Polemika/ Aleksander Frangaj: Mero Baze, një gazetar gjobëvënës. Mero Baze: Krenar si gjobëvënës për Sandrin

Aleksander Frangaj: Mero Baze, një gazetar gjobëvënës

1. Ju jeni bërë ditët e fundit protagonist i një beteje mediatike që lidhet me Lagunën Blu. Pyetja e parë, pse nuk keni reaguar prej kaq ditësh dhe si qëndron e vërteta?

– Kam refuzuar prej shumë vitesh të bie në lojën e pisët të shpifësve  profesionistë, prandaj dhe nuk kam reaguar ndaj kësaj histerie të organizuar nga kryeshpifesi historik dhe fotokopja e tij e gjysëm lapsit. Por, për të sqaruar ata që vërtet duan të dinë edhe të vërtetën time, po ju them që kjo është një histori aq banale sa edhe e turpshme për ata që më sulmojnë.

Prej shumë vitesh kam blerë tek kompania “Epidam” një investim në kompleksin e ngritur prej saj, ambientet sportive. Më pas, me daljen e ligjit që detyronte të blinin truallin të gjithë disponuesit e objekteve në fshatrat turistike, të cilët kishin ndërruar destinacionin e përdorimit nga resorte për zhvillim turizmi në shtëpi të dyta pranë detit, edhe unë si gjithë banorët e tjerë kam blerë edhe tokën nga shteti, duke u bërë pronar i ligjshëm i investimit dhe i truallit.  Kjo procedurë ligjore është aplikuar nga të gjithë banorët e këtij kompleksi si dhe të pothuaj  të gjithë fshatrave turistike në të gjithë Shqipërinë.

Në vitin 2014, në përputhje me studimin urbanistik të Komunës Golem, kam aplikuar dhe kam marrë lejen për strukture individuale banimi 1 dhe 2 kate nga Kryetari i Komunës Golem. Pra, investimin ja kam blerë pronarit te ligjshëm ‘Epidam’ shpk, truallin ia kam blerë pronarit të ligjshëm -shtetit,  lejen e kam marrë pranë autoritetit të ligjshëm Komunë.

2. Sipas shtypit afati i lejes ka përfunduar, përse vazhdoni të ndërtoni?

– Është shpifje e atyre që përmenda me lart. Afati i lejes së ndërtimit është deri më 31 shtator 2016.

3. Është shkruar që leja është marrë nga Mane TCI, por Mane është tërhequr pas takimit me banorët. A e ka bërë ai të pavlefshëm këtë leje?

– Është e pasaktë. Leja është marrë në fillim nga Mane TCI, por me vendim të Kryetarit të Komunës Golem, date 02.06.2015 është miratuar ndryshimi i subjektit ndërtues tek shoqëria “Kupa” shpk.  Mane mund të jetë tërhequr nga ndërtimi i vilës së vet, por kjo nuk ka lidhje me mua. Janë 2 leje të veçanta dhe në pronësi të ndryshme.

4. A ka ndikuar kryeministri Rama ne këtë leje ndërtimi? A ka qene ai autori i saj?

– Jo. Leja është kompetence ligjore dhe kushtetuese e organit të qeverisjes vendore. Nuk ka patur nevoje të kërkoj ndihmën e Kryeministrit se gjithçka është me pikë e presje në përputhje me studimin urbanistik dhe të drejtën legjitime për të zhvilluar pronën në përputhje me kondicionet e parashikuara.  Gjithçka është e bazuar në ligj dhe e verifikueshme lehtësisht. Një leje nëse është e ligjshme apo e paligjshme nuk gjykohet me peticione apo me sulme në portale. Aq me pak këto i gjykon Kryeministri. Gjykimet i bën vetem Gjykata.

5. Po banorët që reagojnë dhe protestojnë?

– Disa nga banorët e fshatit mendojnë se janë pronarë të të gjithë hapësirave që shohin me sy dhe si rrjedhim pretendojnë se ai investim dhe ajo tokë janë të tyret. Por asnjëri prej tyre nuk disponon asnjë të drejtë të ligjshme pasi pronar i një prone kudo në bote bëhesh kur ti e blen atë ose kur dikush ta dhuron atë. Nëse 1 person i vetëm disponon me shkrim një kontratë që atë pronë ia ka shitur apo dhuruar ndërtuesi i tyre apo që të kenë paguar 1 euro për atë truall, unë nuk shkel me jo në qerret por as në Kavajë. Nëse dikush pretendon se mund të bëhet pronar i një prone vetëm se mund të protestojnë në nëpër gazeta, apo se mund të firmosin peticione, mendoj se gabojnë. Kështu “komuniteti” mund të bëhej pronar i pronave të të tjerëve si askund në botë.

Pavarësisht se unë i kam blerë ato ambiente në përputhje të plotë ligjore tek pronaret e ligjshme të tyre, u kam deklaruar se 2 fusha sporti do t’ua sponsorizoj dhe do t’ua ndërtoj aty pranë jo sepse ju kam ndonjë borxh atyre që më janë qepur me shpifjet e tyre, por do ta bëj se e ndjej për detyrim përderisa i kam mundësitë t’ia kompensoj fëmijëve të komunitetit tokën ku do të ndërtoj, me dy terrene sportive të reja. Për mosbesuesit, u kam ofruar që nëse duan ti ndërtojnë vete, të më japin numrin e llogarisë së përbashkët, dhe tu derdh të gjithë shumën e nevojshme që kushton ndërtimi i dy fushave. Por reagimi i disa banorëve të frymëzuar nga dyshja e shpifësve, ka qenë që nuk duam të na ndërtosh fusha, por duam që ti të mos ndërtosh. Dhe është qesharake sepse një pjesë e banorëve që protestojnë, përfshi avokatin e tyre, kanë ndërtuar ose janë shtuar pa leje ndërtimi. Dhe tani protestojnë për një ndërtim me leje. Kjo tregon qartë se këtu kemi të bëjmë me një xhelozi ndaj meje që udhëhiqet nga gjysmë lapsi Andi Bushati dhe modeli i tij Mero Baze të cilët siç e keni parë përpiqen ta kanalizojnë politikisht duke u përpjekur të bëjnë lidhje mes TV Klanit dhe Kryeministrit. Këta mjerane që kurrë nuk kanë mundur të ndërtojnë diçka të mirë as për shoqërinë e as për veten e tyre, funksionojnë mbi modelin e gjobëvënies ndaj politikanëve, biznesmenëve apo figurave publike. Këta “parimore” që fusha kërkojnë por fusha nuk duan, zhgarravisin dhe i bëjnë presion Kryeministrit të pengojë mua që të ndërtoj në pronën time dhe me leje të rregullt, ndërkohë që më parë e kanë sulmuar po këtë Kryeministër apo dhe Kryeministrin e mëparshëm pse ata pengojnë qytetarët të ndërtojnë me leje të rregullta. Ata s’pushojnë ditë-natë se kërcënuari Edi Ramën që ai të përdore pushtetin e tij për të bllokuar Frangajn. Dhe i kërkojnë Kryeministrit të shkelë ligjin për të bllokuar Frangajn në këmbim të mbështetjes, në të kundërt betohen se do të jenë  kundërshtarë. Ata harrojnë se edhe nëse e  bindin Kryeministrin të shkelë ligjin kundër meje, ka edhe prokurori, ka edhe gjykatë. Edhe në mos ka sot, do të ketë një ditë. Pronën time nuk e prekin dot!

Këta gjobvënës, që nuk mbajnë as kapuçë të zinj në kokë, por me gjysma lapsash e tema të dala boje, mendojnë se mund të më kompleksojnë me shpifjet e trillimet e tyre, por gabohen. I kam mundur dhe do ti mund si tash 25 vjet, se kudo ku kam punuar kam krijuar një ndërmarrje të suksesshme. Kam bërë gazetën më të madhe në Shqipëri, kam bërë revistën më të madhe në Shqipëri dhe kam bërë televizionin më të madh në Shqipëri e ndër shqiptare.

Temat dhe gjysëm lapsat mbahen mend vetëm si sharës dhe si dështakë kudo ku kanë punuar dhe çfarëdo që kanë bërë.

Unë mund të kem 100 të zeza, mund të kem mbajtur qëndrime të drejta apo të gabuara ndër vite, por gjithmonë ka qenë bindja ime në vendimet e mia.  Asnjëherë dhe askush nuk mund të thotë që kam mbështetur apo kam sulmuar dikë për ti vënë gjobë siç po bëjnë rektori i shpifjes dhe fotokopja e tij gjysëm lapsi i vogël. Mero Baze u prish me Kryeministrin Sali Berisha se ky i fundit nuk lejoi që ti vihej gjoba 16 milionë dollarëshe televizionit Top Channel, dhe ka vënë bast se do të prishet edhe me Kryeministrin Rama nëse nuk i prish vilën Sandrit të televizionit Klan. Nga kjo racë vetëm këto pret, po shyqyr që janë pak dhe dhëmbët e tyre mund të kafshojnë, vetëm ndonjë tregtar apo koncensionar ilaçesh apo spitalesh.

Mero Baze: Krenar si gjobëvënës për Sandrin

Sandri ka firmosur një opinion për atë që po bën në bregdet tek “Laguna Blu”, duke mbrojtur qeverinë dhe duke më akuzuar mua dhe Andi Bushatin se duam t’i vëmë gjobë qeverisë Rama për shkak të tij. Përtej traditës së dhëmbshurisë që Frangaj ka për çdo kryeministër dhe që i dhimbsen nëse dikush u bie më qafë, unë jam i detyruar të pranoj pjesën e akuzës në emrin tim. Sa për Bushatin nuk e marr dot përsipër, se ai nuk e do këtë qeveri, as për mënyrën si ka ardhur, dhe as për mënyrën si qeveris, kështu që konflikti i tij me Frangajn është konflikti i çdo gazetari me një bythëlëpirës pushtetesh.

Në rastin konkret, unë jam marrë me qeverinë dhe kryeministrin Rama, jo se janë fajtorë pse Frangaj ka zaptuar një tokë, ka kapur shtetin e Berishës, ka ndryshuar brenda ditës planin rregullues dhe i ka hapur rrugë marrjes së lejes nga një kryekomunar socialist. Jam marrë me qeverinë, pasi kam luftuar që këta të vijnë në pushtet për të vendosur drejtësinë, parimet e së drejtës dhe t’i shkojnë deri në fund korrupsionit të prodhuar nga pushteti i Sali Berishës.

Në këtë pike, ajo që thotë Frangaj për mua është e vërtetë. Edi Rama meriton të gjobitet për këtë që ka bërë, por natyrisht jo ashtu siç i përfytyron Frangaj gjobat, në thesë plasmasi të zinj me lekë, por meriton të gjobitet si një paralajmërim për degradimin dhe më vonë humbjen e pushtetit për shkak të “Sandrave”. Dhe unë më shumë se kushdo tjetër jashtë çdo modestie, e kam këtë të drejtë ta gjobis dhe ta paralajmëroj për këtë që po bën.

E kam këtë të drejtë, kur kujtoj sesi filloi të degradonte në vitet e para pushteti i Berishës nga telefonatat qurravitëse të Sandrit qysh më shtatë të mëngjesit, që t’i lija një kafe me Doktorin ku të ishte dhe Fevziu. E kam këtë të drejtë kur kujtoj se çdo kafe e tij me Berishën, ishte një kërkesë për një cope tokë tek TV Klani, për një leje, për një repart ushtarak, për një metër katror më shumë në Kinostudio, për pronat e Fevziut në Kodrat e Lalzit që kanë rrëshqitur dy km në det, duke varrosur bashkë me ligjin dhe gjyqtarin Konomi, për shqetësimin që Fevziu dhe Sandri kishin pse ministrat e Berishës i përgjigjeshin në telefon Tanit të Topit, për vendosmërinë e Frangajt t’i tregonte Berishës dhe ku i fshihte “Lori Kafe” thasët me kafe, e deri tek banalitetet e tij si ia kishte dhjerë Ramës, Fevziu, duke i thënë “b..q..” dhe që s’do shkelte më në TV Klan sa të ishte gjallë.

Ajo çka i kishin shkruar sot në emër të Sandrit ishte e tëra një “deja vu” e asaj që kam pare, sesi ky sharlatan bëri me pushtetin e Sali Berishës.

Kam të drejtë të gjobis Edi Ramën duke e paralajmëruar, kur kujtoj se çfarë ndodhi me Berishën pasi përgjaku Gërdecin me 26 të vrarë për biznesin e djalit të tij dhe si u dorëzua për të mbrojtur një histori kriminale në duart e këtyre tipave që janë gjahtarë kufomash politike.

Kam të drejtë ta gjobis dhe t’i kujtoj, se Berisha nga një armik i këtij sharlatani, të cilin e kishte çuar dhe në qeli,  u bë i varur prej drogës së gënjeshtrave dhe lëpirjeve të tij deri në atë masë, sa më 21 janar Fevziu na tregonte për vrasës një plak me çadër, për të fshehur plakun vrasës pas xhamave të blinduar të dritares së Kryeministrisë, ndërsa Sandri bënte thirrje që Edi Rama të arrestohej.

Kam të drejtë ta gjobis, duke e paralajmëruar Edi Ramën, se nuk bëhet fjalë për një person konkret, për një fshatar nga Zejmeni i Lezhës, apo për një pasanik që do t’i mbushë mendjen vetes që mund të bëjë c’të dojë me paratë dhe pushtetin, por me një institucion hipokrizie, mediokriteti dhe hajduti, që ka vetëm një aftësi magjepëse: Të rrëzojë çdo qeveri dhe pushtet të cilit i ngjitet në qafë.

E di që është i parezistueshëm në lëpirjet  e tij, në mënyrën si të ushqen deliret dhe si rrezaton pastaj përulësinë ndaj teje në arrogancë ndaj ministrave të tu. Është një njeri që ka punësuar gjithë fisin injorant në shtet dhe askush nuk guxon t’ia heqë nga puna. Një njeri që ka arritur ta kthejë në lolo ministrin e Jashtëm aktual të Shqipërisë, i cili i ka pushuar dy herë motrën nga puna për shkak të ankesave zyrtare që ka nga ambasada jonë në Vatikan, si njeri që si duhet të rrijë aty asnjë orë, dhe dy herë e ka kthyer në punë kryeministri për të mos i ngelur hatri Sandrit.

Kam të drejtë të paralajmëroj kryeministrin dhe ta gjobis rëndë atë, kur kujtoj se Berisha, që ishtë një karakter shumë më i fortë se ky, qoftë dhe për prapësitë e veta, u thye dhe u kthye në shërbëtor të këtij sharlatani, pasi bëri krime, kurse Edi Rama po dorëzohet dhe po bëhet shërbëtor i tij vetëm se ka bërë disa gabime në qeverisje.

Po. Unë pranoj se do ta godas Edi Ramën dhe do ta gjobis atë, në emër të atyre që e votuan bashkë me mua, për të shpëtuar nga një regjim politik që kishte simbol këtë fytyrë , këtë sharlatan, këtë simbol të gjobvënies financiare, të marrjes së tenderave dhe zaptimit të tokave në bregdet nga Vahina në Palasë, të kësaj fytyre që ka nxitur një milion shqiptarë të votojnë kundër Sali Berishës.

Kam të drejtë ta gjobis jo vetëm se jam i lirë ta bëj këtë, por mbi të gjitha se jam dhe i motivuar ta bëj, pasi mua më dhimbset deri në kockë fakti që Berisha arrin të na bëjë pis me mutrat që bën vetë.

Dhe kjo fytyrë është një ilustrim perfekt. Njeriu që çon në opozitë çdo kryeministër të cilit i hipën në qafë, është i vetmi mekanizëm perfekt, që Berisha ka për të na thënë se jemi si ai, dhe për të ngritur njerëzit kundër këtij pushteti. Dhe nuk është se s’ka të drejtë, përderisa pranojmë të përlyhemi nga çdo bajgë e Berishës që tani ja ka vënë në dispozicion Edi Ramës, që të duken njësoj.