Raportet e CIA, Tirana u mbërthye nga paniku pas vdekjes së Stalinit, Enver Hoxha tentoi bashkëpunim me Algjerinë e Bullgarinë

Raportet e CIA, Tirana u mbërthye nga paniku pas vdekjes së Stalinit, Enver Hoxha tentoi bashkëpunim me Algjerinë e Bullgarinë

Vdekja e Stalinit ngjalli panik në Shqipëri. Të paktën kështu pretendon CIA. Në disa dokumente të deklasifikuara thuhet se vdekja e tij nuk u prit mirë, kjo dhe për shkak të rivalitetit mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Nga ana tjetër, tregohet e si Enver Hoxha tentoi të bashkëpunonte me Bullgarinë dhe Algjerinë.

1 maj 1953

Pasojat e vdekjes së Stalinit

Vdekja e liderit sovjetik Stalin shkaktoi një gjendje thuajse paniku në qeverinë e Shqipërisë. Ministri i brendshëm Mehmet Shehu ka vendosur masa edhe më rigoroze policie, të cilat theksojnë pasigurinë mes zyrtarëve shqiptarë, por në të njëjtën kohë ai po lë akoma më në sfond liderin Enver Hoxha. Influenca e këtij të fundit po zbehej prej disa kohësh. Deri tani, qeveria e Shqipërisë ndjehej se mbante një vend të sigurt në strategjinë mesdhetare të Bashkimit Sovjetik. Projektet ushtarake dhe detare që po zhvillohen në portin e Vlorës dhe në ishullin e Sazanit ishin një provë reale në sytë e zyrtarëve shqiptarë, për interesin sovjetik në Shqipëri. Edhe kur oficerët bullgarë nisën të zëvendësonin ata sovjetikë në ushtrinë shqiptare, zyrtarët vendas vazhdonin të besonin se Shqipëria plotësonte një vend me rëndësi. Ardhja e oficerëve bullgarë u interpretua si një plan i përbashkët bullgaro-sovjetik për pushtimin mbrojtës të Shqipërisë në rast zhvillimesh armiqësore. Por vdekja e Stalinit, i lë papritur shqiptarët të ndërgjegjshëm për pozicionin e tyre të izoluar. Duke iu trembur Titos dhe fqinjëve të tjerë, ata po kuptojnë se nuk kanë mjetet e nevojshme për mbrojtjen e kufirit me Jugosllavinë dhe rrjedhimisht të pushtetit të tyre.

Ata po kuptojnë gjithashtu se kanë një luftë të ftohtë brenda vendit, edhe në rast të dështimit të revoltave të mundshme të rezistencës. Gjithsesi vdekja e Stalinit nuk do të thotë se Shqipëria do të bjerë tashmë në duart e Perëndimit si një “frut i pjekur”. Aktivitetet e rezistencës në veri të Shqipërisë nuk kanë organizim, dhe gjenerali i ushtrisë shqiptare Petri Dume shprehet me besim se mund të mbajë nën kontroll bandat e rebelëve. Ndërsa disa zyrtarë në Tiranë i tremben një grushti të mundshëm nga titoistët, të cilët deri tani policia e drejtuar nga Mehmet Shehu nuk ka arritur të identifikojë. Qeveria e Shqipëri po shpreson te rivalitetet e fqinjëve të afërt, ose ndryshe që pretendimet e Grekëve për Jugun e Shqipërisë të neutralizojnë ato të Titos në veri, çka ka funksionuar më së miri gjatë dekadave të fundit. qëllimet e Titos për territorin shqiptar dhe pjesa që do të rezervojë për veten, nëse i vjen rasti, sigurisht mund të trazonin balancat e pushteteve mes fqinjëve të rajonit, prandaj autoritetet vendase shpresojnë që konkurrenca mes vendeve të shtyjë akoma kërcënimet ndaj regjimit të Hoxhës.

Raport 1975

Që prej njohjes publike të mbylljes së ndihmës kineze në korrik, Shqipëria i është kthyer politikës së saj të vetëmjaftueshmërisë stoike, duke iu shmangur ideologjisë së armiqve të saj kryesorë Kinës dhe Bashkimit Sovjetik. Por gjithsesi, asnjë prej vendeve nuk ka treguar shenja moderimi të armiqësisë ndaj SHBA. Shqipëria ndërkohë ka vazhduar përpjekjet për zgjerimin e lidhjeve me disa vende lindore dhe perëndimore siç ka bërë dhe vitin e kaluar. Deri tani Shqipëria nuk ka pasur sukses në gjetjen e një sponsori të ri ekonomik apo ushtarak që mund të japë avantazhet e dhëna më parë nga Kina. Si një vend i vogël dhe me pak burime Shqipëria është varur gjithmonë në ndihmën e huaj për zhvillimin e saj, ashtu siç ka bërë për më shumë se 15 vjet së fundmi me Kinën.

Kreu i shtetit Enver Hoxha duket se nuk po përpiqet të hartojë një strategji të re asistence madhore, por duket se kërkon të vazhdojë, të paktën në terma afatshkurtër, me shtimin gradual të lidhjeve me botën e jashtme, pa Kinën. Kjo qasje padyshim që nuk mund të bëjë të mundur ardhjen e materialeve dhe pajisjeve të nevojshme industriale, që pritet të dëmtojnë prodhimin dhe të ngadalësojnë edhe më shumë ekonominë. Por vështirësitë ekonomike nuk pritet të shkaktojnë trazira të brendshme pasi Hoxha ka një nga regjimet policore më shtypëse në botë. Me gjithë dyshimet e shqiptarëve për politikën e vetmisë dhe izolimit, nuk ka pasur sfida serioze ndaj autoritetit të liderit komunist. Hoxha ka justifikuar politikat e tij aktuale në një fjalim të fundit ku bëri diferencat mes atyre shteteve me “regjime shoqërore të ndryshme” që janë progresive dhe me dispozitë ndaj Shqipërisë, si dhe për ato që nuk përmbushin kriteret. Ai shprehu vullnetin e Shqipërisë për të ruajtur marrëdhënie miqësore me të parat, por tha se nuk do të mbyllte sytë ndaj diferencave politike dhe ideologjike me regjimet e tjera.

Marrëdhëniet me BRSS

Me gjithë refuzimin e Tiranës për të rivendosur lidhjet me BRSS, Moska dhe aleatët e saj të Evropës Lindore kanë vazhduar përpjekjet e nivelit të ulët për joshjen e Shqipërisë. Në krye të kësaj iniciative është Bullgaria, e cila kohët e fundit ka publikuar disa artikuj me dritë pozitive ndaj Shqipërisë dhe gjithashtu ka raportime se Bullgaria, Çekosllovakia dhe Polonia kanë ofruar të përfundojnë projekte të pambaruara nga kinezët, apo dhënien e kredive për projekte të reja. Sipas disa burimeve diplomatike, edhe Bukureshti ka bërë avancime për zgjerimin e lidhjeve ekonomike. Shqipëria në përgjithësi ka qenë indiferente ndaj këtyre hapjeve. Gjithsesi një zyrtar shqiptar ka spekuluar se Tirana mund të zgjerojë marrëdhëniet me Bullgarinë, nëse lind nevoja. Ndërsa sa i përket BRSS, i cili është përgjegjës për të gjitha tentativat e Paktit të Varshavës për joshjen e Shqipërisë, nuk ka iluzione për përmirësim të konsiderueshëm të marrëdhënieve sa kohë që Hoxha është në fuqi. Lideri shqiptar nuk ka dhënë sinjale për modelimin e qëndrimit me sovjetikët, por Moska mund të besojë se avancimet e saj të vogla mund të jenë baza e rikthimit të Shqipërisë në tufën e saj, ndoshta pas pushtetit të Hoxhës. Shqipëria është përpjekur gjithashtu për zgjerimin e lidhjeve me Algjerinë, teksa dy venet kanë nënshkruar së fundmi një marrëveshje tregtare dy-vjeçare në prill.

Shqipëria ngriti temën e shtimit të mëtejshëm të lidhjeve gjatë vizitës së një delegacioni tregtar në Algjer në shtator. Megjithëse informacionet tona janë të fragmentuara, duket se janë edhe disa vende të Evropës perëndimore të gatshme për lidhje tregtare me Shqipërinë. Një delegacion i ministrisë shqiptare të tregtisë shkoi në Sokholm pas vizitës në Helsinki në fillim të nëntorit, ku raportohet se ka nënshkruar një marrëveshje tregtare pesë vjeçare me Suedinë. Gjithsesi asnjë nga akordet e sipërpërmendura nuk ka fuqinë për të stimuluar nielet aktuale të zhvillimit industrial në vend. Burime japoneze kanë raportuar se zyrtarët shqiptarë janë interesuar për hapat dhe procedurat që duhet të merren në përfitimin e kredive nga jashtë. Kjo mudn të sugjerojë se Tirana zyrtare, ose të paktën disa nga zyrtarët, mudn të mendojnë për heqjen e barrierave kushtetuese të kreditimit nga jashtë. Por edhe sikur ata të merrni këtë hap, nuk do të arrinin të merrnin kreditin e nevojshëm në kohë për të parandaluar trazirat në programin e industrializimit.

1972

Mineralet

Shqipëria nuk ka industri të përpunimit të metaleve por është prodhuese e rëndësishme e mineralit të kromit dhe prej vitit 1959 prodhon hekur-nikel në masë relativisht të madhe. Eksportet e kromit përbënin një të gjashtën e eksporteve totale të vendit në 1967. Shqipëria është një nga gjashtë prodhueset më të mëdha të mineralit të kromit në botë dhe llogaritet të ketë rezerva prej 4 milionë deri në 6 milionë ton. Prodhimi është zhvilluar shumë me ndihmën financiare dhe teknike çekosllovake, duke arritur në 420 000 ton në 1969. Kromi eksportohet kryesisht në vendet komuniste, prej koncentratit të ulët të mineralit. Me ndihmën kineze po ndërtohet në Bulqizë një fabrikë për pasurimin e kromit shqiptar nga 45 % në 50 %. Shfrytëzimi i burimeve shqiptare të hekur-nikelit nisi në 1958 me ndihmën e Çekosllovakisë. Thuajse i gjithë prodhimi shqiptar i nikelit eksportohet te uzina çekosllovake e nikelit Sered, e hapur së fundmi, madje dhe para hapjes së saj materialet depozitoheshin aty. E vetmja uzinë e përpunimit të çelikut u ndërtua në Elbasan me ndihmën e Kinës.

Një uzinë me e vogël çeliku është ajo Enver Hoxha në Tiranë që prodhon rreth 5000 ton produkte të vogla çeliku në vit. Planet e qeverisë shqiptare për industrinë e çelikut janë ambicioze madje qesharake. Me ndihmën kineze vendi kërkon të zgjerojë uzinë e Elbasanit për përpunimin e hekurit dhe nikelit, dhe gjithashtu të zgjerojë kapacitetet nxjerrëse të minierave. Industria e bakrit është rritur disa herë nga viti 1960 deri në 1968 me ndihmën kineze, dhe disa fabrika përpunimi janë ndërtuar në Kukës, Rubik dhe Reç, dhe fabrika e telave në Shkodër. Me hapjen e fabrikave të përpunimit të bakrit, eksporti i mineraleve ka rënë ndjeshëm, nga 3700 ton në 1965, në 1900 ton në 1967. Planet pesë-vjeçare ekonomike të qeverisë shqiptare kanë pasur objektiva të ekzagjeruar dhe janë realizuar vetëm pjesërisht. Ndërsa plani pesë-vjeçar 1961-1965 la në pritje shumicën e projekteve prej anulimit të ndihmës sovjetike dhe të vendeve komuniste. Por me ardhjen relativisht të shpejtë të ndihmës kineze Shqipëria arriti një rritje prej 6.5 për qind të GDP-së.

Ndërsa mbi planin e pestë pesë-vjeçar (1971-1975) Mehmet Shehu ka thënë në 1970: “Ndërtimi i socializmit me forcat tona nuk do të thotë se duhet të refuzojmë ndihmën e jashtme nga miq të vërtetë. Republika Popullore e Kinës, miku dhe aleati ynë i madh, e drejtuar nga shoku Mao Ce Dun kanë ndihmuar dhe do të vazhdojnë të na ndihmojnë me dashamirësi dhe frymë të madhe bashkëpunimi”. Pas një zhvillimi të industrive të lehta të ushqimit dhe cigareve, eksportet e kësaj kategorie arritën në 25 për qind të totalit në 1968. Shqipëria eksporton gjithashtu verë, pije e likerna, perime, reçelë dhe bërthama. Eksportet  e cigareve përbëjnë rreth 80 për qind të kësaj kategorie. Kina është tregu i mallrave shqiptare të eksportit që më parë shkonin në BRSS. Ajo eksporton nga Shqipëria naftë bruto, asfalt, krom, duhan e cigare. Disa vende komuniste evropiano-lindore vazhdojnë të marrin importe shqiptare, siç janë mineralet drejt Çekosllovakisë. Shqipëria ka pasur deficit të madh tregtar prej shumë vjetësh.

Nga viti 1948 deri në 1960 deficitet u financuan nga BRSS, dhe më vonë nga Kina. Industria e turizmit është e vdekur në Shqipëri prej politikave izolacioniste të qeverisë. Në prill 1957 BRSS anuloi të gjitha borxhet tregtare të Shqipërisë, ndërsa në periudhën e ndarjes në 1961 borxhi tregtar i Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik ishte 65 milionë dollarë. Përveç kësaj, n fund të vitit 1961 Shqipëria i detyrohej gjithashtu 40 milionë dollarë Çekosllovakisë, 24 milionë Polonisë, 22 milionë Rumanisë, 19 milionë Hungarisë, 14 milionë Bullgarisë dhe 12 milionë dollarë Gjermanisë Lindore. Pas ndërprerjes së lidhjeve me vendet komuniste në vitet 1962-69 Shqipëria pësoi teprica eksportesh prej rreth 20 milionë dollarë, me të cilat reduktoi masën e borxhit total.

Forcat ushtarake

Ushtria e Shqipërisë është një forcë e integruar tokësore, detare dhe njësish mbrojtjeje ajrore me personal prej rreth 35 000 njerëz. Ajo është ushtria më e vogël e vendeve komuniste të Lindjes dhe gjithashtu është e keq pajisur dhe keq stërvitur. Trupat tokësore janë rreth 30 000 të organizuara në shtatë brigada, me pak artileri dhe mjete të blinduara. Ato nuk janë të afta të nisin sulme kundër vendeve fqinje, por kanë potencial të mirë për luftë guerile ose në rajone malore. Forca detare është e vogël dhe ka katër nëndetëse, tetë anije minash, 60 mjete detare patrullimi dhe një numër mjetesh ndihmëse. Objektivat e forcave detare janë kryesisht mbrojtëse dhe parandaluese ndaj trafikut e kontrabandës. Në rast konflikti marina e Shqipëri do të rezistonte vetëm për një kohë të shkurtër.

Mbrojtja ajrore ka rreth 4000 njerëz dhe ka si qëllim shkatërrimin e avionëve apo raketave të huaja në rast sulmi, apo mbështetjen ndaj këmbësorisë dhe marinës. Ajo përbëhet nga dy regjimente luftuese me nga tre batalione zjarri që kanë 18 njësi artilerie, dy regjimente anti-ajrore dhe 13 njësi radarësh. Në ndihmë të ushtrisë janë dhe dy batalione të tjera, trupat e Brendshme dhe trupat Kufitare, me nga 7500 dhe 5000 njerëz secila. Në vitin 1966 parlamenti shqiptar vendosi që çdo njësi ushtarake të kishte një emisar politik dhe që të anulohej sistemi i gradave. Masat erdhën si rezultat i influencës kineze. Për arsye të masës së saj të vogël dhe pozitës gjeografike, forcat detare të Shqipërisë nuk mund të përballen me ushtritë superiore të vendeve fqinje për një kohë të gjatë.

Katër nëndetëset sovjetike përbëjnë kërcënimin e vetëm ofensiv, por aftësitë dhe niveli i stërvitor i personelit është i vogël. Për patrullimet detare në kohë paqeje, njësitë detare janë ndarë mes Durrësit dhe Vlorës. Gjithsesi shtatë luftanije të vogla të klasit Hu Chëan, tani operojnë në Shëngjin dhe gjashtë në Sarandë. Aktualisht kapaciteti i forcave detare për misionin e tyre është i përshtatshëm, por në terma afatgjatë, mangësitë e ekonomisë për mbështetjen e shërbimeve të tyre, pritet të kufizojë kapacitetet në të ardhmen. Njësitë kryesore të mbrojtjes detare janë vendosur në ishullin e Sazanit ku përfshihen këto anije të prodhimit sovjetik: një anije mina-vënese T-43, tre T-301, dy mbështetëse nëndetsesh Kronshtadt. Ndërsa në grupin e anijeve ndihmëse përfshihen dy tërheqëse dhe disa mjete më të vogla. Selia kryesore e forcave detare është në Durrës, me fuqi thuajse të njëjtë ushtarake sa ajo e Vlorës.

Marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi

Gjatë vitit të fundit politika jugosllave për Shqipërinë duket se po merr në konsideratë zhvillimet e mundshme të së ardhmes atje. Në deklaratat e tyre publike liderët jugosllavë, duke përfshirë dhe Titon, kanë thënë se duan në Shqipëri “të lirë e të pavarur”, në kufijtë e saj aktualë, si dhe politika mos-ndërhyrjeje nga fqinjët ballkanikë, veçanërisht Italia. Ata besojnë se vetë populli shqiptar kur t’i vijë koha do ta rrëzojë regjimin e Hoxhës. Aktualisht, Beogradi vazhdon të ruajë presionin e tij fizik dhe psikologjik ndaj Shqipërisë. Grupet jugosllave të shqiptarëve në emigracion duket se kanë si qëllim rritjen e presionit politik ndaj Shqipërisë por dhe ndaj grupeve politike shqiptare të Perëndimit, veçanërisht atij të sponsorizuar nga SHBA, Komiteti i Shqipërisë së Lirë.

Aktualisht nuk ka gjasa që Jugosllavia të bëjë lëvizje të hapura kundër Shqipërisë, pasi për momentin Beogradi favorizon ekzistencën e Shqipërisë, edhe pse e komanduar nga sovjetikët dhe vetëm “de jure” e pavarur. Në propagandën e drejtuar si ndaj Lindejs dhe ndaj Perëndimit, Tito vendos theks të madh në aspektin jo-agresiv të socializmit të tij. Kjo fushatë shpjegon se qeveria e tij është paqësore dhe se është e mundur se socializmi mund të jetojë në paqe në fqinjët, përfshi edhe ato jo-socialistë. Tito thotë se përshtypja e krijuar nga Perëndimi se socializmi është sinonim i agresionit, e ka origjinën te sjellja e Bashkimit Sovjetik. Prandaj sipas tij, vazhdimi i mbijetesës së regjimit Hoxha është një dëshmi e qëllimeve jo-agresive të regjimit të Titos. Që Beogradi të tentojë përmbysjen e regjimit Hoxha, ai duhet të nisë një fushatë të gjerë propagande për të shpjeguar dhe justifikuar kushtet që e bëjnë diçka të tilla të detyrueshme.

Ai gjithashtu duhet të bjerë dakord me Greqinë për çështjen e Epirit të Veriut dhe të nisë trajnime të gjera të shqiptarëve të Kosovës, pranë kufirit me Shqipërinë. Gjithsesi një agresion i mundshëm i Jugosllavisë do të sillte probleme dhe me fuqitë perëndimore, veçanërisht me Britaninë dhe SHBA. E vetmja situatë që mund të ishte e justifikueshme në përdorimin e forcës klandestine në Shqipëri do të ishte shpërthimi i konfliktit të brendshëm, ku Jugosllavia do të ndërhynte për të mbrojtur kufijtë e saj. Ndërkohë në Shqipëri pakënaqësia ndaj regjimit vazhdon, si mes popullsisë së varfëruar dhe mes elementeve të ndryshme të partisë, të nivelit të mesëm dhe të ulët.

Ndër aspektet e pakta pozitive në Shqipëri përmendim zgjerimin e kapaciteteve industriale prej rritjes së ndihmës nga vendet e orbitës sovjetike, dhe rrjedhimisht shtimin e aftësive ushtarake dhe mundësive të regjimit për t’u përballur me rezistencën. Një revoltë e brendshme në Shqipëri do të ishte e pamendueshme pa dezertime të gjera mes forcave ushtarake dhe të sigurisë, të cilat duket se kontrollohen ashpër nga udhëheqja sovjetike dhe oficerët shqiptarë të trajnuar në BRSS. Raportimet për rreth 6000 refugjatë shqiptarë në Jugosllavi duket se janë të ekzagjeruar. Zyrtarët jugosllavë në mars 1952 kanë dhënë shifrat prej 3100 refugjatë dhe rreth 3500 në gusht.

Vdekja e liderit sovjetik Stalin shkaktoi një gjendje thuajse paniku në qeverinë e Shqipërisë. Ministri i brendshëm Mehmet Shehu ka vendosur masa edhe më rigoroze policie, të cilat theksojnë pasigurinë mes zyrtarëve shqiptarë, por në të njëjtën kohë ai po lë akoma më në sfond liderin Enver Hoxha. Influenca e këtij të fundit po zbehej prej disa kohësh. Deri tani, qeveria e Shqipërisë ndjehej se mbante një vend të sigurt në strategjinë mesdhetare të Bashkimit Sovjetik. Projektet ushtarake dhe detare që po zhvillohen në portin…

Lideri shqiptar nuk ka dhënë sinjale për modelimin e qëndrimit me sovjetikët, por Moska mund të besojë se avancimet e saj të vogla mund të jenë baza e rikthimit të Shqipërisë në tufën e saj, ndoshta pas pushtetit të Hoxhës. Shqipëria është përpjekur gjithashtu për zgjerimin e lidhjeve me Algjerinë, teksa dy venet kanë nënshkruar së fundmi një marrëveshje tregtare dy-vjeçare në prill. Shqipëria ngriti temën e shtimit të mëtejshëm të lidhjeve gjatë vizitës së një delegacioni tregtar në Algjer në shtator…