Samir Mane zotëron grupin e biznesit Balfin dhe operon në ‘xhunglën’ e kromit në Bulqizë, fshehja e identitetit. Implikimi i qeveritarëve

Samir Mane zotëron grupin e biznesit Balfin dhe operon në ‘xhunglën’ e kromit në Bulqizë, fshehja e identitetit. Implikimi i qeveritarëve

Pjesa e dytë; Vijon nga dje: Samir Mane, më i pasuri i Shqipërisë, që përdor parajsat fiskale për t’u fshehur. Si fiton leje kromi, ndërtimi e tendera me një firmë nga Singapori

Po përse Samir Mane nuk del hapur e të thotë që është ai kompania me emra nga Singapori, që në fillim, pa bërë këto makinacione e transaksione financiare?

Vetë kompania Singapore Europe Real Estate and Trade shpk nuk është në gjendje të dëshmojë asnjë lloj suksesi të aktivitetit të saj, në asnjë lloj sektori të biznesit dhe nuk mund të mburret se ka një curriculum të favorshëm që t’ua paraqiste autoriteteve shqiptare në tentativë për të fituar të drejtën për një leje të rëndësishme, si ajo e pallatit të Rrugës së Elbasanit. Megjithatë, ajo, jo vetëm që ka guxuar ta parashtrojë një kërkesë të tillë, por edhe e ka fituar OK e pushtetarëve shqiptarë. Të cilët nuk kanë treguar asnjë shqetësim për të verifikuar sigurinë apo besueshmërinë që ofron një investim nga burime të dyshimta, si parajsat fiskale, qytetarë të Indisë, të bazuar në Dubai, etj. Ndërkohë që kompani shqiptare shumë më të favorizuara logjikisht nuk kanë patur këtë shans.

Ky është njeri aspekt. Aspekti tjetër i dyshimtë është fakti që biznesmeni Samir Mane nuk del hapur si pronar i kësaj kompanie, por krijon një rrjet merimangash për të humbur gjurmët në lëmshin e ndërlikuar të biznesit ndërkombëtar. Kjo do të shpjegohej ose me frikën që do të kishte ai nga rezistenca nisur nga lidhjet e mëparshme me qeverinë Berisha, ose me atë, që prapa tij në të vërtetë qendron dikush tjetër, që nuk mund të dalë kurrsesi hapur dhe të cilit Mane i hap rrugë me njerëzit e vet.

Kompania Singapore Europe Real Estate shpk nuk ka kryer asnjë aktivitet prodhues, që të sjellë fitim. Dhe ka patur të punësuar vetëm dy persona. Sipas deklarimeve zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të përpiluara nga kontabilistët e ndërmarrjes, shitjet dhe të ardhurat e tjera kanë qenë zero, si në vitin 2013, ashtu edhe në vitin 2014 dhe 2015.

Por, gjithnjë sipas këtyre deklarimeve, vëmendja e kompanisë ka qenë e fokusuar më një drejtim tjetër: blerjen e të patundshmeve. Kështu, në fund të vitit 2013 ishte regjistruar si pronë e blerë tokë me vlerë 16 milionë e 230 mijë lekë. Ndërsa në vitin 2014 kjo shtohet më tej, me një vlerë në total prej 82.6 milionë lekësh të reja. Pra, 600 mijë euro. Sipas deklarimit, edhe gjatë vitit 2015 kompania duhet të ketë investuar për blerje tokash.

Tokat e blera nga S.E.R.E. gjenden në Himarë, Dhërmi dhe Zvërnec, të gjitha në zonën bregdetare të Vlorës. Po kështu, rezulton të jenë blerë edhe 50 për qind e aksioneve të një kompanie tjetër, Adriatic Yacht Marine, me qendër në Synej të Kavajës, duke treguar qartë se investimi në të patundshme është objekti kryesor i këtij subjekti.

Samir Mane është e qartë që fshihet pas këtij projekti ndërtimor. Ai ka vënë dorë me ndikimin dhe paratë e tij për të pushtuar edhe këtë tokë të mbetur ende e gjelbër nëpër Tiranë, sikurse, pasi ndërtoi pallatin Ambassador 3, tanimë po i gërmon edhe anët e ish-terrenit sportiv pranë stadiumit Qemal Stafa, për të krijuar hapësira parkimi për banorët e tij, si dhe duke e kthyer në inekzistent këtë terren, ndërkohë që me Vendim Qeverie destinacioni i tij nuk mund të alterohet. Por Mane ja ka arritur edhe kësaj. Tanimë aty po ndërthuret një rrjetë merimange rrugësh.

Kush është Samir Mane, që zotëron grupin e biznesit Balfin?

Samir Mane dhe ish-kryeministri Sali Berisha në një prej inagurimeve të miliarderit të pushteteve
Samir Mane dhe ish-kryeministri Sali Berisha në një prej inagurimeve të miliarderit të pushteteve

Gjashtë muaj përpara se qeveria e Berishës të humbte zgjedhjet, Samir Mane, me mbështetjen e veçantë të Berishës u bë zyrtarisht “moguli i minierave të kromit”, duke marrë Albchromin. Nuk ishte pak. Këto miniera kromi që Mane mori me koncesion në fakt janë miniera leku. Por që kanë dhe “bishtin” nga pas. Sektori minerar është një ndër më fitimprurësit në Shqipëri, por të operosh dhe të mbijetosh në këtë sektor nuk është një fjalë goje. Situata në Bulqizë dhe rrotull saj, atje ku shtrihen galeritë më të majme, është kthyer në një xhungël dhe për degradimin e kësaj situate ka disa faktorë që kanë pasur një rol kyç në të gjithë këtë histori.

Faktori i parë është ai shtetëror. Ky faktor ka “dhënë kontribut” për të krijuar xhunglën e kromit kryesisht në dy drejtime: Duke dhënë licenca dhe të drejta për shfrytëzim të galerive në kompani që nuk janë të specializuara në sektor por që kanë lidhje me zyrtarët shtetërorë. Dhe duke futur në mënyrë arbitrare në lojë biznesmenë të lidhur me qeveritarë ose zyrtarë shtetërorë në galeri të ndryshme duke shkaktuar konflikte serioze me shumë pronarë tokash në Bulqizë, të cilët kanë pronësi mbi trojet ku shtrihen galeritë. Këto dy faktorë kanë qenë tejet të rëndësishëm, pasi pronarët nga Bulqiza mobilizoheshin për të gjetur të drejtën e tyre dhe për të përfituar pjesën e tyre nga shfrytëzimi i kompanive private, ndërsa nga ana tjetër, kompanitë e favorizuara pajtonin “të fortë” për të ndalur ndërhyrjet nga pronarët e tokave. Rastet e përplasjeve janë të shumta dhe shtysat nga më të ndryshme, por në thelb gjithnjë ka qenë konflikti mes bizneseve të favorizuara dhe pronarëve të tokave në Bulqizë.  Faktori i dytë që ka ndikuar në krijimin e xhunglës ka qenë koncesionari i shumëpërfolur që tashmë është në pronësi të Samir Manes.

Biznesmeni Zamir Mane dhe Kryeministri Sali Berisha, gjate ceremonise se inaugurimit te qendres tregtare dhe argetuese Tirana East Gate, TEG, nje investim i Balfin Group dhe Fondit Shqiptaro Amerikan te Ndermarrjeve, me vlere 104 milione euro.

Kompania e Manes ka në shfrytëzim minierat dhe galeritë kryesore, por në bazë të kontratës koncesionare, në atë që quhet “seksionin D” i galerive,  shteti i ka njohur të drejtën dhe operatorëve më të vegjël që të shfrytëzojnë burime të caktuara brenda këtij seksioni. Këtu kanë lindur dhe konfliktet mes koncesionarit dhe operatorëve në këtë seksion. Konfliktet kanë qenë të larmishme, madje shpesh janë shënuar dhe incidente të rënda me pasojë vdekjen e shumë qytetarëve ose minatorëve në galeritë e “seksionit D” për shkak se kompanitë e licencuara për të punuar aty nuk përmbushnin kriteret teknike dhe shpesh galeritë zinin poshtë dhe vrisnin mineral-kërkuesit. Nga ana tjetër një pjesë e kompanive të vogla që vepronin në “seksionin D” shpesh janë mbështetur nga struktura të policisë për të kontrabanduar sasinë e mineralit të nxjerrë dhe për të shumëfishuar fitimet për shkak të shmangies dhe deklarimit të rremë të sasive pranë autoriteteve doganore. Një vit e gjysmë amë parë një ish-drejtues i lartë i policisë, Shemsi Prençi, akuzoi publikisht dhe me fakte implikimin e biznesmenëve të njohur dhe zyrtarëve të lartë të policisë në këtë rrjet kontrabande që sillte miliona euro fitime, por ishte Prençi ai që u penalizua duke u shkarkuar nga të gjitha funksionet dhe duke u izoluar.

Loja ishte shumë më e madhe se trimëria  e Prençit. Interesat shkonin deri në rangjet më të larta  qeveritare. Brenda kësaj pakete të ngatërruar interesash do të duhej të operonte dhe koncesionari i Samir Manes, por që prej vitit 2001, ky koncesionar nuk ishte në rregull me hesapet dhe detyrimet e veta ndaj shtetit, pasi nuk realizonte dot investimet që kishte marrë përsipër në kontratë. Ndaj në këmbim shteti mbyllte njërin sy për borxhet dhe koncesionari ja shpërblente shtetarëve në të njëjtën mënyrë kur vinte puna për të pranuar miqtë e qeveritarëve të punonin në “seksionin D” të këtyre minierave.

Për pasojë historia e interesave, të drejtave, borxheve, bizneseve, koncesionarit, qeveritarëve, shefave të policisë,  pronarëve dhe kontrabandës së kromit, u shndërrua në një xhungël që pjell në mënyrë të përsëritur vetëm konflikte. Nëse s’do ishte Samir Mane, do ishte dikush tjetër, por e sigurt është se cilido që do të operojë me koncesionin në këto kushte dhe në këtë xhungël, përveç milionave duhet të presë dhe “dhimbjet e kokës”. Bulqiza  është  shndërruar në një vend surreal, të ngjashëm me filmat me kaubojsa , një xhungël e vështirë,  aq më tepër  e vështirë për biznesmenë që janë mësuar ti zgjidhin punët me telefon nga Tirana.

Tani thuajse nuk ka asnjë aktivitet të rëndësishëm në të cilin Samir Mane të mos jetë prezent. Ai rezulton aktiv në tregun e pronave të paluajtshme, duke zotëruar sipërfaqe gjigande në bregdet dhe jo vetëm, ai është aktiv në telekomunikacion, në tregun e elektronikeve, në ndërtimet rezidenciale, në qendrat tregtare, në marrjen e licensave dhe koncesioneve për fshatra turistikë dhe shërbime. Ai ka qenë apo është ende aksionar me 20 përqind në “Media 6” e njohur ndryshe si “Tv KLAN”. Përgjatë 8 viteve të fundit ai ka pasur ekskluzivitetin nga qeveria shqiptare në përfitimin e disa të drejtave, licensave, koncesioneve, kthim dhe kompesim të pronave duke ndërtuar kështu një perandori të quajtur “Balfin Group” dhe duke kaluar kompanitë e tjera bijëza në emër të njerëzve të tij më të besuar kryesisht menaxherë, djem të rinj, me të cilët punon prej vitesh. Së fundmi, në një periudhë ku në Shqipëri tregu është karakterizuar nga mungesa e kapitalit dhe borxhet e stërmëdha të bizneseve dhe qeverisë dy prej menaxherëve të tij kanë krijuar kompaninë ‘CE2 Service’, e cila me aprovimin e qeverisë shqiptare ka fituar të drejtën të mbajë përqindje të majme nga kompanitë private për mbledhjen e borxheve që qeveria u ka këtyre kompanive por dhe anasjelltas. Samir Mane disponon 17.55 përqind të aksioneve të operatorit “Plus Communication” nëpërmjet grupit të tij “Balfin”, grup i cili kontrollohet nga kompania e regjistruar në Vjenë “Alba-Trade”. Në vitin 2009 qeveria dhe licensën për kompaninë e katërt celulare dhe fillimisht u përdor si koperturë në garë kompania PTK e Kosovës, ndërsa fill pas fitimit të tenderit kjo kompani shiti aksionet e veta te Mane dhe një grup biznesmenësh. Gjithsej shteti shqiptar arkëtoi për këtë licensë 7.2 milionë euro ndërsa sot pas tre vitesh rezulton se vetëm 17.55 aksione të kësaj kompanie kanë një vlerë më shumë se 7 milionë euro. Në konfigurimin e sotëm të aksionarëve të “Plus Communication” kompania kosovare PTK e cila shërbeu si koperturë gjatë tenderit, rezulton se ka firuar në 0.58 përqind të aksioneve dhe kjo kompani fitimprurëse kontrollohet tashmë prej Manes dhe disa aksionarëve të tjerë./Pamfleti.com

vijon nesër me pjesën e tretë: Pastrimi masiv i parave përmes “donacioneve” të pushtetit, disa nga bizneset ekskluzive që qeveria i ka dhënë Samir Manes