Paralajmërimi grek, presidenti Pavlopulos: Kushte Shqipërisë

Paralajmërimi grek, presidenti Pavlopulos: Kushte Shqipërisë

Presidenti grek Prokopis Pavlopulos, në një fjalim në Kongresin e Këshillit Botëror të Epiriotëve të Diasporës, mbajtur në Prevezë, i ka çuar një mesazh edhe Shqipërisë, duke kërkuar që ajo të respektojë të drejtat e minoritetit etnik grek, si një kusht i qartë për anëtarësimin në BE.

“Nuk duhet të harrojmë edhe minoritetin etnik grek, çdo të drejtë e të cilit duhet të respektohet plotësisht në Shqipërine fqinje, ashtu siç u takon qytetarëve që jetojnë në një shtet të së drejtës. Sepse vetëm vendet që janë me të vërtetë shtete të së drejtës plotësojnë minimumin dhe tashmë kushtin e qartë për integrimin në familjen e madhe të popujve evropianë”, ka deklaruar Pavlopulos.

Me dëshpërim, ai është shprehur se ato që po shihen kohët e fundit në Shqipëri nuk janë shenja pozitive.

“Ato që po shohim kohët e fundit, e themi me të vërtetë me dëshpërim këtë, nuk janë shenja të mira. Ato që po ndodhin, sidomos shembjet e shtëpive, janë totalisht të paligjshme. Prona është e drejtë themelore që mbrohet nga e drejta kombëtare e çdo vendi dhe ajo ndërkombëtare. Kur shohim pra këto fenomene themi se ekziston një shkelje e të drejtave themelore, pra shkelje e shtetit të së drejtës”, ka vijuar Pavlopulos.

Ai ka shtuar se, Greqia i sheh gjithnjë me dashuri nëne bashkëkombasit e saj dhe i siguron ata se ashtu si ajo respekton dhe ruan me nder të drejtën europiane dhe ndërkombetare, pret të njëjtën sjellje nga Shqipëria. 

“Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, shembja e ndërtesave që u përkasin minoritarëve grekë nuk favorizon aspak perspektivën europiane të saj”, ka përfunduar fjalimin presidenti i Greqisë.