“Luani dhe miu”, metamorfoza e “Rilindjes”

"Luani dhe miu", metamorfoza e "Rilindjes"

Me ardhjen e tij në pushtet Edi Rama nuk po sillet si “Mbreti Luan” i historisë, që kujdeset edhe për “Miun” e vogël. Por po sillet çdo ditë e më shumë si një “Hienë” e pangopur dhe me arrogancën dhe muskujt e tij të pushtetshëm po e thith edhe grimcën e fundit të shpresës shqiptare.

Shkruan: Bled Marku

Të gjithë e dimë historinë e famshme të “Luanit dhe Miut”. Pasi luani i`a kurseu jetën miut, ky i fundit nuk e harroi, dhe ia ktheu në të njëjtën mënyrë duke e çliruar luanin nga rrjeta e gjahtarëve, që mund ta çonin në ndonjë kafaz në kopështin zoologjik, ose më keq akoma vrasjen e luanit.

Kjo histori më vjen në mendje sa herë mendoi ose kujtoi se me çfarë premtimesh erdhi Kryeministri i tanishëm shqiptar, Edi Rama në pushtet. I gjendur në pozicionin e “miut” të lartëpermendur në vitin 2013. Rama kërkoi ndihmën dhe mëshiren e çdo njeriu të thjeshte për të realizuar ëndërrën e tij kryeministrore. Dhe për ta arritur qellimin e tij ai bëri premtime të mëdha, ku fokusin më të madh e kishte te çështjet ekonomike dhe po të citojmë Ramën ai premtoi:

1- Paga më të larta për çdo punonjës në vend

2- Me anë të reduktimit të taksave, çdo shqiptar do të arrijë të kursejë më shumë, duke siguruar kështu një rrogë të 13-të për çdo familje.

3- Ulje të faturave të energjisë elektrike

4- Ujë 24 orë në 24 për çdo familje shqiptare

5- Dhe më skandalozja nga të gjitha “Shëndetësi falas”.

Por, sapo u bë “Luan”, Rama harroi se nga erdhi, harroi se çfarë u premtoi shqiptarëve, harroi se cili ishte misioni që ju besua atij. Ai filloi ti shihte të gjithë shqiptarët si minj, për të mbushur arkat e partisë dhe të “Rilindjes” që ai drejton.

Ndër aksionet e para, të cilësuara edhe nga vetë Rama si më të suksesshmet është ai kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Edhe pse u hoq fasha mbrojtëse prej 300-KW, u rrit çmimi i energjisë, si edhe u shtuan matësat e vendosur, burgjet shqiptare u mbushën me “fakira” dhe “pabuksa” që nuk paguanin energjinë. Disa prej të “burgosurve të energjisë” i dhanë fund edhe jetës së tyre në qelitë e ftohta të shtetit.

I rradhës ishte aksioni qeveritar për formalizimin e ekonomisë. Rama e dha urdhërin dhe xhandarët e zbatuan. U vërsulen në çdo biznes të ndershëm për të kërkuar “haraçin” shtetëror ose në të kundërt, i priste burgu. U hap një tregti e re, ajo e shitjes së kasave fiskale, edhe pse e kërkonte shteti me ngulm, kjo kasë u kushtoi çdo drejtuesi të biznesit të vogël ose të mesëm 50.000 lekë të rinj ose 500.000 lekë të vjetra. Bizneset u detyruan të deklarojnë dhe të sigurojnë çdo punonjës të tyre, në fakt, kjo ishte e nevojshme, por jo në kohën kur ende pa u zbardhur shuplaka e parë shtetërore, vjen e dyta dhe godet po në të njëjtin vend, por kjo e dyta lë një shenjë të madhe në ekonominë familjare. Sepse Rama e do shtetin dhe ua faturon shqiptarëve koston e të bërit shtet.

Me fatura të fryra dhe me xhepat bosh, shqiptarët kërkojnë të largohen nga vendi duke kërkuar azil ekonomik në vende të ndryshme europiane dhe shkaktohet kështu eksodi më i madh pas atij të viteve ‘90. Por persekutimi i Ramës i ndjek edhe jashtë kufinjëve. Kryeministri shqiptar del dhe lobon në Evropë, se kemi rritje të ekonomisë dhe mirëqenies, madje duke e shpallur Shqipërinë një “Vend të Sigurtë Origjine”, çka çoi në refuzimin e mijra kërkesash për azil në Gjermani, Francë, Suedi, Zvicër etj etj.

E ndërsa shqiptarët flisnin me vete në rrugë, nuk dinin ku të siguronin paratë e mbijetesës, filloi edhe aksioni i policisë së shtetit, për pajisjen e automjetit me paketën mjekësore. Këtë paketë madje nuk mund ta sajoje me mjete rrethanore, pasi dikush afer pushtetit kërkonte të bënte tregëti me urdhërin e ri qeveritar. Por jo vetëm kaq, policia ashpërsoi masat e kalimit me semafor të kuq, për përdorimin e rripit të sigurimit, ku gjobat varjonin nga 15.000 deri në 50.000 mije.

Dhe ndërsa policia vijon aksionin dhe me syrin e tij të mprehtë kontrollonte çdo rrip sigurimi, nuk arrinte dot të shihte fushat e mbjella me kanabis nga veriu në jug të Shqipërisë. Vijmë më tej në 2015, nga Ministër i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj u kandidua nga Rama në postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, dhe me votat e LSI-së arriti të siguronte një fitore të thellë kundër kandidatit të PD-së, Halim Kosova.

Në çdo vit elektoral muhabeti është i njejtë, nuk ka rritje taksash, duhet të krijohet idea se politikanët jo vetëm pijnë gjak, por edhe tregojnë mëshirë ndonjëherë. Pas disa muajsh pasi mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i frymëzuar edhe nga “Babai i tij Politik” Edi Rama, me dorë të hekurt dhe pa i`u dridhur qerpiku, rriti çmimin e biletës së transportit publik, nga 30 lekë që ishte, e çoi në 40 lekë, duke mos përmirësuar asnjë shërbim, thjesht e kërkonte mania e të bërit shtet. Akoma pa e mbyllur vitin e parë qeverisës, Këshilli Bashkiak vendosi të rrisë të gjitha taksat vendore të cilat janë:

1-Taksa mbi ndërtesën.

2-Taksa për shtëpitë e banimit.

3-Taksa për ndërtesat për tregjet.

4-Taksa mbi tokën bujqësore.

5-Taksa mbi truallin.

6-Taksa e fjetjes në hotel.

7-Taksa e ndërtuesve.

8-Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë.

9-Taksa e mjeteve të përdoruara.

10- Taksa e tabelës.

11-Taksa e gjelbërimit.

Të cilat do ti paguajnë çdo muaj banorët e Tiranës.

Duke ardhur edhe më tej, në verën e 2017, Bashkia e Tiranës, nisi aksionin e saj vetiak për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm. Një aksion ky që u mbyll me rritjen e çmimit të ujit me 20 lekë për metër kub.

Po në 2017 Edi Rama e mori i vetëm timonin qeverisës. Për herë të parë e pas 8 vitesh, e dërgoi LSI-në në stolin e rezervave, e cila më në fund provoi çdo të thotë të jesh në opozitë.

Me tepsinë në oborrin socialist, Edi Rama lajmëroi nisjen e reformës së ujit, të ngjashme me atë të energjisë elektrike, duke bërë që të dridhen edhe një herë “këllqet” e shqiptarëve, pasi Kryeministri përmendi Kodin Penal, çka nënkupton hapjen e burgut për varfanjakët dhe pabukësit. Projekti tjetër i tij, është përfshirja në skemën e TVSH-së e biznesit të vogël, që do të thotë rritje të çmimeve ushqimore, favorizim i biznesmenëve të mëdhenj dhe falimentim të të vegjëlve.

Pra, këtë na solli “Rilindja” rriti taksa, vështirësoi jetesën e njerëzve të thjeshtë dhe favorizoi ata që mbjellin kanabis, bizneset e mëdha dhe oborrin qeveritar të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Me ardhjen e tij në pushtet Edi Rama nuk po sillet si “Mbreti Luan” i historisë, që kujdeset edhe për “Miun” e vogël. Por po sillet çdo ditë e më shumë si një “Hienë” e pangopur dhe me arrogancën dhe muskujt e tij të pushtetshëm po e thith edhe grimcën e fundit të shpresës shqiptare./Pamfleti.com

more recommended stories