Pëllumb Kulla për Sigurimin e Shtetit: Mark Dodani, hero apo antihero?

Pëllumb Kulla për Sigurimin e Shtetit: Mark Dodani, hero apo antihero?

Në asnjë rast në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk përkujtohen heroizmat e amerikanëve mbi amerikanët e tjerë. Gjeneralët e luftës civile, të Jugut apo të Veriut, kujtohen për lëvizjet e tyre strategjike, por kurrë sukseset e tyre të paharrueshëm nuk fyejnë amerikanët kundërshtarë.

Shkruan: Pëllumb Kulla

Në një nga shkrimet e mia të fundit mbi gjurmët e diktaturës në Shqipëri, unë u referohesha kujtimeve të z. Mark Dodani. Pavarësisht nga ç’mora e ç’komentova prej tyre dhe pavarësisht nga citimi tendencioz që bëra në favor të idesë që po përvijoja, më befasoi te z. Dodani një mënyrë e re të treguari, të cilën unë nuk e kisha hasur më parë ndër të tjerë. Pashë aty diçka që, sinqerisht duhej përshëndetur, diçka që meritonte një vëzhgim të veçantë.

Në shkrimin tim mbi gjurmët e diktaturës, përmendja luftëtarët antikomunistë të përgatitur nga anglo-amerikanët pas Luftës së Dytë Botërore, në Itali, Maltë, Gjermani e gjetiu. Ishin ata që zbrisnin me parashuta mbi një terren të rrezikshëm, ku do të binin pre të forcave të ndjekjes nën komandën e Mehmet Shehut, të organizuara më së miri dhe të plotinformuara nga zbulimet sovjetike, që kishin lidhjet e tyre në Perëndim. Pyesja: kur të ftohen gjakrat që po turbullojnë historinë e Shqipërisë, këta djem të zbritur m parashuta, do t6’i quajnë luftëtarë me detyra çlirimtare, apo mercenarë të shitur tek anglo-amerikanët që vinin t’u kërcënonin lirinë shqiptarëve të tjerë, të cilët thoshin se ishin të lumtur ashtu, të qeverisur nga Enver Hoxha dhe njerëzit e tij? Shtroja dhe kundërpyetjen: nëse do të pranojmë që përgatitja këmbëngulëse, përkushtimi dhe vendosmëria e antikomunistëve, Matjanit, Lleshanakut, Zenel Shehut e misionarëve të tjerë parashutistë janë bëma heroike, atëherë ç’emër t’u vemi Asim Alikos, Pal Mëlyshit dhe Dodanit vetë, që me guxim të rrallë ishin futur në radhët e të arratisurve, që të sabotonin përpjekjet për rrëzimin e Hoxhës? Se urtësia popullore na ka vënë dorësh një shprehje, që unë e fus shpesh në vallë, atë që nuk mund të ndodhë që edhe pulat të ngopen edhe hambarët të mos pësojnë gjë!…

Zoti Dodani meriton të përshëndetet ngrohtësisht, sepse në dallim nga fjalori i shkrimeve të tij të dyzet e ca viteve të shkuar, në dallim nga bisedat e tij mbi heronjtë e heshtur dhe “armën e dashur të Sigurimit”, larg mënyrës së portretizimit në filma të malësorëve armiq, që rronin nëpër shpella malesh me armë në duar, këtë herë ai është i shtruar dhe thuajse meditativ. Zoti Dodani, me një takt fisnikësh, nuk përdor më epitetet “tradhtarë”, “të shitur”, “kriminelë” e “diversantë”. Për njerëzit që ish ngarkuar t’i luftonte dhe t’i mposhtte, ai përdor ca terma të reja, njerëzore. Ai shkruan për ta si “kundërshtarët tanë”, “të pakënaqurit nga regjimi”, “ata të Frontit të Rezistencës” e të tjera përcaktime, pa ngarkesat e njohura emocionale dhe poshtëruese, që u përdorën në letërsi dhe gazeta për gjysmë shekulli rresht.

Dodanin dhe shokët e tij, që bënë sikur u arratisën, për të mashtruar të arratisurit e vërtetë, ne, me një të rënë të lapsit, mund t’i cilësojmë shërbëtorë të diktaturës, renegatë apo fanatikë enveristë, por kështu, do t’i binim papjekurish shkurt. Do të vepronim si ndjekësit e asaj modës “na u hap goja e hajd’ të shajmë gjithçka të asaj kohe!” Duhet matur mirë, pra, dhe bile fort mirë, pasi jeta në bjeshkë mes njerëzve të egërsuar kundër Hoxhës, nuk ishte lojë filmash. Ishte një situatë që kërkonte trimëri, nerva të çelikta, përkushtim dhe alarm të fshehur të përhershëm. Jo të gjithë ushtarakët, forcat speciale dhe adhuruesit e zjarrtë të Hoxhës ishin të gatshëm t’i futeshin këtij risku madhor. Ish diçka tjetër përcaktimi historik që po vonon të na thotë se cili nga këta misione pat qenë në favor e cili në dëm të atdheut dhe të shqiptarëve. Atë me zor po mundohemi ta cilësojmë tani dhe nuk pse të bëjmë përgjegjës ca djem të rinj si Dodani i atëhershëm, që nuk patën mbushur të 25 vjetët! Shumë luftëtarë kanë dhënë jetën, për shkak të anës së gabuar në barrikadë, për shkak të urdhrave jo të studiuara të  komandantëve në caktime pozicionesh apo urdhra të hyrjes në beteja të pamundura. Ne heroizmin e këtyre luftëtarëve do ta shikojmë të shkëputur nga gabimet. Gatishmërisë për mision luftarak të Dodanit me shokë nuk do t’i zbresim asgjë duke e errësuar atë me indoktrinime dhe me buzëmbledhje enveriste.

Po kundërshtarët? A nuk duhen vlerësuar për burrësinë dhe ndjenjën e lartë të sakrificës ata, qindra e qindra të rinj që i patën shpëtuar darës së hekurt të regjimit hoxhist, përmes mijë peripecirash, duke lënë pas të afërm të pushkatuar e të burgosur, familje të zhvendosura, të internuara në viset e jugut në mjedise të akullta armiqësore, motra që nuk u martuan kurrë dhe, rrjedhimisht, nuk bënë fëmijë? A nuk ishte guxim i shkallës më të lartë vendosmëria për t’u hedhur nëpër natë, në një terren armiqësor, ku ca shokë të tyre, më parë ishin kapur dhe asgjësuar nga njerëzit e Shehut e Hazbiut?  Ishte tjetër gjë puna minuese e spiunëve të dyfishtë britanikë, që ua shisnin sekretet dhe planet e zbarkimit komunistëve. Ishte tjetër gjë thurja e pakujdesshme e planeve nga shefat amerikanë dhe anglezë, shpërdorimet moskokëçarëse të jetëve të rinisë shqiptare, atë që Ermenji e quan me dhimbje “përdorime si minj për kavje laboratori”. Edhe këtu, planet e veprat e mangëta të shefave nuk ia zbehin dot vlerat trimërisë së luftëtarëve!

Ndërkohë, zoti Dodani e ka bërë zgjedhjen e vet, paçka se pa u ndjerë dhe vetëm në fushën e fjalorit. Ka që thonë se ai është i detyruar, pasi nuk dëshiron që të fyejë filoamerikanizmin që mbretëron kryq e tërthor Shqiëërisë dhe që tingëllon qesharak, po aq sa dikur filorusizmi, në mos më shumë. Nuk e besoj të jetë kjo. Mark Dodani nuk bën pjesë as në qeveri dhe as në parlament dh e ka provuar tashmë që ka një burrëri të plotë. Aq më tepër që sot atij do t’i leverdiste t’u mbetej besnik dogmave të vjetra të cilat kanë ende aq shumë pëlqimtarë në këtë vend.

Dodani në truallin shqiptar është më i lirë se vetë Moisiu dhe Berisha! Kur them më i lirë se këta të dy, as nuk e diskutoj se sa më i lirë ndihet z. Dodani ndaj një kuadri Sigurimi të një brezi më të ri, Luan Pobratit, i cili tek shkruan në të njëjtën gazetë për Shtetet e Bashkuara thotë: “…Vendi i huaj dhe zbulimi i tij që hartoi dhe tentoi të organizojë konfliktin e armatosur”. Pobrati për Shtetet e Bashkuara përdor takt dhe druhet se mos e lëndojë CIA-n. Më pas, në këtë shkrim për Asim Alikon, z.Luan Pobrati thekson vlerat karakteriale të tij dhe, me të drejtë, siç do t’i kishte hije çdo biri, ai vë në dukje kurajën dhe sakrificat e të atit, Hekuran Pobratit, për çka, siç është fryma e këtij shkrimi, e vlerësoj mjaft. Por zoti Pobrati (i riu), kalon nëpër shtigje fort të rrahura kur më tej përdor gjuhën e intoksikuar të viteve gjashtëdhjetë. Ai shkruan:  “Ata që imagjinonin se do të merrnin pushtetin, vinin në Shqipëri, në rrugë e mënyra ilegjitime… me nëndetëse dhe parashuta natën, nga do të dilte një qeverisje, e cila… nuk do të përfaqësonte vullnetin e popullit, e për rrjedhojë, as pushtetin demokratik”. Dhe ka të drejtë! Nga logjika me të cilën shkruan ai, nuk pritet më shumë. Për Luan Pobratin ajo qeverisje dyzetvjeçare, me skuadra pushkatimi që punonin me tre turne, vazhdon të mbetet demokratik që përfaqësonte vullnetin e popullit!!! Po ta pyes unë zotin Pobrati, se si vallë mund të ndërrohej ai pushtet, përveçse me nëndetëse dhe parashuta, ai do më thotë se kjo gjë mund të bëhej me votën e lirë të popullit sovran(!). Po më tha këtë, soti Pobrati më bllokon dhe unë ngre duart! Në asnjë mënyrë nuk hahem dot me të!

Zoti Dodani, pa asnjë dyshim është përmbi këta. Ai është përmbi shtetin shqiptar, përmbi Akademinë e Shkencave, që vegjeton në pritje grindjeve të politikanëve dhe lëndën historike të Dodanit as nuk e ka përfytyruar ta shqyrtojë! Atje nuk po dinë akoma se ç’emër t’u venë Safet Butkës, Hysni Lepenicës e qindra të tjerëve që ranë nga ana tjetër, në luftën e tyre për çlirim e demokraci. Ende për Abaz Kupin nuk gjendet vullneti që t’i shpallen meritat e rezistencës dhe besnikëria e tij ndaj aleatëve të mëdhenj antifashistë. Për të, si dhe për shumë të tjerë, diktatori i sëmurë, Enver Hoxha, pat bërë nga dy fjalime të kundërta dhe histori e tërë e një kombi, i rri ende gatitu vetëm fjalimeve negativë. Është vërtet poshtëruese të angazhohesh sot në palët, nga të cilat njëra mallkon 29 nëntorin – për të na bindur se i përket antikomunizmit dhe tjetra, më 29 nëntor organizon parada ushtarake, – si provë të besnikërisë ndaj idealeve çlirimtare! Mjafton të mënjanohej zhurma dhe buja dhe çdo gjë do të zinte vendin e vet. Ka plot teste te tjerë për të dëshmuar antikomunzmin. Gjenden plot mënyra për të shpallur besnikërinë ndaj idealeve partizane. Në përfytjet për një datë se kur hitlerianët e kapërcyen nën zhurmën e kamionëve dhe triçikleve kufirin verior të Shqipërisë, në mënyrë groteske, kalojnë çdo vit në foltore, akademikë, historianë, gjeneralë gjermanë në pension, militantë antijugosllave e plot llafologë ngjyra-ngjyra….

Por le t’i rikthehemi gjuhës së hijshme të Mark Dodanit…

Në asnjë rast në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk përkujtohen heroizmat e amerikanëve mbi amerikanët e tjerë. Gjeneralët e luftës civile, të Jugut apo të Veriut, kujtohen për lëvizjet e tyre strategjike, por kurrë sukseset e tyre të paharrueshëm nuk fyejnë amerikanët kundërshtarë. Në këtë drejtim, shembulli amerikan duket sikur vjen nga një planet tjetër, por ne mund të shohim si është zgjidhur problemi në një vend më të afërt, me ca urrejtje të brendshme më pranë atyre të shqiptarëve, në terrene më mesdhetarë.

Një personazh jo aq popullor në vendin tonë, Gjeneralissimi Franko, pat ardhur në pushtet në Spanjë pas një lufte të ashpër civile mes spanjollëve. U angazhuan dhe vullnetarë ndërkombëtarë, siç dihet, por viktimat spanjolle nga të syja anët ishin të shumta. Nuk e sjell dot në mend, se cila ishte ekzaktësisht beteja e famshme që po përkujtohej pas njëzet vjetësh, – Guernika e mirënjohur, apo një tjetër, – por i referohem mirë asaj pjese të ligjëratës së Frankos në këtë përkujtim:

“E tani, – tha Gjeneralisini, – cilët do të nderojmë dhe cilët jo? Kush ishin mbi këtë trual të përgjakur dëshmorët dhe cilët ishin antidëshmorët? Nuk ka dallim. Të dy palët janë dëshmorët tanë! Ne do t’i nderojmë të dy palët pasi që të gjithë ata ranë për Spanjën. Që të dy palët mendonin se po e japin gjakun për një Spanjë më të mirë se ajo që mendonin kundërshtarët. Lavdi të gjithëve atyre!”

Ndaj më ngjall nderim edhe ai korrigjim pa bujë që zoti Dodani i ka bërë kujtimeve të veta, sepse ngjan aq afër emancipimit të shoqërisë paskomuniste shqiptare.

Kur vura në dijeni një mikun tim mbi ndërmendjen e bërjes së këtij shkrimi, ai qeshi edhe më tha: “Kujdes! Shumë nga miqtë e tu do të të përbuzin. Kushedi sa kohë do të murmurisin të pakënaqur!”

Nuk e besoj, thashë, por edhe po ndodhi kjo, punë e madhe! Unë jam njeri më i lirë se ata që murmurisin. Nuk do të rri kurrsesi pa përgëzuar zotin Dodani. Në këtë pikë, unë jam i sigurt se po përgëzoj diçka që e kërkon koha!…

Një shënim për këtë shkrim të Pëllumb Kullës

Këto ditë, ndërsa flitej dhe përkujtohej 100-vjetori i Revolucionit socialist të Tetorit, ishte 6 mujori i ndarjes nga jeta të një emri legjendë e ish-Sigurimit të Shtetit, Mark Dodanit. Duhej shkruar dhe për Markun në mënyrën më të natyrshme, pasi ishte një bir i devotshëm i atij Revolucioni, një luftëtar konsekuent i tij. Bashkëshortja e Markut, Hatemja, një grua tejet e përkushtuar për të evidentuar vlerat e bashkëshortit të saj, më kërkoi që me këtë rast të botoja një shkrim të shkrimtarit Pëllumb Kulla të shkruar 11 vite më parë. U mëdysha në këtë kërkesë, sepse nuk dija mendimin e autorit Pëllumb Kulla. Rasti e solli, sikurse e kam përshkruar para dy ditësh në gazetë, të takohem me Pëllumb Kullën dhe mikun e tij dhe timin, Luftar Paja.

I thashë Pëllumbit dëshirën e Hatemes dhe ai ma miratoi “E kam bërë atë shkrim dhe nuk e bëj dot për herë të dytë. Është një nga shkrimet më të mira që kam bërë dhe për të cilin krenohem. Botoje ashtu siç është. Më mirë ashtu. Ja këtu kemi Luftarin. E di ti që Luftari ka qenë deputet në tri legjislatura. Mirëpo të paktë janë ara që e mbajnë mend Luftarin si deputet. Ai mbahet mend për rolet si ballist që i shkruaja dhe vija në skenë unë. Dhe si ballist Luftari është më i dashur se si deputet. Prandaj dhe shkrimin që kam bërë për Mark Dodanin nuk e ndryshoj…” – më tha.

Me botimin e këtij shkrimi po plotësojmë një dëshirë sa të Hatemes, aq dhe të Pëllumbit.

Pëllumbi ka një shpirt aq të madh dhe paqësor sa që arrin të verë shenjën e barazimit midis Mark Dodanit, protagonistit të këtij shkrimi, Hekuran Pobratit, Asim Aliko e të tjerë, pa përmendur Kadri Hazbiun dhe Mehmet Shehun që udhëhiqnin operacionin kundër diversantëve, me Hamit Matjanin dhe kallëpin e tij që zbarkuan me parashuta e me nëndetëse në këtë vend rreth 60 vjet më parë.

I dashur Pëllumb! Indulgjenca ka një kufi, pavarësisht se ju sillni shembullin e Frankos. Qofsha unë i gabuar! Por më duket se vënia e shnjës së barazimit midis Mark Dodanit dhe diversantëve nuk ka vend! Unë kam biseduar vetë me Markun disa muaj para se ai të ndahej nga jeta dhe, krijova bindjen se po të ngriheshin nga varri ai dhe Hamit Matjani, ata sërish do ta vrisnin njëri-tjetrin. Sepse idealet që mbronin ishin krejtësisht të kundërta. Kështu është dhe ajo kundërvënia që i bën Luan Pobratit pse ai mbron me aq zjarr idealin për të cilin luftoi i ati i tij. Përderisa ata (anglo-amerikanët) që e organizuan atë mësymje paraushtarake kanë kërkuar ndjesë, besoj se nuk ka nevojë për sqarime dhe arsyetime të mëtejshme, aq më tepër për të justifikuar dekoratat e ish-presidentit Bujar Nishani në fundin e mandatit të tij. Turpi mbetet turp, dhe antishqiptarizmi mbetet antishqiptarizëm. I dashur Pëllumb, ti bën një hap shumë pozitiv drejt pajtimit, për t’u shkëputur njëherë e mirë nga një e kaluar e dhimbshme, por kjo nuk mund të bëhet as me justifikime dhe as me qëndrime të njëanshme. Aq më tepër që, ndërsa gjuha e Dodanit ka ndryshuar, nuk është ndryshuar ajo e kundërshtarëve të tij të dikurshëm. Mos harro se jemi para 28 dhe 29 nëntorit…

Xhevdet Shehu