Paratë nuk ndalin eksodin e bluzave të bardha

Paratë nuk ndalin eksodin e bluzave të bardha

Mungesa e mjekëve në spitalet  rajonale dhe bashkiake është një problematikë që thellohet nga viti në vit. Janë disa faktorë të cilët kanë ndikuar në braktisjen e spitaleve nga  bluzat e  bardha  në vendin tonë. Një nga faktorët më të dukshëm dhe të matshëm është largimi i tyre drejt vendeve të Bashkimit Europian për një pagesë më të mirë si dhe për më tepër dinjitet në profesionin e tyre. Nëse iu refrohemi shifrave konkrete të largimit të mjekëve, flasim për një trend në rritje.

Kështu gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2017 janë larguar nga vendi rreth 125 mjekë, ndërkohë që çdo tre ditë ka një kërkesë për çertifikatën e sjelljes së mirë, pranë institucionit të Urdhrit të Mjekut për largim nga Shqipëria. Presidenti i Urdhrit të Mjeku, Fatmir Brahimaj është shprehur për revistën “SCAN“ se ky institucion është duke përpunuar të dhënat për të patur shifra të sakta për largimin e bluzave të bardha gjatë vitit 2017.

Nëse iu referohemi statistikave të institucioneve përkatëse viti 2016 deri në këto momente është viti më i keq sa i përket numrit të mjekëve që largohen. Rezulton se në 2016 janë larguar 145 mjekë (31 mjekë specialistë dhe 114 mjekë të përgjithshëm), në 2015 janë larguar 120 mjekë dhe në 2014 janë larguar 132 mjekë. Largimet e bluzve të bardha janë reflektuar edhe në shërbimet e munguara në spitale. Kjo ka bërë që të kemi një fluks në rritje të pacientëve  nga rrethet që drejtohen në spitalet e Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore.

Harta e nevojave për mjekë në të gjithë vendin

Pacientët në rrethe janë të detyruar që të përballen me godina sipitalesh që jo vetëm janë amortizuar me kalimin e viteve, por që nuk kryejnë më as funksionin parësor, ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Kjo situatë është si rezultat i përqendrimit të investimeve vetëm në siptalet në kryeqytet si dhe për faktin se bluzat e bradha kanë “braktisur” vendin e tyre të punës në kërkim të një mundësie më të mirëPas krijimit të hartës së nevojave për mjekë specilistë në spitalet rajonale, rezulton se vendi vuan mungesën e 300 mjekëve. Kështu specialitete të ndryshme në spitalet rajonale dhe bashkiake nuk funksionojnë më, duke detyruar pacientët që të kërkojnë shërbim në vendet fqinje ose në spitalet e kryeqytetit.

Nëse i referohemi specialiteteve që kanë më shumë mungesa do të rendisnim si më problematike në vend mungesën e reanimatorëve. Në një kohë kur numri i vdekjeve në vend është rritur si rezultat i sëmundjeve të zemrës numri i mjekëve kardilologë lë për të dëshiruar. Por, mungesa ka edhe për neurologë, kirurgë dhe mjekë obsetër gjinekologë. Për të nxitur bluzat e bardha që jo vetëm mos të largohen nga Shqipëria, por edhe të pranojnë që të punojnë në spitalet rajonale, qeveria miratoi në gusht të 2016 bonusin prej 100 mijë lekë shtesë mbi pagë. Por kjo nisëm nuk pati rezultatin e pritur pasi sipas raportimeve të ish-ministrit të Shëndetësisë vetëm 7 mjekë kanë pranuar të shkojnë nëpër rrethe.

Ndërkohë që vendi do të vijojë të përballet me mungesën e mjekëve jo vetëm për faktin e largimit të tyre. Një tjetër problematikë e hasur në vendin tonë ka të bëj me numrin shumë të lartë të mjekëve specialistë në prag të pensionit. Disa qytete të vendit rrezikojnë të mbeten pa mjekë. Në Berat 17 mjekë specialistë kanë mbushur moshën e pensionit. Në Sarandë për më shumë se 6 vjet nuk ka mjekë kardiologë, Bulqiza ka një mjek të përgjithshëm, ndërsa në Burrel nuk ka gjinekologë.

Qeveria hap “thesin”, mjekët largohen

Pas këmbanave të alarmit për numrin e lartë të mjekëve që po largohen  nga vendi në kërkim të kushteve më të mira ekonomike dhe profesionale, qeveria është vënë në lëvizje në përpjekje për të frenuar fenomenin. Kështu, Këshilli i Ministrave vendosi rritjen e pagave për disa kategori mjekësh dhe shpërblimet për mjekët roje, pas një rritjeje të realizuar me 10 për qind për të gjitha bluzat e bardha. Ministrja Manastirliu, duke e cilësuar largimin e mjekëve si një fenomen jo të veçuar shqiptar, është ndalur konkretisht në vlerësimet financiare që u bëhen mjekëve.

“Është detyra jonë, të marrim masat e nevojshme, duke mbështetur financiarisht profesionistët e shëndetit, me rritjen më të madhe të pagave në këto 25 vite. Janë 20.000 mjekë e infermierë në sistemin shëndetësor që përfitojnë rritje 10% të pagës, por jo vetëm. Ne kemi rritur ndjeshëm pagesën për vështirësi në punë, përkatësisht 18.000 mijë lekë për mjekët që punojnë në shërbimin e urgjencës dhe reanimacionit, 12.000 për infermierët dhe laborantët po në këto shërbime. Ndërkohë, një tjetër incentiv është edhe bonusi prej 10 mijë lekësh në ditë, për mjekët që shkojnë nga spitalet universitare në spitalet rajonale për të ofruar konsulta,” tha ajo.

Për çdo shërbim rojë 24 orë pa ndërprerje mjekëve u jepet një shpërblim që varion nga 5200 lekë në 8000 lekë sipas shërbimit të rojës që mjekët do të kryejnë. Pavarësisht masave financiare që ka ndërmarrë dhe do të ndërmarë qeveria për bluzat e bardha, përsëri vijon të ketë largime. Por në situatën kur flasim vetëm për eksodin e mjekëve vjen një lajm i mirë nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila njofton se vitin që vjen pra në 2018, do të kemi rreth 314 mjekë specialistë të cilët do të përfundojnë studimet e tyre dhe do të punësohen në qendrat spitalore ku ka më shumë nevojë. Sipas saj pas hapjes së specializimeve për të gjitha fushat e mjekësisë, tashmë po studiojnë rreth 600 specializantë. Duke filluar nga viti 2018, do të kemi 12 pediatër të rinj, 9 onkologë, 12 mjekë urgjence, 18 obsetër gjinekologë, 8 neurologë, 14 kirurgë të përgjithshëm, 18 kardiologë, 14 anestezistë, që do të zbusin boshllëkun e krijuar.

Pagat s’janë i vetmi problem

Pavarësisht incentivave të ndërmarra nga qeveria për rritje pagash, mospatja sukses e kësaj strategjie tregoi se largimi i mjekëve nuk është vetëm çështje pagash. Nëse bëjmë një analizë të kushteve të punës  me të cilat përballen çdo ditë bluzat e bardha, lehtësisht kupton se këta profesionistë kanë nevojë për kushte pune, mjete diagnostikuese e kuruese. Një tjetër problematikë që mund të ketë ndikuar sipas vetë mjekëve në largimin e tyre nga vendi është edhe mbingarkesa në punë.

Në ditët e sotme mjeku duhet të merret me plotësimin e një sërë dokumentacionesh si dhe me angazhime të tjera duke bërë që të pakësojë kohën që duhet t’i dedikojë pacientit. Një tjetër pikë e rëndësishme për mjekët është edhe mundësia që u jepet për t’u rritur në karrierë.

Në thelb, mungesa e mjekëve në rrethe vjen si rezultat i një sërë politikash të gabuara. “Liria” e tepruar e zgjedhjes  së vendit të punës duke mos iu përmbajtur kontratës pas specializimeve është një nga arsyet që ka bërë që të ketë mungesa. Aktualisht penaliteti për një specializantë që nuk i përgjigjet kërkesave të Ministrisë së Shëndetësisë për të ushtruar profesionin në një nga spitalet rajonale është kthimi i pagës për vitet e specializimit.

Ministria e Shëndetësisë shtrëngon “zinxhirët”

Ashpërsimi i politikave  do të jetë hapi i radhës i ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë për të zbutur mungesat e mjekëve në rreth. Duke qenë se politikat e vlerësimit financiar nuk dhanë rezultat, nga kjo ministri është menduar që të zbatohen disa politika urdhëruese që detyrojnë mjekët të shkojnë të ushtrojnë profesionin e tyre në spitalet rajonale. Kontratat e lidhura me mjekët specializantë nuk përmbajnë vendin e spitalit se ku do të duhet që të ushtrojë profesionin fillimisht një mjek. Kjo do të mundësojë që Ministria të “përdorë” mjekët specializantë sipas nevojave më immediate.

Sa i përket penaliteteve që do të përdoren ndaj atyre mjekëve që shkelin kontratën do të ketë një rritje të vlerës finaciare që specializanti do të duhet të paguaj në shtet, rreth 20 milionë lekë gjobë. Por pavarësisht këtyre politikave shtrënguese, Ministria e Shëndetësisë nuk do të heqë dorë nga shpërblimet financiare për mjekët. Kështu sipas njërit prej këshilltarit për politikat shëndetësore dhe sociale të Partisë Socialiste, Kosta Bajraba, pagat e mjekëve do të vijojnë të rriten.

Nëse i referohemi hartës së nevojave në vend mungojnë rreh 300 mjekë të specialiteteve të ndryshme. Situatë kjo që do të gjente zgjidhje në përfundim të specializimeve për brezin e parë pas rihapjes pasi pritet që të përfundojnë rreth 290 specializantë. Por problemi qëndron se kuotat e specializimeve nuk janë të gjitha sipas mungesave që ka vendi. Sipas dekanit të Fakultetit të Mjekësisë Xheladin Draçini, edhe pse listat e kuotave hartohen duke marrë në konsideratë nevojat, nuk mund t’i detyrosh mjekët që të zgjedhin degën që vendos Ministria e Shëndetësisë.

“Specialitetet për të cilat ka nevojë vendi merren në konsideratë gjatë planifikimit të kuotave. Por duhet të kihet parasysh se kuotat ofrohen në bazë të kapaciteteve dhe burimeve që kemi për të ofruar specializimet. Ne nuk mund të mbyllim një nga degët e cila nuk ka mungesa në treg, por që vijon të jetë e preferuar si pediatria apo endokrinologjia që të shtojmë kuotat për reanimatorë apo kardiologë. Mendoj se duhet të rishikohen mundësitë e shtimit të kapaciteteve dhe resurseve për të shtuar kuotat e specializimeve  në bazë të nevojave që ka vendi,” thotë ai.

Vitin e parë të rihapjes së specializimeve, Ministria e Shëndetësisë ka lidhur kontrata me mjekët duke përcaktuar spitalet ku ata do të ushtrojnë profesionin, ndërsa në dy vitet në vijim mjekët e rinj kanë nënshkruar pa e ditur destinacionin e punës. Edhe pse në 2018 do të mbarojnë specializimin 9 onkologë, 18 obstetër gjinekologë, 14 kirurgë të përgjithshëm, 18 kardiologë, 8 neurologë dhe 14 anestezistë, referuar kërkesës që ka vendi mbetet për t’u parë “pushteti” i Ministrisë së Shëndetësisë në shpërndarjen e tyre në rrethet dhe spitalet që ka më shumë nevojë./Entela Barjamaj/SCAN