Shpërthimi në minierë: Oligarku Samir Mane, “pengmarrësi” i qeverive nga “Berisha” te “Rama”

Më datë 11 gusht të 2016, parlamenti votoi shtyerjen me 10 vjet të koncesionit AlbChrome, pjesë e Balfin Group që zotërohet nga biznesmeni Samir Mane. Asokohe Ministri i Energjetikës, Damjan Gjiknuri tha se zgjatja e këtij afati deri në vitin 2040, lidhet me investimet shtesë që do të kryejë koncesionari në Bulqizë.

Por është pikërisht ky koncesionar i cili sot ka përgjegjësinë kryesore për shpërthimin që ndodhi në nivelin 21 të minierës, në seksionin e punimeve për pusin e ri që arrin deri në 1000 metra thellësi. 3 minatorë kinezë janë lënduar rëndë ndërsa 3 të tjerë rezultojnë të jenë të bllokuar në galeri.

Për të kryer këto punime, AlbChrome kishte kontraktuar një kompaninë kineze Xian Engineering. Sipas një njoftimi zyrtar të kompanisë AlbChrome, shkak i aksidentit ishte shpërthimi i gazit metan ndërsa indirekt ia faturon përgjegjësinë kontraktuesit kinez.

“Ditën e sotme, rreth orës 13:30, në Minierën e Kromit në Bulqizë ka ndodhur një shpërthim gazi metan. Shpërthimi ka ndodhur në nivelin 21 te minieres, në seksionin e punimeve për pusin e ri, 1000 metra në thellësi të saj. Aktualisht në këtë seksion punon kompania kineze Xian Engineering, e kontraktuar nga AlbChrome, nga ku behet me dije se ky shperthim ka shkaktuar tre punonjes të plagosur.” – thuhet në reagimin e kompanisë Balfin të Samir Manes.

Ndërkohë ambasdori kinez në Tiranë është nisur urgjent drejt Bulqizës për tu informuar mbi të vërtetën e aksidentit si dhe për fatin e 3 minatorëve të bllokuar. Aktualisht janë ndërprerë punimet për kërkimin tyre për shkak se në pusin 21 është dëmtuar sistemi i venetilimit dhe për rrjedhojë është e pamundur ndërhyrja e ekipeve të shpëtimit. Në galeri po punojnë specialistët e RISHMIT për të rregulluar sistemin e ventilimit dhe të ajërimit si dhe për të larguar dheun e shembur duke rregulluar kavon dhe bazamentin e pusit. Kërkimet për gjetjen e tre kryespecialistëve kinezë do rifillojnë në momentin kur të jetë riparuar sistemi i ventilimit.

Më herët  kjo minierë është vizituar edhe nga kryeministri Rama, i cili gjatë kohës ku ishte në opozitë ka hedhur akuza të forta kundër ish qeverisë së Partisë Demokratike se ishte duke favorizuar kompaninë koncesionare të Samir Manes. Madje në atë kohë ish deputetët të majtë e cilësonin kompaninë që zotëronte koncesionin si e afërt me qeverinë.

Por me ardhjen  në pushtet duket se mendimet e Ramës kanë ndryshuar bashkë me qëndrimet e tij ndaj oligarkëve. Me shtesën e re prej 10 vitesh, koncesioni i minierës së kromit në Bulqizë, bëhet kështu koncesioni më i gjatë në vend me një afat rekord prej 40 vjetësh.

Përpos fitimeve marramendëse që janë përqëndruar në një dorë të vetme, siguria e minatorëve mbetet ende problem. Ministra të qeverisë, Gjiknuri, Ahmetaj dhe Klosi kanë vizituar disa herë minierën AlbChrom të Manes, madje kanë vlerësuar kushtet e punës dhe investimet e kryera. Por aksidenti i sotëm tregoi sërish se siguria e minatorëve në minierat e Bulqizës mbetet ende një nga problemet kryesore.

Gjatë ditës së sotme Ministria e Energjisë dhe Industrisë tha në një deklaratë për mediat se ngjarja ndodhi në nivelin e 21-të të minierës së kromit në Bulqizë, gjatë punimeve që po zhvillohen në kuadër të investimit për hapjen e pusit të thellësisë që do të shtojë jetëgjatësinë e kësaj zone mineralmbajtëse.

Institucioni i Ministrisë së Energjisë tha gjithashtu se në përfundim të operacionit të kërkim-shpëtimit, strukturat përgjegjëse do të hartojnë raportin përkatës dhe analizojnë shkaqet e dinamikën e aksidentit të ndodhur. Por si gjithmon, edhe ky raport nuk do të dalë në asnjë përfundim dhe për rrjedhojë nuk do të marrë ndonjë masë ndaj biznesmenit Samir Mane.

Koncesioni për këtë minierë u firmos nga kryeministri, Ilir Meta në vitin 2000, ndërsa ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit ishte Mustafa Muçi. Kohëzgjatja e koncesionit do të ishte 30 vjet. “Darfo” themeloi kompaninë “DARFO ALBANIA” më 14 prill 2000. Në korrik të vitit 2009, “DARFO” i shet 100 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë koncesionare “DARFO ALBANIA”, shoqërisë “ACR Holding” dhe pas kësaj, emri i shoqërisë ndryshohet në “Albanian Chrome” me të njëjtin NIPT. Më datë 6 shkurt 2013, në METE u protokollua një njoftim i “Albanian Chrome”, ku ortakët e “ACR Holding” i kanë shitur 100 % të kuotave shoqërisë “Balfin” të Samir Mane 100% të kuotave të “ACR Holding”.

Në të shkuarën, të gjitha kompanitë koncesionare kanë shkelur vazhdimisht kushtet për realizimin e investimeve dhe kriteret e operimit të minierës së Bulqizës, që ndër të tjera kanë çuar në 7 vdekje minatorësh ndër vite.

PËRGJIGJU