Samir Mane, më i pasuri i Shqipërisë, që përdor parajsat fiskale për t’u fshehur. Si fiton leje kromi, ndërtimi e tendera me një firmë nga Singapori

 

Pallati që po ndërtohet në "heshtje" tek rruga e Elbasanit
Pallati që po ndërtohet në “heshtje” tek rruga e Elbasanit

Të gjitha mediat: të shkruara, televizive, radiofonike, madje edhe ato të internetit, që zakonisht nuk lenë lajm pa pasqyruar, po mbajnë heshtje totale – si me porosi nga dikush – ndërkohë që, hijerëndë, po vijon të lartohet me shpejtësi të habitshme një pallat shumëkatësh në Rrugën e Elbasanit, pasi kishte zaptuar një hapësirë toke ku nuk mund të ndërtohet. Kjo, sepse ndërtimi ndodhet në Parkun e Kryeqytetit.

E, megjithatë, ai po ngrihet. Pavarësisht nëse flasin apo jo të tjerët për të. Dhe pavarësisht shkeljes së ligjeve të shumta në fuqi, që nuk lejojnë cenimin e hapësirave të parqeve kombëtare.

Kush është personi-hije që ka kuturisur të hedhë paratë në këtë ndërmarrje me risk të lartë dhe me fitim edhe më të lartë?

Ky është personi, që nuk e ka për gjë të deklarojë për shtypin e huaj se është më i pasuri ndër shqiptarët që banojnë në Shqipëri: Samir Mane. Që njihet edhe si “moguli” i kromit, bossi i elektronikës, me aksione në sport, media, me investime jashtëzakonisht të larta në fushën e turizmit, etj. Që nxjerr paratë nga Shqipëria për të bërë edhe në Bosnje apo Maqedoni investime.

Po ky pallat, siç është aktualisht i mbuluar me vellon e rrjetave plastike të cilat fshehin punën që po bëhet aty brenda, fsheh edhe qarkullimin e parave të dyshimta për në parajsat fiskale.

Rezulton se është kompania Singapore Europe Real Estate and Trade shpk fituese e lejes së ndërtimit të pallatit 13-katësh tek Liqeni i kryeqytetit. Por kjo kompani të habit me performancën e saj në mjedisin e biznesit në Shqipëri. Sikurse dëshmojnë bilancet e deklaruara në QKR, gjatë vitit 2013, atij 2014, si dhe 2015-ës, ajo nuk ka bërë asnjë shitje dhe nuk ka patur asnjë të ardhur tjetër, veç hyrjes së kapitaleve nga aksionarët. Fondi i pagave ka qenë afro 1 milion lekë në vit; në këtë kompani kanë qenë të punësuar vetëm dy punonjës.

Si administrator i parë i kompanisë shqiptare, degë e kompanisë-mëmë të regjistruar në Ishujt Virxhin Britanikë, është përzgjedhur nga pronari indian i saj qytetari shqiptar Lition Broka, i cili e ka ushtruar këtë detyrë deri në mars të vitit 2014. Pas kësaj përvoje, Broka është emëruar po këtë muaj në postin e lartë të koordinatorit pranë zyrës së kryeministrit Edi Rama. Më pas, ai është zëvendësuar në krye të kompanisë nga Klard Flaga, që administroi shoqërinë deri në vitin 2016, kur u zëvendësua nga Viola Kambellari. Fakti që i parafundit ka qenë menaxher dyqanesh tek kompania Neptun e Samir Manes të afron tek njeriu, që duket se vërtit gjithë fijet e transaksionit deri tek pallati i Rrugës së Elbasanit. Aq më tepër që selia e parë e kompanisë ka qenë tek ABA Center, kati i 14, zyra 1406, ku ndodhet edhe Grupi i fuqishëm i biznesmenit korçar. Ndërsa tani strehohet tek një tjetër adresë, ku ndodhen biznese të tjera të Manes.

Administratorja Viola Kambellari
Administratorja Viola Kambellari

Ndërkohë, administratorja aktuale Viola Kambellari është shefe e departamentit financiar të Mane TCI, kompanisë së vetë Samirit.

Në nëntor të vitit 2013 rezulton që pronari i vetëm indian të ketë lëshuar pe’ për një ortak shqiptar, duke i dhënë atij të drejtën mbi 20 për qind të aksioneve të kompanisë S.E.R.E. Fjala është për Denis Alimehmetin, pronar i një subjekti tashmë të çregjistruar Albanian Pipeline Services, ku ka patur bashkëpunëtorë njerëz të lidhur direkt gjithnjë me Samir Manen dhe familjen e tij. Kompania S.E.R.E. ka patur aksione tek subjekti tjetër shqiptar Xheko Construction, por i ka shitur më pas. Renaldo Xheko, pronar i kompanisë në fjalë, është menaxheri i njerës prej kompanive të Samir Manes, konkretisht C2 Debt Management, bërë e njohur për fitime të larta në grumbullimin e detyrimeve të borxhlinjve ndaj CEZ Shpërndarjes vite më parë.

Më pas, del se kompania BFI, në pronësi të Manes, ka blerë të gjithë aksionet e ortakëve të tjerë tek Singapore, duke qenë edhe ligjërisht 100% pronare e pallatit që po ndërtohet.

Po përse Samir Mane nuk del hapur e të thotë që është ai kompania me emra nga Singapori, që  në  fillim, pa  bërë  këto   makinacione  e  transaksione  financiare?…

Vijon nesër /Pamfleti.com