Spastrimi i paralajmëruar në PS për rezultate të dobëta: largohen militantët e bazës dhe promovohet Arben Ahmetaj që pësoi humbje të dyfishtë

Spastrimi i paralajmëruar në PS për rezultate të dobëta: largohen militantët e bazës dhe promovohet Arben Ahmetaj që pësoi humbje të dyfishtë
Spastrimi i paralajmëruar në PS për rezultate të dobëta: largohen militantët e bazës dhe promovohet Arben Ahmetaj që pësoi humbje të dyfishtë

Raporti i shpërndarë nga “kuzhina e propagandës” së kupolës së PS-së për një fshesë drastike ndaj gati gjysmës së drejtuesve lokalë të partisë, u komentua nga qarqe të ndryshme mediatike si një operacion pastrimi.

Realisht, duket më tepër si një aksion “spastrimi” por thjesht sektar dhe pa një linjë reale logjike dhe meritokratike.

Pasi në të gjithë botën analiza e një gare elektorale dhe reperkursionet politike fillon nga lart dhe shkon në mënyrë lineare poshtë në bazë.

Në raportin e përgatitur nga Fatmir Xhafa thuhet se rezultatet nuk kanë qenë ato të pritshme në mbi 1440 organizata socialiste në nivel lokal, mbi drejtuesit e të cilëve pritet të nisë ndëshkimi; largim nga drejtimi politik dhe më pas ajo më e rënda asnjë përfitim në punësim.

Por ky operacion është kompromentuar që në krye të herës, pasi Kryeministri Edi Rama, ka vënë në qeveri, pikërisht njerëzit që janë përgjegjës për humbje të rëndësishme jo vetëm në aspektin numerik por edhe simbolik.

I pari përgjegjës për rezultat të dobët është “Super ministri” Arben Ahmetaj, që ka marrë mbi shpatullat e tij të vogla plot tre dikastere që menaxhojnë gati gjysmën e buxhetit të shtetit.

Arben Ahmetaj u caktua nga Edi Rama si drejtues politik në Kavajë ku kishte dy beteja të rëndësishme politike; zgjedhjet për parlamentin dhe zgjedhjet vendore për kryetarin e bashkisë së Kavajës.

Ahmetaj i humbi të dyja; në zgjedhjet parlamentare, Partia Socialiste nuk realizoi efektin e pritshëm që mund të kishin çuar në marrjen e deputetit të 19-ë në qarkun e Tiranës, ndërkohë që humbi bujshëm bashkinë e Kavajës, të cilën PS e mori në vitin 2011 kur Sali Berisha dhe Ilir Meta së bashku ishin në kulmin e pushtetit.

Arben Ahmetaj, politikisht ishte një humbës dhe si i tillë do të duhet të paktën të tregonte arsyet dhe shkaqet e rezultatit të dobët.

Pandeli Majko, i cili prej zgjedhjeve të shkuara u katapulua në “Stalingradin” socialist, pra njësinë nr 5 jo vetëm që nuk ka rritje me vitin 2013, por ka ulje prej më shumë se 1 mijë votuesish, kur PD dhe LSI të dyja kanë pësuar ulje të konsiderueshme.

Realisht, i vetmi ministër që ka “bërë kosh” në zgjedhjet e 25 qershorit është Damian Gjiknuri në Vlorë, kurse të tjerët kanë arritur rezultate ose të barabarta ose më të ulëta se 4 vjet më parrë.

Pra meritokracia në nivelin më të lartë nuk ka ardhur si një logjikë politike e rezultateve në zgjedhje, çka nuk përbën realisht gjithmonë kriterin kryesor por është një kriter.

Dhe aq më keq kur shkel kriterin, kjo demotivon njerëzit që kanë arritur vërtetë rezultate të larta.

Shkodra ka në qeveri dy deputetë të listës, Ditmir Bushatin dhe Senida Mesin. Por këta deputetë i sollën PS-së 4 deputetë,  një më pak se në vitin 2013, që po ti shtosh këtu edhe përçarjen e madhe që përjetoi PD në këtë qytet, është një fatalitet në vete për PS-në atje.

Saimir Tahiri, drejtuesi politik i Tiranës, i cili vetë personalisht kishte në patronazh rrethinat dhe fshatrat pranë kryeqytetit, jo vetëm që rriti numrin e deputetëve për PS-në në qytet dhe rang qarku, por edhe numerikisht shtoi votat për PS-në edhe në zona ku socialistët kanë shumë vështirësi. Doni shembull? Paskuqani; PS për herë të parë doli në avantazh.

Analiza mund të bëhet me detaje dhe me shumë zëra, por në thelb spastrimi si operacion nuk duket se është as i ndershëm dhe as logjik. Që të ketë një kriter të ndershëm ai duhet të fillonte nga lart. Ndryshe do të jetë një farsë dhe në vend që të motivojë, ai do të demotivojë./pamfleti.com

PËRGJIGJU