Skandali, dyshja Ilir Meta-Gjin Gjoni rikthen gjyqtarët me njollë në sistem para shkërmoqjes së KLD

Skandali, dyshja Ilir Meta-Gjin Gjoni rikthen gjyqtarët me njollë në sistem para shkërmoqjes së KLD

Njëri njihet ndërkombëtarisht si një ndër politikanët më të korruptuar në Shqipëri, me pasuri të pallogaritshme dhe që i ka shpëtuar disa herë burgut, ndërsa tjetri është gjyqtari më i përfolur nga politika dhe qarqet ndërkombëtare. Ata janë Ilir Meta dhe Gjin Gjoni, sot në krye të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, i pari kryetar dhe tjetri anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, organ përgjegjës për qeverisjen e drejtësisë shqiptare. Që të dy kanosen nga një rrezik i përbashkët: Që është zbatimi i Reformës në Drejtësi, përmes veprimit të ligjit të Vetingut dhe më pas funksionimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe i Prokurorisë së Posaçme. Pas një lufte të gjatë në prapaskenë për të përmbysur ligjin e Vetingut, KLD, në mbledhjen e parë me kryetar Ilir Metën, diskuton një raport mbi problematikat e zbatimit të ligjit të Vetingut. Një hipokrizi të tillë e gjen vetëm në dramat e Shekspirit. Ata që do janë sot objekt i Vetingut, janë mbledhur dhe duan që të japin kontributin e tyre për zbatimin e Vetingut. Sigurisht që është një formë e re, më e sofistikuar, për ta penguar.

Së dyti, në mbledhjen e parë të KLD me kryetar Ilir Metën, u vu re një përpjekje për të rikthyer në drejtësi gjyqtarët e akuzuar për abuzime, para se të ngrihen organet e reja dhe para se shpërbëhet Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Nga njëra anë, KLD thotë se nuk ka më kompetenca për të nxjerrë gjyqtarë në pension apo për të shkarkuar gjyqtarë, por në të njëjtën kohë anëtarët e saj kërkojnë rikthimin në gjykata të gjyqtarëve të pezulluar për shkak të akuzave të prokurorisë. Kërkesat janë bërë pikërisht nga Gjin Gjoni. Në këtë mbledhje Gjin Gjoni i tha Ilir Metës: “Përveç këtyre pikave të rendit të ditës të cilat janë paraqitur këtu, unë mendoj që në rast se është e mundur këtë mbledhje ose mbledhjen e ardhshme, janë dy çështje të cilat duhet t’i shqyrtojmë me prioritet. Është një vendim i Gjykatës së Lartë në lidhje me gjyqtarin Osman Aliu, i cili ka filluar dhe çështjen penale, dhe Gjykata e Kavajës është një gjykatë e cila gjatë gjithë kohës kërkon komandime në lidhje me çështje të caktuara dhe në rast se ky Këshill i Lartë i Drejtësisë do e çmojë të arsyeshme ta fusim në rend dite, të rikthehet në pozicionin e punës së mëparshme dhe; çështja e dytë është në lidhje me Pajtime Fetahu, e cila ka qenë gjyqtare e Elbasanit dhe ka patur një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë por për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 34, datë 08.03.2017, është shfuqizuar dispozita ligjore për të cilën bëhet fjalë dhe ndoshta në mbledhjen e ardhshme do ishte mirë që të shqyrtohej, ose në këtë mbledhje, ose në mbledhjen e ardhshme, meqenëse janë çështje që mund të kalojnë shumë shpejt”. Këto kërkesa janë mirëpritur nga Meta, i cili ka garantuar Gjin Gjonin se do të futen në rendin e mbledhjes së ardhshme.

Gjyqtari Osman Aliu, për të cilin Gjin Gjoni kërkoi që të kthehej në drejtësi, është dërguar në gjyq nga prokuroria për fshehje pasurie, por Gjykata e Apelit i rrëzoi akuzat ndaj tij. Në shtator të vitit 2014, organi i verifikimit të pasurive, pas një hetimi administrativ ndaj këtij gjyqtari, konstatoi fshehje të pasurisë, deklarim të rremë të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare për pasuritë e krijuara, transaksione të padeklaruara, të dyshimta, dhe pa burime të ligjshme, 2009 – 2013, jashtë Shqipërisë, deklarime të rreme për huamarrje, huadhënie dhe dhurata me qëllim justifikimin e pasurive të vëna në kundërshtim me ligjin, etj.

Edhe gjyqtarja tjetër Fatime Fetahu u akuzua për korrupsion, por Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi e pezulloi nga detyra, i rrëzoi akuzat ndaj saj. Gjyqtarja Fetahu u kap nga kamerat e një emisioni televiziv, ku gjatë një bisede me një efektiv policie, gjyqtarja kërkonte 2 mijë euro për lirimin e një të burgosuri me emrin Kristjan Leka.

Menjëherë pas transmetimit të filmimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet, ndërkohë që urdhëroi dhe arrestimin e dy sekserëve, shtetasve Enver Disha punonjës policie dhe edhe ish-oficeri i burgjeve Behar Kola që bënte edhe rolin e sekserit për gjyqtarët dhe prokurorët. Hetimet e kryera për këtë rast, nuk kanë provuar implikimin e gjyqtares Pajtime Fetahu, për të cilën Krimet e Rënda vendosi të mbyllë dosjen.

Abuzimi qëndron në faktin se Ilir Meta dhe Gjin Gjoni i kanë ditët e numëruara në krye të piramidës së drejtësisë në Shqipëri. Gjin Gjoni është pjesë e një liste që po verifikohet nga anëtarët e Vetingut, ndërkohë që Ilir Meta do të jetë sfida e madhe e Byrosë së Hetimit, për shkak të pasurive të mëdha që ka deklaruar dhe që nuk i justifikon dot me dy rroga, të tijën dhe të bashkëshortes, Monika Kryemadhi, të cilën e ka lënë në krye të parisë. Në vend që të heshtnin dhe të prisnin me qetësi fjalën e drejtësisë, ata po nxitojnë të rikthejnë në sistem disa gjyqtarë që janë liruar nga akuzat nga po kjo drejtësi që po shembet, po për shkak të mosbesimit të thellë të qytetarëve. Nga ana tjetër, në mbledhjen e mëparshme, nën drejtimin e Bujar Nishanit, KLD nuk ka pranuar që të nxjerrë disa gjyqtarë në pension, me pretendimin se nuk ka më kompetenca pas miratimit të Reformës në Drejtësi./Pamfleti.com