Mafia e konçensionit të skanimit/ Si i bleu mjeku Olti Pecini 49% të aksioneve të një konçesioni me vlerë 316 milion USD për 490 lekë. Kush fshihet pas ICMS dhe spitalit “Salus”?!

Koncesioni i shumëpërfolur i skanimit mbështillet me të tjera pikëpyetje. Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe zbuloi se, në të është përfshirë edhe një kompani tjetër, përveç “Rapiscan”.

“Rapiscan dhe kompania ICMS kanë lidhur një marrëveshje ku transferohen 49 për qind e aksioneve. Në datën 16 shtator 2013, një ditë përpara se të dilej nga zyra (referuar largimit të qeverisë “‘Berisha”)”, u shpreh kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe.

Por elementi, që shton edhe më shumë dyshimet – sipas Braçes, – është çmimi, me të cilin kompania ICMS bleu 49 për qind të aksioneve në kontratën monopol.

“Kompania ICMS ka blerë 49% të aksioneve të këtij koncesioni, që kushtonte 316 milionë dollarë, për vetëm 490 lekë”, deklaroi deputeti socialist Braçe.

Nga dokumentet e QKR-së rezulton se, aksioneri i vetëm i ICMS është mjeku Olti Pecini. Paralelisht, kompania figuron se është me barrë siguruese nga Banka Kombëtare Tregtare dhe nuk lejohet të transferojë aksionet e saj. Qeveria i pranon faktet, por thotë se është e pafuqishme për të vepruar.

“Ne nuk e fshehëm që kishim për objektiv anulimin e kontratës, duke patur dijeni për këto. Por, është bekuar në mënyrën më të mirë të mundshme kontrata”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Ende mbetet e paqartë se, kush e autorizoi shitjen e gati gjysmës së koncesionit me vlerë 210 milionë euro, për vetëm për 490 lekë. Por transaksioni ngre shumë pikëpyetje, jo vetëm për vlerën, por edhe për kohën e realizimit të tij./shqip (vijon…)