Trukimet e ndeshjeve, pse FSHF fsheh raportin e UEFA-s?

Trukimet e ndeshjeve, pse FSHF fsheh raportin e UEFA-s?

Në një dalje për mediat, presidenti Armand Duka ka pranuar se UEFA i ka sjellë një raport ku e vë në dijeni për ndeshjet që sipas qeverisë europiane të futbollit janë trukuar. Në fakt, institucionet ndërkombëtare shprehen me gjuhë diplomatike, që do të thotë se UEFA shkruan për dyshime në fiksimin e rezultateve të ndeshjeve të kampionatit shqiptar.

Duka e pranoi se ka ndeshje të dyshuara si të trukuara, por u ngushëllua me faktin se në këtë raport flitej për më pak ndeshje të trukuara se një vit më parë. Por ai në asnjë rast nuk dha detaje. Fakt është se kampionati shqiptar zien nga manipulimet në të gjitha nivelet e tij dhe rasti më i freskët është ai i ditës së hënë, kur Apolonia mundi Turbinën 5-2, në një ndeshje ku rezultati deri në minutën e 80-të ishte 1-1 dhe në dhjetë minutat e fundit fierakët shënuan 4 gola, duke lënë hapur të kuptohet se kjo ndeshje ishte e paracaktuar.

Pse hesht Duka për raportin e UEFA-s? Cfarë fshihet në këtë dosje voluminoze të ardhur nga zyrat e UEFA-s? Cilat janë ekipet e përfshira dhe a kanë dorë arbitrat në këto rezultate të falsifikuara? Të gjitha këto pikëpyetje duket se do të mbeten pa përgjigje, sepse FSHF dhe Duka janë shprehur se UEFA ka hedhur thjesht dyshime por nuk ka fakte. Dhe loja vazhdon, e tifozët vijojnë të braktisin stadiumet tona. /Pamfleti.com

 


Loading...

Loading...
Loading...