Meta dërgon drejtorët në fushatë që më 4 janar. Qarkorja: Të tentohen njerëzit e lëkundur të PS, të “joshen” me vende punë dhe para

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dhënë urdhër që viti i ri 2017 t’i gjejë të gjithë funksionarët e lartë, të mesëm dhe të ultë në fushatë. Kjo ka qënë qarkorja e lëshuar në momentet e fundit të marrjes së pushimeve nga ana e administratës shtetërore më 31 dhjetor të vitit të kaluar. Në një mbledhje të shkurtër të kryesisë së LSI, mbledhje me vetëm një pikë në rendin e ditës, atë të strategjisë së fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit të këtij viti, ishte dhe njohja e zyrtarëve të lartë të LSI nëpër institucionet shtetërore me faktin se fushata ka filluar. Njëherësh janë dhënë dhe elementët bazë për këtë fushatë: Takimet derë më derë dhe premtime për punë dhe siguri pas zgjedhjeve të 18 qershorit, me argumentin se vetëm Ilir Meta dhe LSI e garanton një gjë të tillë.

Njëherësh janë njohur dhe me faktin se do ta mbajnë pezull koalicionin me PS deri në fund, duke lëshuar sinjale dhe nga PD, për vetë faktin se Edi Rama nuk e ka marrë seriozisht në pikat e tij të marrëveshjes. Pasi në shumë raste është shfaqur shumë ngacmues, përcmues dhe deri dhe me nota talljeje ndaj strategjisë së të “menduarit” të LSI, gjë që nuk e bën fort të sigurtë seriozitetin e Ramës për të marrë parasysh dhe kushtet që paraqet LSI për të arritur një aleancë të tillë.

Ndaj Meta ka dhënë mesazhin se gjithë “goditja” e takimeve të zyrtarëve të lartë të institucioneve përfaqësues të LSI do të jetë më shumë ndaj njerëzve të pakënaqur të PS, që të votojnë më 18 qershor për LSI. Dërgimi i drejtorëve dhe zyrtarëve të lartë të institucioneve në fushatë që nga dita e parë e fillimit të punës për këtë vit, për Metën është një mesazh se ata janë njerëzit që do të implementojnë dhe strategjinë për punësimin që LSI e ka primare. Në takime do të paraqiten me listat e njerezve që janë garantuar në punë, duke premtuar se kjo listë pas zgjedhjeve të 18 qershorit do të dyfishohet në varësi të rezultatit. Njëherësh kjo do të kombinohet dhe me deklarata kundër përfaqësuesve të lartë të PS, duke evidentuar faktin se ata nuk kujdesen për elektoratin e tyre. Për këtë ata do të përdorin listat krahasuese të të punësuarve nga LSI me atë të të punësuarve nga PS, për të arritur në përfundimin që ata mendojnë se jep rezultat: Raporti është në favor të LSI. Por dhe me dhënje parash cash në dorë, për familjet në nevojë. Kjo për Metën do të shënojë dhe rritjen në një masë më të madhe të mbështetjes për LSI dhe për të garantuar dhe pushtet më të gjërë dhe dominues për qeverisjen e ardhshme. Madje dhe për të tentuar postin e kryeministrit, që Rama e ka bërë të qartë se sa të jetë me të Meta as duhet ta ëndërrojë. Ajo që dihet tashmë është se në institucionet ku drejtojnë përfaqësuesit e LSI nuk ka punë, ka vetëm fushatë. Në zyrë do qëndrohet vetëm për të marrë “taksën” për “arkën e partisë” për ta përdorur për fushatë, të tjerët janë në terren./Pamfleti.com