Llallës i përfundon mandati: Rama kërkon të rifusë në lojë Metën, ja lëvizjet e momenteve të fundit

Llallës i përfundon mandati: Rama kërkon të rifusë në lojë Metën, ja lëvizjet e momenteve të fundit

Adriatik Llalla është sot pa mandat si Kryeprokuror i Republikës. Atij, sot i ka përfunduar afati ligjor që e ngarkoi Kuvendi i Shqipërisë pesë vjet më parë. Por, Parlamenti shqiptar jo vetëm që nuk e ka zgjedhur Prokurorin e ri të Përgjithshëm, por as nuk e ka vënë në rendin e ditës. Madje edhe e hoqi nga kalendari, të enjten e kaluar.

Po tani ç’do të ndodhë?

Askush nuk e di përveç kupolës së lartë: presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama, të cilët kanë tagrin për të lëvizur ligjërisht. Duket se lëvizja e së enjtes e mazhorancës për të hequr nga rendi i ditës nisjen e procedurave të zëvendësimit të Prokurorit të Përgjithshëm është bërë që t’i japë hapësirë Presidentit të Republikës, që të veprojë sipas Kushtetutës së vjetër, meqë ende nuk është zbatuar, pra ka nisur punën korpusi institucional i Kushtetutës së re: Këshilli i Prokurorisë, i cili ka tagrin për të përzgjedhur kandidaturat si për Kryeprokuror të Republikës, por edhe për krerë të prokurorive në rrethe, si dhe kreut të SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Aktualisht në këtë monent, Ilir Meta është ende Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucion edhe pse në shuarje e sipër, është legal dhe bën emërimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Çdo lëvizje në Prokurori, bëhet me dekret të Presidentit të Republikës, dhe si e tillë, kjo çështje edhe pse mund të hapë polemika është në dorë të Ilir Metës. Pikërisht për këtë, Edi Rama nuk ka dashur të kryeje menjëherë zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm, pasi prêt sinjalin nga presidenca.

Por këto lëvizje mund të vonojnë dhe aktualisht ne kemi një Kryeprokuror jashtë mandatit. Në fakt me ligjet e reja të reformës në drejtësi, kryeprokurori nuk ka tagër për të nisur një dosje penale, pasi është kompetencë e prokurorive të rretheve apo të atyre të Krimeve të Rënda. Por krerët e prokurorive emërohen dhe shkarkohen nga Llalla, i cili ia dërgon Presidentit të Republikës.

Është Llalla dhe Meta që kanë mundësi të lëvizin prokurorët dhe që e kanë bërë.

Megjithatë prej ditës së sotme, kryeprokurori është në limitet e firmës së tij. Mos vallë mazhoranca prêt që Kryeprokurori të firmosë ndonjë shkresë dhe më pas të bëjë lëvizjen e radhës? Burimet flasin se Edi Rama do të zhvillojë një konsultim me Ilir Metën sot për të ndarë se çdo të bëhet.

Sipas gjasave, kandidati i mundshëm për të zëvendësuar Llallën të paktën përkohësisht është prokurori Dritan Rreshka. Në vitin 2015 ai u trajnua në SHBA për luftën ndaj korrupsionit por nuk u dekretua nga Presidenti i atëhershëm Bujar Nishani dhe u mënjanua nga Adriatik Llalla. Amerikanët e OBDAT dhe EURALIUS kanë kërkuar nga Kuvendi që të zëvendësojë menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm, të paktën përkohësisht me një prokuror aktual deri në instalimin e Këshillit të Prokurorisë. Kriza aktuale në institucionin e akuzës është një minë me sahat, që mund të destabilizojë jo vetëm drejtësinë por të lëkundë ekuilibrat institucionale në vend./Pamfleti.com