjime skandaloze, Visho shpërblehet për të heshtur

Visho Ajazi Lika ka marrë peng gjithë politikën shqiptare. Ai i ka përgjuar të gjithë, i ka shantazhuar të gjithë, i kërcënon të gjithë dhe sot ia arriti t’i nënshtrojë të gjithë. E detyroi Kryeministrin ta propozojë për ambasador tek Presidenti dhe do ta detyrojë Presidentin që ta dekretojë propozimin.

***

Politika e Tiranës, në vitin 2014, shkeli në një shteg të gabuar, duke tentuar të zbërthente misteret e Shërbimit Informativ Shtetëror. Ky shërbim që nga viti 1998, kur u shemb arkitektura kriminale e Sali Berishës, u kthye në organet më të besuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke krijuar në të njëjtën kohë një perde mosbesimi me klasën politike. Në shkurt të vitit 2014, për shkak të dyshimeve për përgjime dhe zbulim të zullumeve të politikës, Edi Rama urdhëroi ngritjen e një grupi kontrolli, për të kontrolluar veprimtarinë e Shërbimit Informativ Shtetëror në raport me politikën, sidomos pas vitit 2012, kur Sali Berisha dhe Bujar Nishani emëruan Visho Ajazi Likën në krye të shërbimit.

Grupi i kontrollit përbëhej nga deputetët e Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, Pjerin Ndreu dhe Piro Lutaj, që ishin pjesë e Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Plani i kontrollit kishte për qëllim të zbulonte politikanët e përgjuar nga SHISH dhe njerëzit e për interesuar të pasur në dorë këto përgjime. Hyrja e tre deputetëve të besuar të Ramës në zyrat e SHISH, me të vërtetat e që do të zbuloheshin, do të trondiste politikën shqiptare. Çuditërisht, sa më shumë zgjerohej kontrolli në SHISH, heshtja politikës sa vinte e bëhej edhe më e plotë. Nga kontrolli u zbulua se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte qenë politikani më i përgjuar në Shqipëri për telefonata të gjata dhe të shpeshta. Ilir Meta fliste shpesh me një pronar mediash, i përfolur për pastrim parash dhe trafiqe droge. Veprimtaria e tij pritet të zyrtarizohet me ngritje e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Duke konfirmuar përgjimet Ilir Meta pohoi: “Ishte një kënaqësi që isha i pari në listën e atyre që përgjoheshin. Problemi është që kanë rënë në kurth ata që kanë përgjuar. Nuk janë këto tema mjaft interesante për mua, madje këto punët e shërbimeve, të përgjimeve apo spiunimeve për mua janë ndonjëherë fare banale ose në të tilla kthehen kur njerëzit kërkojnë t’iu japin një rëndësi që nuk ekziston. Por çështja e respektimit dhe zbatimit të ligjit është një problem mjaft i rëndësishëm për cilindo, sepse ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka të bëjë me ruajtjen e integritetit të institucionit dhe sigurisht që të gjithë duhet të jenë të qetë, sepse në rast se është shkelur ligji, siç pretendohet nga disa, padyshim që do të ketë përgjegjësi për këtë shkelje”.

Menjëherë pasi Shërbimi Informativ Shtetëror nisi të rrëmojë në të kaluarën e tij, pronari i mediave, e ktheu televizionin në një armë kundër SHISH. Ky person nisin një valë sulmesh të përditshme ndaj SHISH, pasi ndihej i rrezikuar për shkak të publikimit të të kaluarës. Sulmi vazhdoi me kronika televizive, analiza, emisione etj. Gazetarët morën urdhër që të gjenin çdo gjë kundër SHISH. Në funksion të kësaj fushatë u angazhuan edhe emisionet televizive.  Njëra nga dhjetëra kronikat, në kohën kur dolën përgjimet është: “Rikthimet dhe emërimet në shkelje të plotë dhe të hapur të ligjit për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ Shtetëror, kanë qenë fokusi i investigimit të emisionit “Alarm”. Me emërimin e Drejtorit Visho Ajazi Lika në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror në gusht të vitit 2012, kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në personel e sidomos në kupolën drejtuese të tij. Nga një anë kemi ish-punonjës të viteve ‘92-‘97 të rikthyer dhe emëruar në poste të larta drejtuese. Pasi kanë qenë të larguar për shumë vite nga ky shërbim, rikthimi i tyre është vlerësuar duke ju dhënë mundësi që ata të mbajnë tani poste të rëndësishme drejtuese. Së dyti, punonjës të dikastereve të tjera të emëruar në kundërshtim me statusin e punonjësve të SH.I.SH pranë këtij të fundit, por edhe punonjës të mbetur nga vitet ‘92-‘97, promovuar me ndryshimet e fundit, në pozicione drejtuese. Megjithëse një institucion që në bazë të punës së tij ka sekretin, gazetarët e “Alarm” kanë arritur të zbulojnë se edhe pse në mungesë të disa kushteve si kursi bazë , apo kushti i sigurisë , këta punonjës janë sot kupola e SHISH”.

Njeriu i dytë më i përgjuar ishte Edi Rama. Nga interesi i madh rreth raportit, rezultoi se Edi Rama kishte zhvilluar telefonata të gjata po me personin me të cilin kishte biseduar në telefon Ilir Meta. Duke pasur në objekt të përgjimit personin në fjalë, Edi Rama ka dalë shpesh në përgjimet e SHISH. Rama është përgjuar 70 herë. Bisedat kanë mbetur në nuklin e përgjimeve në SHISH. Në bisedat telefonike me persona nën përgjime ka dalë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Nuk ka të dhëna për përgjimin e Sali Berishës, i cili dyshohet se ka qenë njeriu i interesuar për përgjimin e njerëzve të tjerë të politikës, duke shfrytëzuar edhe raportin e varësisë me kreun e SHISH, i cili më pas ka qenë zëvendësministër në qeverinë Berisha, ndërsa nga 20 vite më parë vartës dhe i besuar i Bashkim Gazidetes, edhe ky ish-vartës dhe i besuar i Sali Berishës. Të përgjuar ishin edhe Vangjel Dule, Vasil Bollano, Tom Doshi, Ben Blushi, Taulant Ball, Paulin Sterkaj, Armando Prenga, Mark Frroku, Ilir Beqja, Pjerin Ndreu, Astrit Patozi, Ilir Rusmajli, Sokol Olldashi, Bujar Leskaj, Ylli Ndroqi, Frrok Çupi dhe Agron Kuliçaj.

Pas miratimit të raportit të kontrollit, deputetët e Partisë Socialiste, të cilët nuk e kishin kuptuar lojën, i kërkuan Edi Ramës që t’i kërkonte Bujar Nishanit shkarkimin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika. Kur deputetët naivë prisnin shkarkimin, Edi Rama, me anë të një ceremonie në fshehtësi, vendosi të dekoronte Visho Ajazi Likën. Ish-deputeti Piro Lutaj këmbëngulte më shumë për ta çuar deri në fund misionin kundër kreut të SHISH. Gjatë një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama humbi durimin me deputetin Lutaj, të cilin e kërcënoi që të mos fliste më për çështjen e kontrollit të SHISH dhe për rezultatet e kontrollit. Rama i kërkoi ish-deputetit që as mos të fliste më lart e poshtë për Shërbimin Informativ Shtetëror. Për këtë gabim, Piro Lutaj nuk e ka më vetën në listën e kandidatëve për deputetë në mesin e këtij viti.

Raporti shkoi në tavolinën e Ilir Metës, i cili veproi me të njëjtën mënyrë. Pasi u njoh me rezultatet e kontrollit Ilir Meta, për raportin nuk u fol më. Mes politikës, SHISH dhe elementëve të krimit u vendos menjëherë një pakt i heshtur, pasi të dhënat e raportit i rrezikonin të gjithë palët. Këto ditë po flitet shumë për luftën ndaj krimit në Shqipëri. Kryeministri flet se do të vijnë agjentë nga BE dhe SHBA. Ambasadori amerikan kërkon veprim. Pa raportin e SHISH për përgjimin e politikanëve të lidhur me krimin, lufta e re kundër mafies, do të jetë vetëm një strategji e re për të mbrojtur krimin./Pamfleti.com