Samir Mane, “kolaterali” i Berishës tek pushteti i Ramës, si u zgjat koncensioni i minierave të Bulqizës dhe bashkëjetesa me oligarkët.

Zakonisht bizneset e gjejnë gjuhën me çdo lloj pushteti në Shqipëri. Nuk flasim për bizneset që janë ngritur mbi baza të ligjshme, por për ato biznese burimi të ardhurave të të cilëve mbeten të mistershme. Për më tepër që sërish vijojnë të deklarohen me humbje. Zakonisht në Shqipëri këto lloj biznesesh janë në formën e “bimëve kacavjerrëse” sepse kapen pas çdo lloj pushteti në Shqipëri, pa bërë asnjë dallim, është i majtë apo i djathtë. Mjafton të jetë pushtet dhe të gjenerojë të ardhura duke sjellë dhe fitime maksimale, pa asnjë lloj shpenzimi.

Rasti i kalimit të bizneseve që ishin kapur pas pushtetit tetë vjeçar të Berishës dhe kishin thithur të gjitha të mirat materiale prej këtij pushteti, tek pushteti i të majtëve të Rama-Metës, është një shembull për t’u marrë në analizë. Jo vetëm sepse i ka krijur ish-kryeministrit Sali Berisha komoditetin për të akuzuar Edi Ramën tashmë kryeministër se është lidhur me të gjithë oligarkët e mundshëm, por sepse realisht këta biznese po operojnë njëlloj si në pushtetin e të parit. Madje këta oligarke që i njeh mirë Berisha, prandaj flet për ta me kompetencë, do të jenë ata që do rrënojnë dhe këtë pushtet. Përmes dhënies së një kostoje të madhe elektorale të majtës në pushtet.

Një nga shembujt tipikë për të ilustruar tërë këtë lukuni oligarkësh që kanë kaluar tashmë majtas është pronari i “Balfin”, Samir Mane. I cili ka zgjatur edhe më tej koncensionin e kromit të Bulqizë. Një zgjatje që ka ardhur nga ministri i radhës, ashtu sikurse kishte ndodhur në kohën e qeverisjes së PD. Me sa duket Mane e ka gjetur çelësin për “zbërthimin” në qeverinë e radhës dhe për të përfituar pafund. Pasi në bazë të kontratës koncensionare, Mane me kompaninë e tij të kromit e ka të shënuar “e bardha mbi të zezë” që duhet dhe të investojë dhe jo vetëm të shfrytëzojë, pasi në të kundërt licensa e kromit hiqet. E ka të shënuar në marrëveshje sasinë e investimeve, që nuk është realizuar asnjëherë. Mane që në kohën e qeverisjes së Berishës ka vijuar në të njejtin avaz, vetëm duke shfrytëzuar rezervat e kromit pa bërë asnjë investim.

Ndërkohë që vijon sërish të mos investojë dhe për më tepër që ka marrë dhe shtyrjen e radhës së koncensionit të kromit. Çka tregon qartë se Samir Mane vijon të sillet dhe me Ramën si me Berishën, duke treguar qartë se jo vetëm ai por dhe të tjerë janë pjesë e “kolateralit” që Berisha ka lënë te Rama, për sa i përket biznesit. Të cilët po përfitojnë dhe nën qeverisjen e majtë, ndërkohë që ministrat e linjës as që guxojnë të thonë një fjalë për shkeljet që kanë prezantuar në atë qeverisje dhe në këtë qeverisje. Heshtje që kushton miliona nga arka e shtetit, por dhe një kosto e madhe jo vetëm për qeverisjen por dhe për mënyren se si bëhet biznes në Shqipëri, si dhe për largimin e bizneseve të huaja që kërkojnë rregull dhe ligj në ushtrimin e aktivitetit të tyre në Shqipëri./Pamfleti.com