“Pamfleti.com”, asnjë kompromis me krimin në politikë!

“Pamfleti.com”, asnjë kompromis me krimin në politikë!

“Pamfleti.com” nuk bën asnjë kompromis me elementët kriminalë në politikë, të çdo kahu qofshin ato. Lufta kundër tyre, paçka se me kosto të mëdha për ne bëhet në emër të prosperitetit të vendit, në emër të së ardhmes së fëmijve tanë dhe në kurriz të tyre nuk ka pazare.

Shkruan: Gjergj Zefi

Në kushtet e një amalgame opsionesh elektorale, e ndjej detyrim të sqaroj pozicionin tim dhe të “Pamfleti.com” përkundrejt këtyre zgjedhjeve dhe pushtetit qeverisës që do “pjellin” ato..

I.

E kemi mbështetur në parim marrëveshjen por nuk mund të pranojmë produktin fillestar të saj, një ‘tufë’ ministrash teknikĕ pa asnjë integritet politik e shoqëror, të cilat na i imponuan me arrogancë…

Mbështesim me të gjithë forcën dhe tagrin tonë modest publik,  “skarcimet” që bëri Lulzim Basha në PD. Kemi 20 vite që luftojmë kundër këtyre “ushujzave poltike” që Basha i hodhi në koshin e mbeturinave por nuk mund të pranojmë assesi që lista e PDsë të jetë e imponuar dhe e hartuar prej Erion Isufit ose e thënë me gjuhën e humorit të të madhit Paulin Selimi, “kunatit të shokut Xhemal”

Nuk mund të pranojmë ta quajmë reformim, rinovim apo ‘Republikë të re” siç e quan ai (Lulzim Basha), që të mbash në lista Dashin e Havasë dhe të largosh Astrit Patozin; të largosh Majlinda Bregun dhe të mbash super të korruptuarin, butakun Genc Pollo; të largosh kryetarin e Forumit rinor dhe të mbash Aldo Bumçin; të largosh Alizotin dhe të mbash Preçin; të mos aktivizosh Sorina Kotin dhe ti rikthehesh vjeturinave si Valentina Duka. Lista nuk ka një kriter as moral dhe as politik, as në planin civil dhe as në aspektin përfaqësues, nuk thotë asgjë…

II.

E mbështesim kryeministrin në inkursionin e tij elektoral për të kërkuar vota që të qeverisë pa LSI. E kemi konsideruar LSi-në, modelin më të keq politik në vend, një model kriminal dhe korruptiv, një model klientelist që mund të infektojë të gjithë çarshinë e politikës në këtë vend të vogël. Por assesi nuk mund ta justifikoj teorinë e “timonit të vetëm”. Demokracia është një kolorit vlerash dhe i zoti është ai që i bashkon të gjitha ngjyrat në shërbim të një qeverisje komplementare ku të mbizotërojnë argumentet dhe idetë kundër. Kryeministri ngjan me biznesmenët tipikë shqiptarë të cilët pasi u dogjën nga ortakë batakçinjë arritën shumë shpejt në konkluzionin se nuk bëhet “prokopi” me partnerë. Në fakt e vërteta është krejt ndryshe, në botë zhvillimi dhe prosperiteti vjen nga partneriteti. Problemi është të përcaktosh drejtë partnerët me të cilët do të bashkëpunosh dhe të vendosësh mbi ligjësitë partneritetit.

Nga ana tjetër kryeministri duhet të heqë dorë nga “të fortët” dhe eksponentët me të kaluar kriminale. Konseguencat prej tyre i ka akoma të freskëta. Kam të dhëna që edhe në këto zgjedhje ai është intimiduar nga të ashtuquajturit “të fortë”. Konkretisht listat e deputetëve në Shkodër, Dibër, Durrës e edhe në ndonjë qark tjetër janë të ndikuara nga njerëzit e “hurit e të litarit” që në rastin më të keq i janë afruar politikës përmes partive të vogla dhe në rastin më të mirë i janë imponuar partive me emrat e fëmijve apo të afërmeve të tyre në listat e kandidatëve.

Nisur nga sa më sipër, e gjej të udhës të ju rrëfehem lexuesve të “Pamfleti.com”, të gjithë atyre që na ndjekin me fanatizëm gjatë këtij më shumë se një viti në rrugën tonë, se politika jonë redaksionale do të jetë e palëvizur, në mbështetje të çdo lëvizjeje pozitive në politikën shqiptare, pavarësisht kaheve ku realizohet ajo. “Pamfleti.com” nuk bën asnjë kompromis me elementët kriminalë në politikë, të çdo kahu qofshin ato. Krimi nuk ka ngjyrë, nuk ka ideologji, nuk është as i majtë e as i djathtë, as i kuq e as blu. Krimi është i zi! Lufta kundër tyre, paçka se me kosto të mëdha për ne bëhet në emër të prosperitetit të vendit, në emër të së ardhmes së fëmijve tanë dhe në kurriz të tyre nuk ka pazare./Pamfleti.com