Mero Baze: Një zgjidhje administrative e krizës nga KQZ!

Mero Baze: Një zgjidhje administrative e krizës nga KQZ!
Mero Baze: Një zgjidhje administrative e krizës nga KQZ!

Nga Mero Baze

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka lënë pa përgjigje, kërkesën e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me shtyrjen e datës së regjistrimit të koalicioneve në datën 29 Prill. KQZ ka shprehur pamundësinë e saj, për të marrë një vendim, çka parimisht nënkupton, se prej sot e tutje, mbetet në fuqi afati ligjor i përcaktuar në Kodin Elektoral, që interpreton datën 19 Prill, si dita e fundit, kur mund të paraqiteshin koalicionet për konkurrim.

Sipas kësaj logjike, i bie që nëse nuk ndërmerren veprime të tjera, këto zgjedhje do të zhvillohen bazuar mbi garën mes subjekteve politike, secila më vete,  dhe jo mes koalicioneve.

Por jo gjithçka është kaq e qartë.

KQZ vlen të përgëzohet që nuk ndërmori një hap në shkelje të ligjit, dhe të pranonte kërkesën e PS-LSI, por ajo praktikisht nuk ka interpretuar hedhjen poshtë të kësaj kërkese, çka nënkupton se ata kanë ende shans të interpretojnë heshtjen e KQZ.

Në datën 29 Prill, partitë politike kanë një datë kontakti me KQZ, ku ata duhet të çojnë listat e kandidatëve për deputetë dhe meqë nuk kanë përgjigje nga KQZ, për kërkesën e tyre, mund të çojnë dhe Marrëveshjen e Koalicionit.

Në atë moment, duhet të futet në lojë Kolegji Zgjedhor, i cili duhet të interpretojë ligjshmërinë e paraqitjes së partive me Marrëveshje Koalicioni.

Për këtë shkak, KQZ meriton të vlerësohet që nuk u përfshi në një shkelje ligjore haptazi, por praktikisht i ka hapur rrugë manovrave politike dhe sidomos bisedimeve me Partinë Demokratike, në fillim të javës që vjen me negociatorët Perëndimorë.

Nëse negociatat do të kenë sukses, dhe Partia Demokratike do të hyjë në zgjedhje, atëhere PS dhe LSI duket se do të bëjnë presion në Kolegjin Zgjedhor, që të interpretohet si e lejueshme hyrja në koalicion dhe do të dalin së bashku.

Nëse Partia Demokratike nuk pranon të hyjë në zgjedhje dhe negociatat dështojnë, atëhere, PS dhe LSI, do të lejojnë KQZ-në të “mos i rregjistrojë” si koalicione dhe do të hyjnë secili më vete në zgjedhje.

E gjitha duket se është një përpjekje për të lënë një derë hapur për PD, deri javën që vjen dhe për të vazhduar më tutje të vetëm në zgjedhje.

Në funksion të kësaj historie, është dhe data e zgjedhjes së Presidentit.

Nëse PD hyn në zgjedhje dhe LSI bën koalicion me PS, Ilir Meta ka gjasa se “do të pranojë”, kandidimin për President. Në rast të kundërt, Presidenti do dështohet në pesë raunde zgjedhjesh, “në pritje të opozitës”  dhe do të shtyhet për tu zgjedhur nga Kuvendi i ri në Shtator.

Ky duket se është një skenar i lodhshëm i zgjidhjes së krizës me procedurë, por është i imponuar nga fakti që kriza është artificiale dhe jo politike. Në një vend ku opozita ka ngritur çadrën në Bulevard, kundërshton Reformën në Drejtësi dhe zgjedhjet e reja, rezultati i krizës, është edhe më i keq për opozitën, pasi ajo, po humbet statusin e saj në Kuvend lidhur me Reformën në Drejtësi pas zgjedhjeve, dhe po i hap rrugë një Presidenti të majtë, një shumice të majtë dhe një Reforme në Drejtësi ekzekutuar nga të majtët, që do ta bëjë të vështirë, ringritjen e PD, nëse nuk hyn në zgjedhje.

PËRGJIGJU