Rama dhe Basha, bashkë në Bruksel. Për ti prishur punë njëri-tjetrit, apo për të mbyllur ndonjë marrëveshje?! U “grinë” nga ‘dashuria’ gjatë përmbytjeve

Rama dhe Basha, bashkë në Bruksel. Për ti prishur punë njëri-tjetrit, apo për të mbyllur ndonjë marrëveshje?! U "grinë" nga ‘dashuria’ gjatë përmbytjeve

Krerët më të lartë të dy partive më të mëdha shqiptare Edi Rama dhe Lulzim Basha do të jenë së bashku në Bruksel. Jo në të njejtin takim, por afër e afër, kryeministri për takime zyrtare dhe shtetërore dhe kreu i opozitës për takime politike me partitë homologe të djathta evropiane. Një koncidencë e “këndshme” teksa sheh gjuhën e zbutur mes Ramës dhe Bashës gjatë tre ditëve të përmbytjeve dhe “dashurinë” e rikthyer tashmë që pas marrëveshjes së 18 majit.

Nëse do të jetë vijimi i falenderimeve me njëri tjetrin i këtyre ditëve me shi, atëherë do të kemi një prelud të gëzueshëm të kësaj “overture” politike Rama-Basha, që mund të konkludojë dhe në ndonjë marrëveshje mes tyre. Që rëndom në Shqipëri mund ta quajnë Pazar. Dhe që mund të ketë të bëjë dhe me kreun e KQZ Klement Zguri që përfundimisht forcon pozitat e tij në krye të këtij institucioni. Por dhe me gjetjen e një emri të ri që do të pasojë Llallën, që nga i përkohshëm të jetë dhe i përzgjedhuri i institucioneve të reja të drejtësisë. Në mos të arrijnë ndonjë pazar mes tyre për të lënë dhe Llallën dhe ca kohë?! Pavarësisht se SHBA dhe BE, teksa citojnë Kushtetutën e re duan një caktim të menjëhershëm të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, ditën e përfundimit të mandatit të Adriatik Lallës.

Por çfarë nuk pret prej tyre kur bëhen bashkë Rama dhe Basha, pa pasur prezencën e Berishës, madje as në linjë telefonike dhe Ilir Metën President, “pazarlinjtë” e vjetër të politikës shqiptare. Por mund të jenë dhe për t’i prishur punë njëri tjetrit. Apo siç e quajnë në gjuhën popullore “për t’ia futur njëri tjetrit”.

Basha e ka treguar qartë se është në gjendje të bëjë të pamundurën për ta dëmtuar sa më “butë” kundërshtarin politik. Madje ka paguar vetëm pak muaj më parë dhe 1 milionë dollarë lobim në SHBA duke rrezikuar dhe nga paratë e parajsave fiskale që mund ti rezervojnë burgun, vetëm e vetëm që të prishë imazhin e Shqipërisë dhe për pasojë dhe atë kryeministrit Edi Rama. Pra mund të jetë dhe kjo e fundit.

Më konkretisht dhe në mënyrë zyrtare, kryetari i opozitës Lulzim Basha do të zhvillojë një takim nesër në Bruksel. Eshtë nisur që sonte, se do të rregullohet për takime, kostumin, flokët, provat para pasqyrës. Burime nga selia blu bëjnë me dije se lideri i opozitës do të marrë pjesë në samitin e Partive Popullore Evropiane.

“Kryetari i PD Lulzim Basha ndodhet në Bruksel ku do të marrë pjesë në takimin e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, ku marrin pjesë përfaqësues të partive të djathta europiane, të qeverive të vendeve europiane dhe të institucioneve të BE. Basha do ketë takime të veçanta me përfaqësues të lartë të politikës europiane, për të diskutuar për situatën politike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe veçanërisht rreth sfidave të integrimit të vendit në BE” nënvizon burimi brenda selisë blu.

Gjithashtu nesër në Bruksel do të jetë dhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë pritet të realizojë një sërë takimesh me zyrtarët më të lartë europianë, duke nisur me presidentin e BE, presidentin e Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, me presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani, presidentin e Këshillit të Europës, Donald Tusk, përfaqësuesen për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, etj.

Në fokus të takimeve të Ramës pritet të jetë perspektiva europiane e Shqipërisë. Paralelisht në Bruksel ndodhet edhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili merr pjesë në punimet e ministerialit të NATO-s. Në përfundim të të këtyre takimeve në Bruksel, Rama do të udhëtojë drejt Polonisë, për një tjetër vizitë zyrtare. Nuk dihet zyrtarisht nëse Rama dhe Basha do të zhvillojnë ndonjë takim, pasi anxhedat e tyre janë të ndara. Por kjo mbetet për t’u parë gjatë ditës së nesërme. Por po shkuan bashkë dhe në Poloni atëherë gjithçka mund të quhet e mbyllur. Sepse në Poloni mund të vizitojnë dhe trupat tona komando të FA./Pamfleti.com