Majlinda Bregu rrëfen fëmijërinë: Ju tregoj dashurinë e dy gjysheve

Majlinda Bregu rrëfen fëmijërinë: Ju tregoj dashurinë e dy gjysheve

Ish-deputetja Majlinda Bregu ka ndarë një histori personale me ndjekësit e saj në rrjetet sociale.

Përmes një rrëfimi plot emocion, ajo ka përshkruar raportet e ndërtuara me dy gjyshet gjatë fëmijërisë.

Bregu sjell detaje nga vegjëlia e saj ku nuk lë pa përmendur dashurinë e madhe që i kanë dhuruar duke i ndikuar pozitivisht në jetë.

Postimi i plotë

Si pjesa më e madhe e brezit tim jam rritur me shumë njerëz pranë. Të dyja gjyshet banonin pranë njëra- tjetrës.

Një shtëpi e stërmadhe private me xhaxhallarë, lulee të gjitha pemët e mundshme; dhe një tjetër me dajallarë e teze, me pemë, por më pak lule.

Siç Zoti i kombinon gjërat çuditshëm, në shtëpinë ku linda në një ditë maji kishte rregulla fikse, edhe kur ujiteshin lulet plotngjyra, “Pak para se të binte mbrëmja ose herët në mëngjes”.

Te gjyshja tjetër ishte në fuqi ligji i dashurisë pa kushte, ëmbëlsia në çdo fjalë dhe përkëdhelia me tepri, si për të kompensuar rreptësinë e tjetrës.

Aty ku jetoja rrëmuja ishte herezi; te gjyshja tjetër, nënëdaja, ishte liri. Njëra urdhëronte pa dhimbje nuset në shtëpi për të mos ndryshuar as pa dashje vendimin e saj (e kam të qartë se sa vlonin përbrenda mami im dhe kunatat, të katërta nuse të reja); nënëdaja i puthte nuset me të gdhirë sabahu.

Te njëra më mësohej si t’i mbanin vajzat këmbët kur të uleshin, te tjetra si të rrinin gocat sa më rehat. Njëra më paralajmëronte se ç’ndodhte me një vajzë po të mos ishte “nikoqire”, tjetra thoshte “kur t’i vijë koha do t’i mësojë të gjitha”.

Nuk e dalloje dot ku fillonte dhembshuria e ku mbaronte zemërimi për gjyshen e shtëpisë. Mendjehollë, sqimatare dhe ironike.

Mbi një makinë qepëse “Singer” përkulur gjithë jetën për të mbajtur familjen, nuk e di ku e gjente kohën për t’u shërbyer gjithë atyre burrave në shtëpi. Nuk iu nda asaj makine deri në fund.

Unë mblidhja copat e mbetura nga prerjet dhe me to sajonim rrobat dhe jorganët e kukullave që shtriheshin radhë në kuti këpucësh.

E kam menduar shpesh se “sfida” që më bënte ime gjyshe për të qepur, veshur e kombinuar kukullat vetë “sipas ngjyrave që kanë lulet”, shoqëruar me zellin e mamit për të parë ç’kisha sajuar, më ka ndjekur si hijezim gjithë kohës…

more recommended stories