Politikë çerrash

 
Nga Luljeta Progni

Janë tensionuar skajshëm marrëdhëniet mes PS-së dhe LSI-së por liderët e këtyre dy partive po përpiqen ta mbajnë të fshehtë. Deklarata e djeshme e deputetit socialist, Pandeli Majko e konfirmon tensionin midis PS-së dhe LSI-së. Ai tha se është koha të ridiskutim të koalcionit.

Mënyra se si u përdor reforma në drejtësi nga të dyja palët, kryesisht nga krerët e dy partive PS dhe LSI, ka shkaktuar një të çarë të madhe në raportet mes tyre. Tashmë është fakt se deklaratat e dy liderëve për proçesin e reformës në drejtësi kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë në kahje krejt të kundërta.

Qysh në nisje të procesit të hartimit dhe më pas miratimit të reformës në drejtësi, kryeministri Edi Rama, përdori një gjuhë arrogante ndaj opozitës por edhe ndaj aleatëve të saj, kryesisht LSI-së. Duke i pozicionuar si ata që kanë frikë nga reforma në drejtësi, Rama është përpjekur të bëjë një ndarje të madhe mes tij dhe Ilir Metës. Edi Rama është përpjekur të distancohet kaq shumë, qoftë nga Ilir Meta, qoftë nga ish-kryeministri Berisha apo nga pasardhësi i tij në krye të PD-së Lulzim Basha, duke u vetpozicionuar si njeriu që e do reformën në drejtësi. Me pak fjalë ai na ka thënë se:

  • Unë nuk jam i korruptuar ndërsa këta po.

Pa marrë në analizë se sa qëndron kjo që ka pretenduar Rama, një gjë është e sigurt se në qoftë se Berisha, Meta, Basha e të tjerë që iu shkojnë pas, preken nga reforma në drejtësi, të njëjtin fat do të ketë edhe kryeministri Rama dhe njerëzit e tij, pra ministra e drejtues institucionesh që mund të jenë përfshirë në korrupsion. Ndaj dhe negociatat deri në miratimin e reformës ishin shumë të vështira. Ato nxorën në pah një marrëdhënie të re mes Ramës e Metës, e tensionuar dhe me mungesë të theksuar besimi. Është parë kjo në deklarata e secilit, në lëvizjet poltike që ka ndërmarrë secili prej tyre, kryesisht në muajin e fundit para miratimit të reformës në drejtësi. Nëse Rama shfaqej arrogant dhe “i pamëshirshëm” ndaj atyre që shfaqen sensibël përballë reformës në drejtësi, Ilir Meta u përqëndrua tek konsensusi me opozitën duke i dhënë kështu vetes disa kredite të cilat nuk është se po i njihen kaq shumë. Në këto ujëra qëndrimesh të dyshimta dy liderët e mazhorancës u shfaqen disa herë në momente kritike ku dukej se koalcioni do të prishej nga çasti në çast.

Përfshirja intensive e Metës në negociatat e orëve të fundit, deri në miratimin e reformës në drejtësi u duk se i sheshoi pak gjakrat e nxehta mes dy palëve. Megjithatë tensionet mes tyre nuk pushuan asnjëherë, veçse pati një marrëveshje të shkurtër për të mos i reflektuar ato në publik. Kësaj marrëveshje nuk duket se po i qëndrojnë “çerrat” e politikës rreth Ramës e Metës.

Në lojë kanë hyrë “kalamajt” e dy palëve. Sekretarja për rininë në PS-së Elisa Spiropali, e njohur për “thënie filozofike” ka nisur një betejë të drejtpëdrejtë kundër kryetarit të Kuvendit Ilir Meta. Ajo është shfaqur me disa mesazhe në facebook, me sulme të tërthorta duke lënë të kuptohet se ka shumë për të thënë kundër Metës por si thotë dot se pse nuk e lë partia, nuk e lë Rama. Nuk ka asnjë shans që Elisa apo kushdo tjetër të dalë e të thotë a të shkruajë qoftë edhe një fjalë të vetme kundër Metës apo kujtodo tjetër, pa marrë lejë nga Rama. Pra Rama ka folur me gjuhën “filozofike” të Elisës.

Nuk ka vonuar as përgjigja e “kalamajve” të Metës. Nënkryetari i forumit rinor të LSI-së i ka kujtuar Elisës korrupsionin në Dogana për rreth një vit që ajo e drejtoi.

“Elisa s’është më drejtoreshë, dha dorëheqjen për arsye ‘patriotike’, s’ka ç’të të vjedhi më tani!”, shkruante ndër të tjera Klevis Pojana, kreu i LRI-së, forumi i të rinjve të LSI-së. Është akuzë shumë e rëndë të cilën, kryetari i LRI-së, në asnjë rast nuk do të mund ta bënte pa marrë lejë nga Ilir Meta. Pra Meta ka folur me gjuhën gjithashtu “filozofike” të nënkryetarit të LRI-së Klevis Pojana.

Pas Pojanës Elisa foli prap. Në një intervistë për “Ora News” ajo pyet Ilir Metën për kë e ka fjalën: Konsensusin i cili u arrit pasi SHBA deklaruan se do të vendosnin në listën e zezë të zyrtarëve të korruptuar ata që nuk e votonin?!  Apo konsensusi i cili u arrit pasi u thye muri i votave nga PD dhe disa deputetë të ndërgjegjshëm të opozitës, si zonja Bregu, zoti Selami e të tjerë do të jepnin pro reformës?!”

Sipas Elisës, Ilir Meta nuk ka asnjë rol në këtë histori dhe se ka qënë i detyruar të pranojë reformën në drejtësi. Pra Rama ia ka dhënë përgjigjen Metës për të gjithë protagonizimin që ai është përpjekur të shfaqë këto ditë pas miratimit të reformës. Rama përmes Elisës i ka thënë Metës se ky nuk është konsensus, por një votë e detyruar për reformën në drejtësi.

Në lojë kanë hyrë edhe të tjerë, një prej drejtorëve të rëndësishëm të Metës e ka sulmuar shumë ashpër Elisën pasi ajo sqaroi çfar është konsensus e çfar jo.

-Thjesht, mjerane!!! Klevi Pojana rrjedh nga nje familje e majte tradicionale, patriote, e ndershme dhe me dinjitet. Zgjedhjen e tij në politike, e bëri me bindje dhe me zemër dhe jo i imponuar nga honorare të fëlliqta interesash të çfaredollojshme…”, shkruan Dritan Ylli.

Ditët në vazhdim priten të tjera reagime në nivele të ndryshme të politikës së mazhorancës, poshte “çerrave” apo lart tyre… (siç ishte edhe deklarata e Majkos), për të mbërritur ndoshta në një moment kur kryetarët e dy partive edhe mund të flasin vetë. Deri atëherë  vazhdon merkato e deputetëve sepse, që të dalësh të flasësh qartë e hapur duhet ti kesh mbi 71 vota. Me sa duket pjesa gri e kuvendit nuk ka vendosur ende./ 27.al