Rama: Realizuam ëndrrën e Ismail Qemalit, pavarsinë e dytë të Shqipërisë

Rama: Realizuam ëndrrën e Ismail Qemalit, pavarsinë e dytë të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë konferencës së Bankës së Shqipërisë është ndalur edhe te kritikat për kompanitë e mëdha në vend.

Ai u shpreh se në vendin tonë ka plot 800 kompani që deklarojnë shumicën e punonjësve me pagë nën 300 mijë lek, duke u dhënë gjysmën tjetër të pagës në të zezë.

Rama theksoi se kjo nuk është aspak gjë e mirë, pasi rrezikon të ardhmen dhe pensionin e atyre punonjësve, por gjithashtu dëmton drejtpërdrejtë arkën e shtetit.

Në fjalën e tij, kryeministri premtoi se buxheti 2018 do përqëndrohet pikërisht te fushat që kanë nevojë për më shumë investim siç janë, arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.

 “Kemi 800 kompani më të mëdha të vendit, që deklarojnë se mbi 400 punonjës të tyre paguhen nën 300 mijë lekë. Ju japin gjysmën e rrogës mbi dorë dhe gjysmën nën dorë, duke kompromentuar seriozisht të ardhmen dhe pensionin, si dhe shkaktuar një dëm të drejtpërdrejtë për shtetin, arkën e shtetit dhe shoqërinë si e tërë. Rritja ekonomike e 2018 do të vazhdojë të tregojë qëndrueshmëri. Ne jemi pothuajse në 4-fish nga dita kur kemi marrë detyrën. Do të ulim borxhin publik me të paktën 2.5%, si dhe do sigurojmë 26 miliardë lekë të ardhura shtesë në 2018 pa rritje taksash. Buxheti i 2018 nuk është ndërtuar mbi tejkalimin e forcës së dëshirës të realitetit ekonomik, por është ndërtuar për të konsoliduar më tutje shtetin, duke rritur hapësirat për zhvillim ekonomik, punësim real. Investimet janë përqendruar në fushat që kanë ndjeshmërinë më të madhe publike. Arsimi dhe shëndetësia kanë një fluks investimesh, po ashtu bujqësia ka një hop në financime. 42% më shumë do investohet për infrastrukturën, janë mbi 400 milionë euro që planifikohen në infrastrukturë. Kemi shpenzuar miliarda për të ndërtuar rrugë kombëtare, por sot nuk kemi asnjë të certifikuar sipas standardeve evropiane. Qëllimi ynë është që rrugët të rindërtohen sipas këtyre standardeve dhe në katër vite të kemi rrugë me standarde evropiane. Në Shqipëri sa bie nata ka vetëm një aks kombëtar me drita Tiranë-Rinas, tjerat ec përpara dhe ‘sukses në jetë’, këtë ne do ta ndryshojmë patjetër. Ka filluar dhe zbatimi i ‘1 miliardë’, jemi në negociata për rrugën e Arbrit. Nëse ka një program ku nuk mund të diskutohet fare pastërtia e burimit të të ardhurave është ky program, që është i dizenjuar për të qenë program falë bashkëpunimit të kompanive me bankat. Në aspektin e luftës kundër pastrimit të parave Shqipëria është një vend me të gjitha standardet të BE dhe se nuk ka asnjë shans të mund të pastrohen para në Shqipëri përmes sistemit bankar”, deklaroi shefi i qeverisë.

Rama e ka mbyllur fjalën e tij me një shprehje të Ismail Qemalit, kur në vitin 1912 nisi punën për krijimin e një banke qendrore të pavarur, duke e cilësuar këtë si pavarësinë e dytë në Shqipëri.

“Në fund dua ta mbyll me një shprehje të Ismail Qemalit, që tashmë është një dëshirë e realizuar e atit të shtetit shqiptar, i cili më 1912 nisi punën për krijimin e një banke qendrore.

“Një sistem i pavarur në shërbim të vendit do të ishte pavarësia e dytë e Shqipërisë”. Pavarësia e dytë është një objektiv i realizuar, sepse sot kemi një sistem të pavarur dhe një BSH që mbetet model rrezatues për çdo institucion që kërkon të mbetet i pavarur”, përfundoi Rama.